Kërko

Papa bekon anëtarët e Ripërtëritjes Karizmatike Katolike Papa bekon anëtarët e Ripërtëritjes Karizmatike Katolike

Papa: në një botë gjithnjë e më të shekullarizuar, të jemi shenjë e rilindjes shpirtërore

Në fjalimin e tij drejtuar anëtarëve të Përtëritjes Karizmatike Katolike, Leoni XIV kujton rëndësinë e një bamirësie ndaj të shtypurve që nuk i dorëzohet kurrë dëshirës për vetëaffirmim. Papa nxit që të lejohet frymëzimi nga Shpirti Shenjt për ta parë Zotin jo si një "ide të thjeshtë", por si "shprehje reale dhe përfundimtare përfundimtare të përsosmërisë atërore".

R.SH. / Vatikan

Përballë shekullarizimit në rritje të shoqërisë së sotme, të ripërtëritësh ekzistencën, do të thotë zgjim brenda vetes i "një aftësie të re për të dashur". Bamirësi që buron e rrjedh si "rrymë hiri" drejt të shtypurve nga një ndjenjë boshllëku e vetmie; bamirësi që nuk devijohet nga dëshira për vetë-afirmim ose nga ndjekja e pushtetit, sepse është e frymëzuar nga Shpirti Shenjt, i cili e bën Zotin jo më  "ide të thjeshtë", por "shprehje reale dhe përfundimtare të atësisë". Kështu i interpretoi Papa Leoni XIV virtytet e Ripërtëritjes Karizmatike Katolike - lëvizje hiri e lindur në Itali në fund të vitit 1971, brenda kuadrit të lëvizjes që lindi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1967 dhe më pas u përhap në të gjithë botën - ndërsa priti anëtarët e saj në Sallën Pali VI sot, më 30 maj.

Zoti i ka bekuar vërtet bashkësitë tuaja me shumë dhurata, ndërmjet të cilave,  vitalitet të madh shpirtëror.

Falënderim organizatorëve

Papa i falënderoi udhëheqësit e Shërbimeve kombëtare e ndërkombëtare të Bashkimit të Shërbimit Ndërkombëtar të Ripërtëritjes Karizmatike Katolike (CHARIS), organizatorë të takimit, duke kujtuar zhvillimin e lëvizjes pas Koncilit II të Vatikanit si "kohë zgjerimi dhe rritjeje të madhe, integrimi në jetën e Kishës dhe konsolidimi i strukturave tuaja të shërbimit".

"Si mund të mos ungjillëzojmë?"

Papa Leoni XIV, më pas, kujtoi fjalët që paraardhësit e tij i kushtuan Ripërtëritjes Karizmatike Katolike. Papa Shën Pali VI - kujtoi - pohoi se asgjë nuk është më e nevojshme, në një botë gjithnjë e më të shekullarizuar, sesa dëshmia e risisë shpirtërore sjellë nga Shpirti Shenjt në rajonet dhe komunitetet më të larmishme. Papa Shën Gjon Pali II, megjithatë, ndalet tek karakteristika e vëmendjes së lëvizjes në ungjillëzim.

Si mund të qëndrojë i heshtur dhe joaktiv dikush, që shijoi mirësinë e Krishtit? Krishti është Shëlbuesi ynë; si mund të mos ungjillëzojmë? Vazhdoni ta komunikoni këtë zell për Ungjillin tek ata përreth jush!

Rëndësia e karizmave të Shpirtit

Ndërkaq Papa Benedikti XVI thekson kontributin specifik të lëvizjes në jetën kishtare, duke theksuar "rëndësinë" që e kanë në të "karizmat ose dhuratat e Shpirtit Shenjt", e duke kujtuar rëndësinë e tyre për të gjithë bashkësinë kishtare. Papa Françesku, duke parafrazuar Kardinalin Suenens në fillimet e lëvizjes, e përcaktoi Ripërtëritjen Karizmatike Katolike "rrymë hiri", duke treguar rrugën e saj në "ungjillëzim, ekumenizëm shpirtëror, kujdes për të varfrit dhe nevojtarët e pranimin e të pastrehëve". "Dhe e gjithë kjo, mbi bazën e adhurimit! Themeli i ripërtëritjes është adhurimi i Zotit!".

Pagëzimi në Shpirt

Papa Leoni u përqendrua në disa aspekte kyçe të Ripërtëritjes Karizmatike Katolike, duke nisur me pagëzimin në Shpirt, origjinë e udhëtimit të përbashkët të fesë, "i cili lejoi që hiri i Pagëzimit të bëhet efektiv në secilin prej jush, e duke ju çuar në një vetëdije të qartë të dashurisë së Zotit"- theksoi. Kjo përvojë e preku edhe Shën Augustinin i cili, në Rrëfimet e tij, shkruan:

Krejt pa pritur u bë e ëmbël për mua heqja dorë nga kënaqësitë e kota! Më parë kisha frikë se do të privohesha prej tyre; tani gëzohesha që e privoja veten prej tyre. Ti, ëmbëlsia e vërtetë, supreme, i dëbove ato prej meje, dhe pasi i dëbove, ti hyre në vendin e tyre, më e ëmbël se çdo kënaqësi.

Jetë të ndryshuara

Edhe për çdo anëtar të lëvizjes, vëren Papa Leoni XIV, "jeta ka ndryshuar" falë veprimit të Shpirtit, përmes të cilit "Zoti pushoi së qeni ide e thjeshtë dhe u bë shprehje e vërtetë e përfundimtare e atësisë". Dhuratë që sjell pajtim të brendshëm, paqe e liri nga lidhjet e kësaj bote dhe shtypjet e mëkatit, por mbi të gjitha "vështrim i ri", i hapur dhe plot shpresë ndaj të tjerëve dhe ndaj së ardhmes.

Nga kjo përvojë e Shpirtit Shenjt lind dëshira e brendshme për të qenë dëshmitarë dhe lajmëtarë të dashurisë së tij, duke sjellë ngushëllimin për ata që janë të shtypur nga një ndjenjë boshllëku dhe vetmie.

Ndërmjet dialogut e Shkrimit Shenjt

Takimi me Shpirtin Shenjt gjithashtu lind "një jetë të re lutjeje", theksoi Papa, në formën e "dialogut spontan dhe të sinqertë" me Zotin, duke ia hapur veten adhurimit dhe lavdërimit, elemente karakteristike të takimeve të lëvizjes, të cilat kanë ndihmuar "t'i rizbulojnë ato dhe t'i sjellin përsëri në plan të parë në vitet e fundit". Derdhja e ripërtërirë e Shpirtit çon gjithashtu në një takim "të gjallë" me Shkrimin Shenjt, "duke e bërë atë të jehojë në zemrat e besimtarëve, veçanërisht në Liturgji”.

Shkrimi Shenjt u bë kështu për ju burim i mrekullueshëm ushqimi shpirtëror, që ndriçon e ngushëllon. Është gjithashtu burim dallimi për të udhëhequr zgjedhjet e përditshme dhe i jep substancë lutjes së bashkësisë, duke ju lejuar t'i drejtoheni Zotit me fjalë të frymëzuara nga vetë Zoti.

Lutja për unitet

Shpirti Shenjt, vazhdoi Papa, është edhe burim i bashkimit. Në këtë drejtim kujtoi inkurajimin e Leonit XIII për t’i thënë çdo vit një nëntëshe Shpirtit Shenjt, ndërmjet Ngjitjes së Jezusit në Qiell - e Rrëshajëve, veçanërisht për unitetin e krishterë. Kjo bindje është thellësisht e rrënjosur tek anëtarët e Ripërtëritjes Karizmatike Katolike, të cilët e jetuan se si "uniteti në Kishë është fryt i Shpirtit", i aftë të krijojë harmoni ndërmjet anëtarëve të lëvizjes dhe "me vëllezërit e motrat tona të konfesioneve të tjera të krishtera".

"Një aftësi e ripërtërirë për të dashur"

Papa Leoni XIV u ndal tek një virtyt tjetër: bamirësia. Duke u mbështetur në shkrimet e Shën Augustinit, kujtoi se në De Trinitate, Ipeshkvi i Ipponës pohonte se Shpirti Shenjt "iu dha njeriut dhe e ndezi atë me dashuri për Zotin e të afërmin. Në të vërtetë, njeriu nuk mund të ketë dashuri për Zotin, nëse nuk i është dhënë nga Zoti". "Prania e Tij zgjon aftësi të ripërtërirë për të dashur", të frymëzuar nga vetë bamirësia hyjnore. Duke kujtuar veprat e shumta të lindura nga Ripërtëritja Karizmatike Katolike për të mirën e atyre që kanë nevojë në trup dhe shpirt, Leoni XIV na fton ta mbajmë gjallë këtë dashuri, duke na lënë inkurajimin e fundit:

Vihuni në shërbim të dioqezave dhe famullive tuaja, duke u ofruar përvojën dhe metodat tuaja të ungjillëzimit. Ndiqeni me besnikëri udhëzimin e priftërinjve tuaj; e, në gjykimin e komunitar, dëgjoni zërat e njerëzve të mençur, edhe nëse ata nuk i përkasin grupeve tuaja. Kultivoni harmoninë dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve të cilave u përkisni, duke u kujdesur që të mos i dorëzoheni kurrë dëshirës për vetë-afirmimin ose ndjekjes së pushtetit a të prestigjit personal.

30 maj 2026, 12:09