Papa: Epoka hipermediatike krijon varfëri shpirtërore, mos e zbehni Ungjillin
R.SH. / Vatikan
Në fjalimin e tij drejtuar pjesëmarrësve në plenaren e Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Ungjillëzimin - Seksioni për Çështjet Themelore të Ungjillëzimit në Botë, Leoni XIV vëren "indiferencën e përhapur fetare" të Perëndimit, i cili ia delegon "kulturës teknologjike" përgjigjet për pyetjet e pazgjidhura të jetës. Ati i Shenjtë nxit që t'u drejtohemi brezave të rinj pa u mbështetur te rëndësia sociale apo konsensusi i çastit.
Papa Leoni XIV tha se shoqëria moderne, e mbushur me teknologji, media dhe konsumizëm, po shkakton një krizë të besimit dhe një varfëri shpirtërore, sidomos në Perëndim. Sipas tij, shumë njerëz kërkojnë përgjigje për jetën tek teknologjia, por pyetjet më të thella njerëzore mbeten pa përgjigje.
Ai paralajmëroi se Ungjilli nuk duhet të "zbutet" a të “hollohet” apo të paraqitet vetëm si një mendim mes shumë të tjerëve, por si rruga që i jep kuptim jetës. Leoni XIV theksoi se Kisha nuk duhet të mbështetet te popullariteti apo ndikimi shoqëror i momentit, por te dëshmia e sinqertë e fesë dhe te veprimi i Shpirtit të Shenjtë.
Sipas tij, të rinjtë kanë ende një dëshirë të fortë për spiritualitet. Kur ata rizbulojnë Ungjillin, shumë prej tyre e pranojnë atë si një burim të vërtetë lumturie dhe kuptimi.
Papa vuri në dukje se shoqëritë hipermediatike e bëjnë më të vështirë kërkimin e së vërtetës me durim dhe mendim kritik, sepse çdo mesazh perceptohet si “thjesht një opinion”. Për këtë arsye, feja duhet të transmetohet përmes shembullit personal, gëzimit dhe jetës së shenjtë, jo duke zbutur kërkesat e krishterimit.
Në fund, Ati i Shenjtë Prevost kërkoi më shumë kujdes për edukimin fetar të të rinjve, katekumenëve dhe atyre që përgatiten për sakramentet, duke i shoqëruar ata edhe pas ceremonive fetare me mbështetje personale dhe komunitare.
