Kërko

2026.05.06 Il Papa videochiama un gruppo di sacerdoti del sud del Libano

Papa lidhet në video me meshtarët e Libanit jugor: jam pranë jush

Gjatë audiencës së sotme me nuncin në Bejrut, kryeipeshkvin Paolo Borgia, Leoni XIV u lidh në video një duzinë meshtarësh nga rajonet jugore të vendit për t'i përshëndetur, për t’i inkurajuar dhe për t'i siguruar se lutet për ta, me shpresën e paqes. Një meshtar: "Ishte psherëtimë shprese dhe besimi"

R.SH. – Vatikan

         Pak minuta, përshëndetje dhe buzëqeshje, plot habi (megjithëse disa e kishin marrë me mend), një duzinë a më shumë fytyra meshtarësh nga fshatrat e Libanit jugor, në kufi me Izraelin, të rraskapitur nga bombardimet, ndërsa në qendër të ekranit, Papa, i cili i inkurajoi, "për ç’po bëjnë", i siguroi për "lutjet e tij" dhe u dha bekimin apostolik. Një surprizë e këndshme, rreth orës 9.45 të paradites së sotme, 6 maj, për grupin e famullitarëve nga jugu i Vendit të Kedrave, në Blue Line, të cilët u lidhën në video-telefonatë me Leonin XIV.

Inkurajim dhe afërsi

Siç njoftuan vetë priftërinjtë, lidhja u realizua gjatë audiencës së sotme të Papës në Pallatin Apostolik të Vatikanit me nuncin Paolo Borgia, i cili prej muajsh po punon në ato zona kufitare, së bashku me organizata të ndryshme bamirëse, për të çuar ndihma, por edhe një fjalë ngushëllimi dhe afërsie nga ana e Kishës dhe e Papës. Kjo afërsi u bë edhe më konkrete - megjithëse virtualisht - me video-thirrjen e Leonit XIV, i cili e vizitoi Libanin në dhjetor 2025, në udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar, duke vazhduar ta ndjekë nga afër situatën, edhe më pas.

Një psherëtimë shprese

Dje, nunci u kërkoi meshtarëve të krijonin një grup në “Blue Line”, të emërtuar "Priftërinjtë e Jugut", si edhe të ishin gati rreth orës 9.30-9,45 të ditës së sotme për një përshëndetje prej tij - domethënë, të vetë Borgia-s - nga Roma.

Disa nga meshtarët shpresuan për surprizën e mundshme, si atë Toni Elias, famullitar i Rmeish, fshat i ndarë nga Izraeli vetëm nga një pyll. "Ishte bukur", pohoi ai për mediat e Vatikanit, "Papa na inkurajoi, na tha se lutet për ne, se na mbështet dhe na dha bekimin, me shpresën që të arrihet paqja së shpejti". Lidhja zgjati vetëm disa minuta, por, siguroi atë Toni, "ishte një psherëtimë shprese dhe besimi, që na duhej".

Ai shprehu mirënjohjen jo vetëm për Papën, por edhe për nuncin Borgia, që tregon kujdes të veçantë ndaj klerit të Jugut: "Ai vetë sjell ndihma, përmes rrezikut, përmes rrugëve të bombarduara e shtëpive të shkatërruara", tregoi atë Elias. "Unë shoh tek ai misionin e shenjtit të tij pajtor, të Shën Palit".

06 maj 2026, 15:14