Kërko

2026.05.08 Visita Pastorale a Pompei

Papa: ndjehem i pari i bekuar që është këtu, në Pompei

Nga vizita baritore në Shenjtëroren mariane të qytetit kampan, sot, 8 maj, përvjetori i parë i zgjedhjes së tij dhe dita e vitit në të cilën thuhet lutja drejtuar Marisë, kompozuar nga Shën Bartolo Longo, Papa, së bashku me besimtarët, shprehu gëzimin e ndjerë "nga bekimet që Zoti deshi t'ua japë të gjithëve sot" e nga mundësia që iu krijua për të thënë Lutjen drejtuar Zojës

R.SH. - Vatikan

Po ndjehem i pari i bekuar që mund të vijë këtu në Shenjtëroren e Zojës, në ditën e Lutjes, në këtë përvjetor.

Pas takimit me të ftuarit e institucioneve bamirëse të Shenjtores, Leoni XIV ngjitet në papamobilin e vogël, të përgatitur për të, pasi përqafohet nga besimtarët e Pompeit. Janë mijëra prej tyre, të shpërndarë kryesisht në Piazza Bartolo Longo, e jo vetëm. Ndërmjet vendeve dhe hapësirës në këmbë, ka më shumë se pesë mijë vende. Këtu nuk përfshihen as ata që, në një mënyrë a në një tjetër, kaluan nëpër rrugët përreth. Gjithsej njëzet mijë vetë, sipas të dhënave nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë. Papa përshkon udhët: Via Roma, Via San Michele dhe Piazza Schettini. Këtu, është vendosur një ekran i madh, ndërsa përpara tij, të paktën një mijë vende të tjera për audiencën. Ngrohtësia proverbiale e besimtarëve të Kampanjës shprehet në mënyrat më fantastike. Të gjithë duan ta përshëndesin Papën, t'i japin diçka, t'i tregojnë një mesazh, madje edhe t'i tërheqin vëmendjen për një çast të vetëm!

  (@Vatican Media)

Lutja në kapelën e themeluesit të Pompeit

Në Sheshin Bartolo Longo, para se të hyjë në Shenjtore, Papa u drejton besimtarëve një fjalim të improvizuar. I falënderon për praninë e tyre dhe i fton ta ndjejnë veten të mirëpritur nga dashuria amtare e Marisë.

Në këtë Shenjtore e dimë mirëfilli se nëna është gjithnjë me ne! Nëna jonë Mari na shoqëron me ndërmjetësimin e saj, me dashurinë e saj, gjithnjë me bijtë e saj. Me këtë besim, do të lutemi së bashku dhe do të kremtojmë gëzimin e dishepujve të pagëzuar të Jezu Krishtit, të gjithë të thirrur për të qenë prania e Krishtit në botë.

Pastaj Papa hyri në Bazilikën Mariane për një takim të shkurtër me rreth 400 të sëmurë, të paaftë e të moshuar. I la mënjanë përgatitjet e tij njëditore dhe foli rishtas pa letër. Leoni XIV shikoi përsëri përtej reve të ulëta dhe erërave të ngarkuara me shi, të cilat kanë goditur Pompein që nga orët e para të mëngjesit. Për të, është  "ditë e bukur", ditë, në të cilën Zoti ka vendosur t'u dhurojë bekime të gjithëve.

  (@Vatican Media)

Pranë, në Krishtin

Papa është gati të largohet, për t`u drejtuar drejt kapelës kushtuar Shën Bartolo Longos, por Eukaristia dhe përshpirtëria e Shenjtërores e sigurojnë se sot të gjithë janë pranë e pranë, vëllezër dhe motra në Krishtin.

Mund të na ndiqni nga këtu, në ekranet tuaja. Jemi të gjithë të bashkuar në Jezu Krishtin, në nënën tonë Mari, në këtë bekim të bukur, në këtë ditë të këndshme, kur edhe sot Jezusi është pranë nesh: Jezusi, që është gjithmonë me ne, që ecën me ne. Zoti ju bekoftë të gjithëve.

E Papa i bekon, përpara se të kalojë një çast lutjeje në kapelën e Themeluesit të Shenjtores së Pompeit, të cilin vetë Leoni XIV e kanonizoi më 19 tetorin e kaluar.

Pastaj, në Kapelën e Pajtimit, ku dhjetëra rrëfyestore rreshtohen përgjatë mureve, i përshëndet ipeshkvijtë dhe priftërinjtë. E kështu Papa arrin tek altari, nga i cili do të kryesojë Meshën.

Ndërkohë dielli e gris mbulesën e dendur të reve: tani është vërtet "ditë e bukur".

08 maj 2026, 11:21