Kërko

Nga vizita baritore e Leonit XIV në Pompei, 8 maj 2026 Nga vizita baritore e Leonit XIV në Pompei, 8 maj 2026

Papa në Pompei: Zoti e zbuttë urrejtjen vëllavrasëse dhe ndriçoftë udhëheqësit botërorë

Ndërsa kremtoi Meshën në qytetin italian të Pompeit, Papa Leoni XIV kujtoi luftërat e shumta që kanë plagosur shtete dhe popuj të ndryshëm dhe u lut që mëshira e pakufishme e Zotit të mbushë zemrat dhe botën tonë me paqe.

R.Sh. / Vatikan

Papa Leoni XIV po e kremton përvjetorin e parë të papnisë së tij, sot, më 8 maj, me një vizitë në qytetet jugore italiane të Pompeit dhe Napolit.

Papa kremtoi Meshën në sheshin përpara Shenjtërores së Zojës së Rruzares dhe kujtoi se u zgjodh Papë pikërisht në Festën e Zojës së Rruzares së Pompeit.

"Prandaj më duhej të vija këtu, për t’ia kushtuar shërbimin tim mbrojtjes së Virgjërës së Bekuar," u shpreh Ati i Shenjtë në predikimin e tij. "Për më tepër, zgjedhja e emrit «Leon» më çoi nëpër gjurmët e Leonit XIII, meritat e shumta të të cilit kanë të bëjnë edhe me zhvillimin e një Magjisteri të gjerë rreth Rruzares së Shenjtë."

Papa Leoni reflektoi pastaj mbi trashëgiminë e Shën Bartolo Longos dhe gruas së tij, konteshës Marianna Farnararo De Fusco, të cilët së bashku hodhën themelet e Shenjtërores te këmbët e malit të vullkanit të Vezuvit, aty ku në lashtësi, llava pati shkatërruar dy qytete në vitin 79 pas Krishtit.

  (@Vatican Media)

Mes tjerash, Papa kujtoi fjalët e paraardhësit të tij, Shën Gjon Palit II, në Shenjtëroren e Pompeit në vitin 2003, në fund të atij Viti të Rruzares.

"Sot, ashtu si në kohën e Pompeit të lashtë", tha Papa Leoni që përsëriti fjalët e Gjon Palit II, "është e nevojshme të shpallim Krishtin në një shoqëri që po largohet nga vlerat e krishtera dhe madje po e bjerrë edhe kujtimin e tyre".

Duke iu referuar misterit të Lajmërimit, Ati i Shenjtë vuri në dukje se lutja "Të falemi Mëri" është ftesë për galdim, pasi fjalët e Kryengjëllit Gabriel i kujtuan Marisë se përkëdhelja e mëshirës së Zotit vjen nëpërmjet Jezusit në botën tonë të plagosur nga mëkati.

Virgjëra e Bekuar Mari, shtoi ai, e udhëheq Kishën përgjatë rrugës për të mirëpritur Jezusin, ndërsa me përgjigjen e saj Kryengjëllit Gabriel "Ja ku jam" ajo solli në jetë si Jezusin ashtu edhe Kishën.

“Ky çast në histori ka një ëmbëlsi dhe një fuqi që e tërheq zemrën dhe e ngre atë në atë lartësi kundrimtare ku lutja e Rruzares së Shenjtë zë rrënjë”, tha ai, duke kujtuar se lutja e Rruzares është e rrënjosur te historia e shpëtimit.

  (@Vatican Media)

Kur lutemi me Rruzaren, tha ai, ne e ripërtërijmë dashurinë tonë për Zotin, ndërsa të gjitha veprat e dashurisë ndaj Zojës Sonë na çojnë “përsëri te Jezusi dhe na sjellin te Eukaristia, e cila është burimi dhe kulmi i gjithë jetës së krishterë”.

“Rruzarja ka trajtë mariane, por ka një zemër kristologjike dhe eukaristike”, nënvizoi Papa Leoni gjatë homelisë së tij, duke kujtuar se shumë breza të krishterësh janë formuar  me Rruzaren.

Lutja e Rruzares, shtoi Papa, ka aftësinë të arrijë në lartësi mistike, sepse përmban në vetvete një thesar të teologjisë më thelbësore të krishterë.

“Çka është më thelbësore se misteret e Krishtit, sesa Emri i Tij i shenjtë, i shqiptuar me butësinë e Virgjërës Nënë?” pyeti Papa. “Është me këtë Emër, dhe me asnjë tjetër, që ne mund të shpëtojmë”.

Në vijim, Papa Leoni XIV nënvizoi  se Rruzarja i orienton zemrat tona drejt nevojave të botës, veçanërisht rëndësisë së familjes dhe dëshirës për paqe.

  (@Vatican Media)

Ati i Shenjtë kujtoi luftërat e shumta që ende zhvillohen nëpër rruzullin tonë, duke thënë se ato kërkojnë një angazhim të ripërtërirë, i cili është politik, ekonomik, si dhe shpirtëror dhe fetar.

"Paqja lind brenda zemrës", tha Papa. "Nuk mund t'i dorëzohemi pamjeve të vdekjes që lajmet na përcjellin çdo ditë".

Leoni XIV i ftoi të gjithë të thonë Rruzaren për paqe, në mënyrë që fuqia hyjnore e dashurisë së Zotit të shpëtojë botën.

"Nëpërmjet ndërmjetësimit të [Marisë]", tha ai, "le të vijë nga Zoti i paqes një valë e madhe mëshire hyjnore, që prek zemrat, zbut pakënaqësinë dhe urrejtjen vëllavrasëse dhe ndriçon ata që mbajnë përgjegjësi të veçanta për qeverisjen e shteteve.

08 maj 2026, 11:35