2026.05.28 Vescovi della Conferenza Episcopale Italiana

Papa Leoni XIV ipeshkvijve italianë: “Kisha nuk matet me numra, por me dëshminë e fesë”

Në takimin me Konferencën Ipeshkvnore Italiane në Sallën e Sinodit, Papa Leoni XIV e ftoi Kishën të rizbulojë qendërsinë e Ungjillit, dëgjimin sinodal dhe afërsinë me të rinjtë, të varfrit dhe familjet, duke kujtuar se forca e saj nuk qëndron te numrat, por te dëshmia e gjallë e fesë

R.SH. - Vatikan

Në Sallën e Sinodit, në Vatikan, Papa Leoni XIV takoi sot paradite (28 maj) ipeshkvijtë e Konferencës Ipeshkvnore Italiane, mbledhur në asamblenë e tyre të 82-të të përgjithshme dhe bisedoi me ta për ungjillëzimin, dëgjimin dhe guximin baritor në kohën e sotme. Pas vizitave të tij baritore në Pompei, Napoli dhe Acerra, Ati i Shenjtë foli për një Kishë, që nuk duhet të mbyllet në vetvete, duke vuajtur lodhjen, fragmentimin dhe vetminë e kësaj kohe, por të rizbulojë vështrimin e Krishtit mbi botën dhe mbi njeriun.

Qendërsia e Ungjillit

Tema e parë e reflektimit të Papës ishte qendërsia e Ungjillit. Duke kujtuar sfidat e kohës sonë, problemet shoqërore dhe vështirësitë për t’ua përçuar fenë brezave të rinj, Ati i Shenjtë nënvizoi se Kisha është e thirrur të mos dorëzohet para statistikave apo krizave, por të shohë me sytë e Zotit praninë e etjes së madhe për Hyjin në zemrën e njerëzve.

“Detyra jonë e parë është kjo: ta bëjmë tonin vështrimin e Zotit. Jo të ankohemi vetëm për terrenet, që janë bërtë të shterpëta, ose të ndalemi thjesht në statistika, por të jemi në gjendje të shohim, me sytë e të Ringjallurit, të korrat që vetë Zoti përgatit për ne”.

Papa Leoni XIV theksoi se Ungjilli mbetet burimi i vërtetë i entuziazmit dhe i jetës së Kishës. Për këtë arsye, ai ftoi ipeshkvijtë italianë ta pyesin veten vazhdimisht se cilën fytyrë të Hyjit dëshmojnë përmes predikimit, liturgjisë dhe jetës së bashkësive të tyre.

  (@Vatican Media)

Jeta e bashkësive të krishtera dhe udha sinodale

Një pjesë qendrore e fjalimit të Papës iu kushtua jetës së bashkësive të krishtera dhe udhës sinodale. Ati i Shenjtë nënvizoi rëndësinë e dëgjimit të Fjalës së Hyjit, të Popullit të Hyjit dhe të shenjave të kohës, duke kujtuar se vetëm një Kishë, që dëgjon mund të bëhet vend shoshitjeje për sfidat dhe vend misioni.

“Feja përçohet dhe zhvillohet aty ku ka bashkësi të gjalla dhe mikpritëse, të afta për t’u lutur dhe për të dëgjuar; bashkësi ku Fjala e Zotit nuk lihet mënjanë, por shndrit vendimet, ku Eukaristia është vërtet burim dhe kulm, ku të varfrit nuk janë thjesht njerëz për të marrë ndihma, por vëllezër e motra, nëpërmjet të cilëve na flet Zoti”.

Në këtë kuadër, Papa e quajti udhën sinodale një stil të përhershëm të Kishës, ku pjesëmarrja nuk është thjesht një mundësi organizative, por kërkesë e bashkimit dhe e misionit. Ai kërkoi që strukturat kishtare të jenë gjithnjë e më shumë në shërbim të bashkimit misionar dhe të shpalljes së Ungjillit.

  (@Vatican Media)

Guximi i së domosdoshmes

Së fundi, Papa Leoni XIV foli për guximin e së domosdoshmes. Ati i Shenjtë denoncoi tundimin për ta matur frytshmërinë e Kishës me numra apo ndikim shoqëror, duke kujtuar se forca e saj lind nga vogëlsia ungjillore dhe nga veprimi i Shpirtit Shenjt.

“Të kemi guximin e së domosdoshmes! Guximin e bashkësive më pak të shqetësuara për të ruajtur gjithçka dhe më të lira për të kumtuar Krishtin. Guximin për t’i dëgjuar të rinjtë, pa i zbutur pyetjet e tyre. Guximin për t’i lënë të varfrit të na ungjillëzojnë”.

Në fund të takimit, Ati i Shenjtë ia besoi udhën e Kishës në Itali Virgjërës Mari, Nënës së Kishës, duke i ftuar ipeshkvijtë të qëndrojnë të rrënjosur në Krishtin dhe të ecin së bashku me Popullin e Hyjit, në fe, shpresë dhe bashkim.

28 maj 2026, 11:32