Papa: ne nuk jemi algoritme, të ndihmohen të rinjtë të gjejnë veten dhe të tjerët
R.SH. / Vatikan
I gjithë vështrimi i Papës është i përqendruar te të rinjtë, shumë prej të cilëve “zotërojnë mjete teknologjike gjithnjë e më të sofistikuara”, por “kanë edhe vështirësi të gjejnë një kuptimin për të jetuar, për të shpresuar, për të dashuruar e madje edhe për të vuajtur”. Papa Leoni XIV ndan reflektimet e tij me pjesëmarrësit në takimin "Hartat e shpresës për një axhendë edukative rajonale. Shëndeti mendor, teknologjitë dixhitale dhe arsimi”, aktivitet i mbajtur në Casina Pio IV, në Kopshtet e Vatikanit, organizuar nga Dikasteri për Kulturë dhe Arsim, Komisioni Papnor për Amerikën Latine dhe Organizata e Shteteve Ibero-Amerikane për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (OEI). Pas shumë vështirësive, vetmive dhe brishtësive psikologjike, shpesh fshihet një pyetje e heshtur: a ka kuptim jeta ime? A ka shpresë të besueshme për të ardhmen?
Lartoje shikimin drejt qiellit
Papa foli përmes figurave, gjatë fjalimit të tij në spanjisht: para së gjithash, figurave të pëlhurave punuar me dorë të cilat, "me fijet e tyre të shumta dhe ngjyrat intensive, na mësojnë se asnjë fije e vetme nuk është e mjaftueshme për të krijuar disenjon", por "vetëm endja e duruar krijon bukuri e rezistencë". Çdo fije ruan ngjyrën e vet, por fiton kuptim brenda një pëlhure më të madhe! E "edhe arsimi", theksoi Papa Leoni, "është i thirrur sot të rizbulojë veten në këtë mënyrë: jo si ndërtim i individualizmave të izoluara, as si transmetim i thjeshtë i aftësive, por si art i endjes së bashkimit".
Figura tjetër që Papa e solli në mendje, është ajo e yjësive në qiell, drejt të cilave popujt e lashtë lartonin sytë, duke kërkuar orientim ose duke mësuar të njihnin ritmin e stinëve, kohën e mbjelljes dhe kohën e korrjes. Yjet "na ndihmuan të kuptonim çastin e duhur për të vepruar, duke ruajtur harmoninë ndërmjet njerëzimit, natyrës dhe kohës". "Sot duhet ta lartojmë përsëri shikimin tonë", thotë Papa Leoni XIV, duke cituar letrën e tij apostolike “Vizatimi i hartave të reja të shpresës", e cila na fton fuqimisht "të ndërtojmë një yjësi globale arsimore, në të cilën çdo institucion, çdo kulturë dhe çdo popull mund të ofrojë kontributin e tij unik në ndriçimin e rrugës së njerëzimit".
Çdo kulturë gjen kuptim në vëzhgimin e yjësive. Çdo kulturë është e thirrur të bashkëpunojë në hartimin e një rruge të përbashkët, duke zhvilluar vetëdijen e përkatësisë në një familje të vetme njerëzore.
Dëshirë, jo algoritëm
"Ndërgjegjësimi për këtë trashëgimi të madhe kulturore mund të na ndihmojë të përballojmë një nga format më të mëdha të varfërisë së kohës sonë: humbjen e yjësive të brendshme", vërejti Papa. Shqetësimi i tij drejtohet kryesisht tek fakti se "qeniet njerëzore shpesh reduktohen në rendiment, konsum ose statistika" e kështu "në mënyrë të pashmangshme, shkaktojnë vuajtje të thella të brendshme".
Çështja e shëndetit mendor
Duke menduar ende për brezat e rinj, Papa Leoni vëren: "Shumë të rinj sot jetojnë nën zgjedhën e pritjeve dhe të shërbimit, të zhytur në një konkurrencë të acaruar, që krijon ankth e frikë se nuk janë në nivelin e duhur, e çorientohen". Për këtë arsye, këmbëngul: "nuk mund ta trajtojmë çështjen e shëndetit mendor vetëm si një çështje klinike ose teknike".
Pa dyshim, kontributet e shkencës, psikologjisë, mjekësisë dhe neuroshkencës janë të domosdoshme. Por ne gjithashtu besojmë se njeriu mund të jetojë në mënyrë autentike - dhe të kapërcejë shumë dobësi të brendshme - brenda një horizonti kuptimi.
Kur ky horizont "errësohet", vëren Leoni XIV, "boshllëku i brendshëm, izolimi dhe dëshpërimi rriten". E, megjithatë, "njeriu zbulon se jeta e tij ose e saj ka vlerë, se ajo ose ai është i dashur, i pritur dhe i thirrur për një qëllim në botë, e atëherë lind shpresa". E shpresa “nuk është iluzion naiv”, na siguron Papa; “është forcë shpirtërore që mbështet jetën, edhe në çastet më të vështira”.
