Papa: i shqetësuar për terrorizmin në Sahel, kërkoi fundin e dhunës e arritjen e paqes
R.SH. - Vatikan
Vështrimi dhe toni i zërit të Papës Leoni XIV ndryshuan ndërsa, në fund të Mbretëreshës Qiellore sot, 10 maj, në Sheshin e Shën Pjetrit, pati një mendim për rajonin e Sahelit. Ky rajon është larg vëmendjes së medias, por javët e fundit, në qendër të shkallëzimit të tensioneve dhe të brutalitetit.
I mora me shqetësim lajmet për shtimin e dhunës në rajonin e Sahelit, veçanërisht në Çad dhe Mali, goditur nga sulmet e fundit terroriste.
Në Çad, më se 40 persona vdiqën në dy ditë përleshjesh, që goditën provincën Wadi-Fira, në lindje të vendit, disa javë më parë. Kjo dhunë ka përfshirë një zonë tashmë të prekur nga tensione të thella, duke lënë shumë të plagosur dhe fshatra të shkatërruara. E njëjta gjë vlen edhe për Malin, ku një valë e re sulmesh nga luftëtarët xhihadistë të grupit JNIM, i lidhur me al-Kaedën, shkaktoi vdekjen e të paktën 70 personave ditët e fundit, sipas burimeve lokale dhe forcave të sigurisë. Prandaj dje në mëngjes, kur Papa priti anëtarët e Fondacionit Gjon Pali II për Sahelin, kërkoi drejtësi për popujt e kësaj pjese të Afrikës, si dhe "respekt" e "promovim të dinjitetit të patjetërsueshëm njerëzor" të çdo individi. Këtë të diel, në Sheshin e Shën Pjetrit, para 25,000 besimtarëve, shprehu ankthin, premtoi lutje dhe inkurajoi çdo përpjekje për paqe.
I siguroj lutjet e mia për viktimat dhe afërsinë me të gjithë ata që vuajnë. Shpresoj për fundin e të gjitha formave të dhunës dhe inkurajoj çdo përpjekje për paqe dhe zhvillim në atë tokë të dashur.
Faleminderit Ishujve Kanarie
Papa, më pas, kujtoi popullin e Ishujve Kanarie, me brigjet e tyre të hapura. Në spanjisht u tha "faleminderit" sepse, pasi mirëpritën qindra mijëra emigrantë vitet e fundit, kanarianët treguan edhe një herë ndjenja instiktive solidariteti duke mirëpritur në Tenerife anijen turistike me flamur holandez Hondius, në qendër të shpërthimit më delikat të infeksionit të ri. Infeksioni i ri thuhet se infektoi tetë vetë (pesë prej të cilëve janë konfirmuar nga OBSH) dhe shkaktoi tri vdekje: një çift holandez dhe një grua gjermane. Ndërsa një rrjet kontrollesh është duke u zhvilluar: përfshin Evropën, Afrikën, Amerikat dhe organizatat ndërkombëtare shëndetësore. E ndërsa rasti ngjall fantazmat e epokës Covid-19, Hondius mbërriti në Tenerife para agimit të sotëm, me bankat e portit industrial të Granadilla de Abona të rrethuara me automjete ushtarake në gatishmëri dhe një zinxhir transferimi të projektuar për të parandaluar çdo kontakt me popullsinë lokale.
Nga dritarja e Pallatit Apostolik, Papa i falënderoi ata për "mirëpritjen e ngrohtë" dhe shprehu kënaqësinë që takoi njerëzit e Ishujve Kanarie gjatë udhëtimit të tij në Spanjë nga 6 deri më 12 qershor, me një ndalesë të dyfishtë në Gran Canaria dhe Tenerife.
Dua të falënderoj atmosferën mikpritëse që karakterizon njerëzit e Ishujve Kanarie... Të shpreh edhe mirënjohjen time për pritjen e ngrohtë që karakterizon banorët e Ishujve Kanarie, të cilët e lejuan anijen turistike Hondius të ankorohej me pacientët me Hantavirus në bord. Do të jem i lumtur t'ju takoj muajin tjetër, gjatë vizitës sime në ishuj.
Përshëndetje vëllazërore për Kishën Kopte
Së fundi, Papa kujtoi "Ditën e Miqësisë Kopte-Katolike", një nga përvjetorët më të rëndësishëm të dialogut ekumenik në vitin 2013, saktësisht dyzet vjet pas takimit të Papës Pali VI dhe Patriarkut Kopt Shenouda III në vitin 1973, që festohet çdo 10 maj. Leoni XIV i dërgoi një "përshëndetje vëllazërore" Papës Tawadros II, të cilin ende nuk ka pasur mundësinë ta takojë.
Një mendim i veçantë për të gjitha nënat
Nuk mungon, në fund, në mendimet dhe fjalët e Papës, edhe një "mendim i veçantë" për të gjitha nënat, në festë sot në Itali e edhe në vende të ndryshme të botës. Leoni ia beson të gjitha "ndërmjetësimit të Marisë, Nënës së Jezusit dhe tonës".
Lutemi me dashuri dhe mirënjohje për çdo nënë, veçanërisht për ato që jetojnë në rrethanat më të vështira. Faleminderit! Zoti ju bekoftë!
