Kërko

Papa në Napoli: mes pabarazisë dhe dhunës, Kisha qoftë prani konkrete

Në "qytetin e një mijë ngjyrave", Leoni XIV takohet me klerin në katedralen e Zojës së Madhe. I inkurajon meshtarët e rregulltarët të promovojnë "përshpirtërinë popullore spontane dhe të gjallë" për t’i bërë ballë dhunës, papunësisë së të rinjve dhe braktisjes së shkollës. Kisha, shton ai, nuk duhet të kufizohet vetëm në përjetimin e "ndonjë ngjarjeje emocionale", por të frymëzohet nga gëzimi i napoletanëve, që Papa dëshiron t'i ngjitet edhe atij vetë

R.Sh. / Vatikani

Pasditen e sotme, Papa Leoni XIV e kaloi në Napoli, ku në orën 15.45, u takua me klerin e me rregulltarët. Pas pritjes në katedralen e Napolit kushtuar Shën Marisë së Ngjitur në Qiell, Papa Leoni iu drejtua kryeipeshkvit të Napolit, kardinalit Domenico Battaglia, autoriteteve vendase, kapitullit të përgjithshëm, klerit, të shuguruarve dhe besimtarëve të pranishëm.

«Është një gëzim i madh për mua të vizitoj këtë qytet, kaq të pasur me art dhe kulturë, në zemër të Mesdheut, ku banon një popull tepër i posaçëm dhe i hareshëm». Kështu u shpreh Papa Leoni XIV duke vënë në dukje cilësitë kryesore të napoletanëve, që janë hareja në jetën e përditshme madje edhe atëherë kur gjërat janë pisk. Më tej, Papa nënvizoi se pikërisht kjo cilësi e napoletanëve i kishte rënë në sy edhe Papa Françeskut, i cili edhe ai pati pohuar kur vizitoi këtë qytet se «Jeta në Napoli nuk ka qenë kurrë e lehtë, por nuk ka qenë kurrë e trishtuar! Ky është burimi juaj i madh – gëzimi, gëzimi»

  (@Vatican Media)

Si dishepujt e Emausit

Pikërisht në këtë frymë gëzimi dhe hareje, Ati i Shenjtë Leoni XIV tha se dëshironte të ndalej për një hop tek disa fjalë të Ungjillit, pikërisht tek historia e dy dishepujve që po shkojnë rrugës për në Emmaus dhe Krishti vjen e u bashkohet në atë copë rrugë (Luka, 24.)

«Ka një fjalë që më kumbon në zemër kur dëgjoj historinë ungjillore të dy dishepujve në rrugën për në Emmaus: fjala "kujdes". Ashtu si ata dy dishepuj, edhe ne shpesh vazhdojmë udhëtimin tonë pa qenë në gjendje të interpretojmë shenjat e historisë. Ndonjëherë, na lëshon zemra dhe jemi të zhgënjyer nga problemet e pafundme ose nga shpresat tona personale apo baritore që duken të parealizuara. Ndihemi të trishtuar dhe të hidhëruar në zemrat tona. E prapseprap, Jezusi na rri pranë dhe ecën me ne, duke na shoqëruar drejt një drite të re: ky është qëndrimi i atij që kujdeset për të tjerët.

  (@Vatican Media)

Kujdesi e mospërfillja

Ndërsa e kundërta e kujdesit – vijoi Ati i Shenjtë në fjalën e tij –  është mospërfillja. Kjo mospërfillje nuk ka të bëjë  e nuk është e dukshme vetëm rrugëve apo qosheve të qytetit, apo ambienteve të përbashkëta, por bëhet më dukshme atëherë kur vetë jeta e njerëzve lihet pas dore. Dhe në këtë pikë, Papa nënvizoi se ky qëndrim mospërfillës bëhet më problematik kur ne lëmë pas dore vetë jetën tonë shpirtërore.

Më konkretisht, Papa u ndal, pastaj, te veprimi baritor i pareshtur i të gjithë meshtarëve dhe besimtarëve, në mënyrë që besimi i krishterë, i shpallur dhe i kremtuar gjerësisht, të mos kufizohet vetëm te disa ngjarje emocionale, por të hyjë thellë në të gjitha trajtat e jetës dhe të shoqërisë napoletane, barrë kjo veçanërisht e rëndë për famullitarët dhe klerikët në përgjithësi.

«Ajo që kërkoj nga ju, pra, është kjo: dëgjojeni njëri-tjetrin, ecni së bashku, krijoni një simfoni karizmash dhe shërbesash dhe gjeni kësisoj mënyra për të kaluar nga një shërbesë baritore që thjesht ruan të kaluarën te një shërbesë misionare që e kupton jetën e përditshme të njerëzve.» - tha Ati i Shenjtë.

  (@Vatican Media)

Në fund, Papa ia besoi popullin e Napolit jo vetëm Shën Gjenarit  – aq i dashur për të gjithë napoletanët – por edhe të gjithë shenjtërve që Napoli ka nxjerrë përgjatë shekujve, e në veçanti, Zojës së Ngjitur në Qiell, duke i porositur të gjithë të pranishmit të mos harrojnë se janë pjesë e një dashurie hyjnore që ka filluar para tyre dhe do të vijojë edhe pas tyre.

08 maj 2026, 16:26