Papa: i krishteri nuk është një filantrop, por është ai që kërkon të mirën e tjetrit

Duke përshëndetur anëtarët e Rrethit Kalorësiak të Barcelonës "Circulo Ecuestre", të angazhuar në vepra bamirësie, Papa Leoni XIV u bën thirrje që të mbajnë vështrimin e ngulitur te Krishti, sepse prania e Tij gjendet te njerëzit më të brishtë.

R.SH. / Vatikan

Angazhimi në bamirësi për të krishterin është filli ndërlidhës i përshëndetjes që Papa Leoni XIV u drejton anëtarëve të delegacionit të Rrethit Kalorësiak të Barcelonës, "Circulo Ecuestre", të cilët i priti në audiencë sot paradite, 25 maj, në Vatikan. Një takim ky që vjen në përvjetorin e themelimit të Rrethit Kalorësiak, i lindur në vitin 1856 në qytetin katalanas nga sipërmarrës të angazhuar në fushën shoqërore. Në mesazhin e tij Papa Leoni XIV ndalet te mënyra e jetesës së atij që beson në Zotin.

Çdo besimtar në Krishtin është i thirrur të jetë i hapur ndaj veprimit të Shpirtit Shenjt Zot, në një qëndrim gatishmërie të palodhur për të jetuar dashurinë e krishterë (bamirësinë) – një virtyt teologal përmes të cilit ne e duam Hyjin mbi çdo gjë dhe të tjerët si veten tonë, pikërisht në saje të dashurisë ndaj Zotit.

I krishteri, ai që dashuron pa interes

Hapja ndaj tjetrit, pra, është rruga për të mbërritur te Zoti. Një dashuri që është pa qëllime të fshehura.

I krishteri, prandaj, nuk është një filantrop i thjeshtë, por një person i dhembshur, që dashuron pa interes dhe kërkon në mënyrë aktive mirëqenien integrale të të tjerëve.

Vështrimi i ngulitur te Krishti

Papa Leoni i nxit anëtarët e Rrethit Kalorësiak të Barcelonës që të vazhdojnë në rrugën e nisur, duke pasur parasysh se te njerëzit më të cenueshëm e të varfër gjendet Hyji. “Zoti – pohon Papa – ju mundësoftë të rriteni në dashurinë e Tij” përmes përkushtimit personal ndaj të tjerëve, të cilët duhen shoqëruar “me durim dhe dhembshuri”.

Ju ftoj të mbani vështrimin e ngulitur te Krishti, sepse vetëm kështu është e mundur të njihet prania e Tij te vëllezërit dhe motrat më të vegjël e më në nevojë.

solo così è possibile riconoscere la sua presenza nei fratelli e nelle sorelle più piccoli e bisognosi.

25 maj 2026, 11:25