Kërko

Republika e San Marinos Republika e San Marinos

Papa do të vizitojë Republikën e San Marinos më 22 gusht

Si pjesë e vizitës së tij në dioqezën e Riminit dhe në Takimin vjetor, organizuar nga lëvizja kishtare “Bashkim e Çlirim”, Leoni XIV do të udhëtojë edhe në shtetin e vogël të pavarur, brenda Italisë

R.SH. - Vatikan

Papa Leoni XIV do të vizitojë Republikën e San Marinos. Në një njoftim të Prefekturës së Familjes Papnore, sqarohet sot se duke pranuar ftesën e Kapitenëve të atëhershëm Regjentë, Matteo Rossi dhe Lorenzo Bugli, Ati i Shenjtë do të bëjë një vizitë baritore në shtetin e vogël të pavarur, brenda Italisë, pesëmbëdhjetë vjet pas Papës Benedikti XVI, paraditen e së shtunës, më 22 gusht. Pasditen e së njëjtës ditë, siç ishte njoftuar që më parë, vizita e Papës do të vazhdojë me pjesëmarrjen në Takimin e Miqësisë ndërmjet Popujve, organizuar nga lëvizja kishtare “Bashkim e Çlirim” në qytetin e Riminit.

Një dëshirë e madhe për paqe

"Me emocion të thellë dhe kënaqësi të madhe, mirëpres lajmin e vizitës së Atit të Shenjtë në San Marino, që do të përfaqësojë një ngjarje të jashtëzakonshme me rëndësinë më të lartë institucionale, diplomatike dhe shpirtërore", deklaroi Sekretari i Shtetit për Punët e Jashtme të San Marinos, Luca Beccari. "Aq më tepër sot, ndërsa festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë, vizita e Papës konfirmon marrëdhëniet e veçanta dhe ekskluzive që kemi gëzuar prej kohësh, bazuar mbi vlera e parime të përbashkëta dhe mbi një qëndrim ndërkombëtar, që na gjen sot të bashkuar në dëshirën e madhe për paqen".

28 maj 2026, 12:00