Papa: mospërfillja kundrejt pamjeve të luftës është sot ndër sfidat shpirtërore më serioze
R.Sh. Vatikan
Ra'fa: Ky është termi që tradita myslimane i mvesh dhembshurisë në zemrat e besimtarëve, si hir të dhuruar nga Zoti. Kjo afërsi, në traditën e krishterë, e ka zanafillën e saj te Zoti, i cili i tha Moisiut: "Kam parë mjerimin e popullit tim... dëgjova britmën e tij". Kjo vlerë sot rrezikon të zhduket, sepse është mbytur në një rrjedhë të vazhdueshme imazhesh dhe videosh të vuajtjeve të të tjerëve që "mund të na i ngurtësojnë zemrat në vend që t'i prekin". Kjo mospërfillje kundrejt këtyre pamjeve po bëhet "një nga sfidat më serioze shpirtërore të kohës sonë". Kështu paralajmëroi Papa Leoni XIV në përshëndetjen e tij drejtuar pjesëmarrësve në Bisedën e organizuar nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar dhe Royal Institute for Inter-faith Studies – Instituti Mbretëror për Studimet Ndërfetare, me seli në Jordani, të cilët u pritën sot paradite, më 11 maj, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik të Vatikanit.
Dhembshuria dhe empatia: "qëndrime thelbësore"
Mes të pranishmëve, Papa iu drejtua Hassan bin Talal-it, princ trashëgimtar i Jordanisë nga viti 1965 deri në vitin 1999 dhe pajtor i këtij instituti mbretëror, i cili promovon studime ndërdisiplinore rreth çështjeve ndërkulturore dhe ndërfetare, me qëllim zbutjen e fërkimeve dhe mbështetjen e paqes kudo nëpër botë.
Duke u përqendruar tek tema e zgjedhur për edicionin e tetë të kësaj Bisede të hapur (Kolokiumi) "Dhembshuria dhe empatia njerëzore në kohët moderne", Papa i identifikon këto dy virtyte si "qëndrime thelbësore" të traditave myslimane dhe të krishtera, si dhe "aspekte themelore të një jetë njerëzore në çdo kuptim".
Afërsia ndërmjet traditës së krishterë dhe asaj myslimane
Fjala «Ra'fa» është e pranishme edhe në një nga emrat hyjnorë të fesë islame, «al-Ra'uf», vërejti Leoni XIV në përshëndetjen e tij, shenjë kjo se dhembshuria "gjithmonë e ka zanafillnë e saj te vetë Hyu".
Në Jezu Krishtin, kjo dhembshuri hyjnore bëhet e dukshme dhe e prekshme. Zoti shkon përtej shikimit dhe dëgjimit, duke marrë natyrën tonë njerëzore për t'u bërë mishërimi i gjallë i dhembshurisë.
Duke ndjekur shembullin e Krishtit, pra, afërsia e krishterë përkthehet në pjesëmarrje aktive në vuajtjet e të tjerëve: vuajtje "me" të tjerët, veçanërisht me më të lënduarit. Ky është edhe një koncept që Leoni XIV e ka shqyrtuar në Nxitjen e tij apostolike «Dilexi te»:
Dashuria për ata që janë të varfër – në çfarëdo trajte që të shfaqet kjo varfëri–
është garancia ungjillore e një Kishe që i rri besnike zemrës së Zotit.
Si zbatohet në shoqërinë tonë dhembshuria
Prandaj, sipas traditës së krishterë dhe asaj myslimane, dhembshuria dhe empatia nuk janë diçka "shtesë ose opsionale", por një "thirrje nga Zoti për të pasqyruar mirësinë e tij në jetën tonë të përditshme".
Kjo bindje nënkupton edhe një qëndrim të caktuar brenda shoqërisë, siç ka nënvizuar Leoni XIII në Letrën e tij Enciklike «Rerum Novarum», kur bën thirrje për vëmendje dhe mbështetje të veçantë nga shoqëria dhe shteti për të varfrit dhe të mënjanuarit:
Në lidhje me këtë synim, dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për përpjekjet bujare të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë në pritjen e refugjatëve dhe ndihmën dhënë atyre që kanë nevojë në rrethana të vështira.
Mospërfillja, një sfidë për kohën që po përjetojmë
Sidoqoftë, virtyte me shumë peshë rrezikojnë të zhduken sot. Përparimet në teknologji i kanë lehtësuar lidhjet mes njerëzve, "por ato gjithashtu mund të na çojnë drejt mospërfilljes".
Rrjedha e vazhdueshme e pamjeve dhe e videove të vuajtjeve të të tjerëve mund t'i ngurtësojë zemrat tona në vend që t'i prekë ato.
Qysh në homelinë e tij gjatë Meshës në Lampeduzë, më 8 korrik 2013, Papa Françesku e pati denoncuar këtë prirje për t'u mësuar me vuajtjet e të tjerëve, që ne shprehim me fjalët: "Nuk na përket, nuk na intereson, nuk është puna jonë".
Kjo lloj mospërfilljeje po bëhet një nga sfidat më serioze shpirtërore të kohës sonë.
"Të gjallërohen tiparet njerëzore aty ku janë ftohur"
Në këtë kontekst, të krishterët dhe myslimanët janë të thirrur të shfrytëzojnë pasuritë e tyre shpirtërore duke ndërmarrë një mision të përbashkët:
Duhet gjallëruar njerëzimi aty ku është ftohur, duke u dhënë zë atyre që vuajnë dhe duke e shndërruar shpërfilljen në solidaritet.
Ky vrull mund të marrë krahë nga dhembshuria dhe empatia, si mjetet më efikase për t’ua "kthyer dinjitetin të tjerëve".
Jordania le të mbesë si shenjë e dhembshurisë
Në përfundim të fjalimit të vet, Leoni XIV uroi që Jordania të vazhdojë ta shfaqë këtë afërsi, duke mbetur një shenjë dialogu, solidariteti dhe shprese "në vise të sprovuara rëndë nga vuajtet".
Bashkëpunimi ynë dhashtë fryte në gjeste konkrete paqeje, empatie dhe vëllazërimi. – tha Papa në mbyllje.
