Papa në betimin e rojeve zvicerane: “gjesti dëshmon impenjimin për besnikëri”
R.SH. – Vatikan
Në praninë e Papës Leoni XIV, pasditen e sotme, u betuan në Vatikan, 28 rekrutë të rinj të Gardës Zvicerane Papnore. Ceremonia - që kremtohet çdo 6 maj, në nder të 147 rojeve zvicerane, që sakrifikuan jetën për të mbrojtur Papën Klementi VIII, gjatë Plaçkitjes së Romës nga ana e ushtrisë së Karlit V, në vitin 1527 – u mbajt sivjet në Sallën Pali VI, në Vatikan. Rojet e reja u betuan t’i qëndrojnë besnikë, ta mbrojnë e ta nderojnë Atin e Shenjtë, edhe me jetën e tyre.
Papa i përshendeti në fund të ceremonisë, të cilën ai vetë e quajti “të bukur e prekëse”.
“Juve, të dashur të rinj, që bëtë Betimin – u tha ai rekrutëve – ju shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time. Gjesti që bëtë dëshmon impenjimin për besnikëri, të frymëzuar nga entuziazmi rinor dhe të bazuar në besimin në Zotin dhe në dashurinë për Kishën. Po e vë atë nën mbrojtjen e Virgjërës Mari, së bashku me gjithë shërbimin e çmuar të Gardës Papnore Zvicerane”.
Ati i Shenjtë përshëndeti edhe presidentin e Federatës Zvicerane, Guy Parmelin, autoritetet civile e ushtarake dhe familjarët e rojeve, duke u uruar festën të gjithëve.
Kujtojmë se gjatë betimit, kapelani lexon formulën me të cilën roja premton t'i shërbejë me besnikëri Papës dhe pasardhësve të tij, duke iu kushtuar atyre me të gjitha forcat. Çdo roje, i thirrur me emër, i afrohet flamurit, ngre tre gishta (simbol i Trinisë Shenjte) dhe përgjigjet: "Betohem se do të zbatoj katërcipërisht, me besnikëri dhe nderim gjithçka që sapo më është lexuar. Zoti dhe Shenjtorët tanë Pajtorë më ndihmofshin!"
