Kërko

Audienca e Leo XIV me punonjësit e Konferencës Episkopale Italiane Audienca e Leo XIV me punonjësit e Konferencës Episkopale Italiane

Papa, punonjësve të CEI-t: shërbejini Kishës si ungjillëzues, jo si spektatorë

Papa Leoni XIV pret punonjësit e Konferencës ipeshkvnore italiane: t'i shërbesh Kishës nuk është vetëm "kryerje e një funksioni", por sidomos të jesh gjymtyrë e korpit të Krishtit. Në një epokë "ndryshimesh të thella", ne duhet “ta shkrijmë bujarisht vetveten" në ungjillëzim, në mënyrë që të mos jemi "spektatorë", por nismëtarë të unitetit e të paqes.

R.SH. / Vatikan

Shërbim, përkatësi dhe mision: këto janë tre aspektet themelore, të cilat duhet t'i mbajnë mend mirë ata që punojnë në Kishë. Papa Leoni XIV ua kujtoi punonjësve të Konferencës Ipeshkvnore Italiane (CEI), të cilët u pritën në audiencë sot, 2 maj, së bashku me familjet e tyre. Të pranishëm, edhe   presidenti e sekretari i përgjithshëm i CEI-t, Kardinali Matteo Zuppi si dhe Imzot Giuseppe Baturi.

Në Sallën e Bekimit, në Vatikan, përplot me më se tetëqind vetë, Papa shprehu mirënjohjen për "angazhimin delikat" kryer nga të pranishmit në jetën e tyre të përditshme dhe nënvizoi rëndësinë e punës me durim e përkushtim, duke u kujdesur edhe për mjediset e punës.

Janë gjëra të thjeshta, por i shërbejnë të mirës së të gjithëve e janë gjëra të mëdha para Zotit. Në jetën e Kishës asgjë nuk është e vogël, nëse bëhet me fe, dashuri e shpirt bashkimi.

Për një ind kishtar kompakt

Zyrat e CEI-t, vazhdoi Ipeshkvi i Romës, nuk janë thjesht struktura, por më shumë mjete që i ndihmojnë Kishat në Itali të jenë në bashkim, të endura në një strukturë kishtare kompakte.

I juaji është "shërbim që i bëhet shërbimit", vepër që mbështet vepra të tjera,  angazhim që mundëson kontributin e shumë njerëzve, bashkëpunim që ndihmon Kishat lokale të shpallin Lajmin e Mirë, të ecin së bashku dhe të jenë prani e gjallë e Zotit, në këtë vend dhe në botë.

Jo thjesht funksione, por pjesëmarrje aktive

Qendra e këtij shërbimi, thekson Leoni XIV, nuk janë individët, zyrat apo programet, por Zoti, në të cilin "çdo aktivitet gjen kuptim".

Në Kishë, shërbimi nuk është thjesht kryerja e një funksioni, por pjesëmarrja aktive, si anëtarë, në jetën e një trupi, koka e të cilit është Zoti.

Rëndësia e një ndjenje përkatësie

Prej këndej, ftesa e Papës për një ndjenjë përkatësie:

Nusja e Krishtit nuk mund të shërbehet si spektatore, por vetëm me dashurinë e atyre që e dinë se i përkasin asaj, në një lidhje besimi dhe bashkësie që, para së gjithash, është dhuratë hiri, dhuratë nga Zoti.

Një epokë ndryshimesh të mëdha

Vetëm kështu detyrat e përditshme bëhen mënyrë për t'i "dhënë formë Ungjillit" dhe për të promovuar "unitetin e paqen, me durim dhe përvujtëri". Së fundmi, Leoni XIV e ktheu vëmendjen e tij te misioni, "dimension themelor i jetës së popullit të Zotit", veçanërisht në një moment historik ndryshimi të madh:

Jetojmë në një epokë ndryshimesh të thella, në familje, në shkolla, në punë, në komunikim, në pjesëmarrjen shoqërore, në transmetimin e fesë, madje edhe në Itali.

Themeli i misionit

Por Kisha, theksoi ende Papa, "ekziston për të shpallur Krishtin, duke ndërtuar ura, duke krijuar lidhje, duke i ofruar mirëseardhje dhe ndihmë  kujtdo që ka nevojë për mbështetje, dëgjim e dashuri". Prandaj, mandati që u është besuar të pranishmëve:

Zoti na kërkon të mos mbyllemi në vetvete dhe të mos kemi frikë, por përkundrazi të shpenzohemi bujarisht në mënyrë që Ungjilli të arrijë dhe të ndriçojë çdo grua e çdo burrë sot, me vështirësitë, pyetjet dhe shpresat e tyre (krahaso Koncilin II të Vatikanit, Kushtetuta Baritore Gaudium et Spes, 1), në mënyrë që të gjithë "të shpëtohen dhe të vijnë në njohjen e së vërtetës" (1 Tim 2:4).

Së fundmi, Leoni XIV ua besoi rrugën e Konferencës Ipeshkvnore Italiane dhe të Kishave lokale, Shenjtorëve Françesku i Asizit dhe Katerina e Sienës, pajtorët e vendit.

02 maj 2026, 16:02