Papa dhe katekizmi i tij për Koncilin, "yll polar" për udhën e Kishës
R.SH. - Vatikan
Dy, faktorët që e udhëhoqën zgjedhjen e tij: kuptimi se "brezi i ipeshkvijve, teologëve dhe besimtarëve të Vatikanit II nuk është më me ne sot" dhe "thirrja për të mos e shuar profecinë" e Koncilit, por përkundrazi, për të "vazhduar të kërkojmë mënyrat dhe mjetet e zbatimit të njohurive të tij". Mbi të gjitha, shpjegoi Papa, është e rëndësishme ta kuptojmë Koncilin "jo përmes thashethemeve ose interpretimeve që u bënë për të, por duke rilexuar dokumentet e tij dhe duke reflektuar mbi përmbajtjen e tyre". Rileximi i teksteve të vitit 1965 i ofron Kishës mundësinë për të "kuptuar ndryshimet dhe sfidat e epokës moderne" dhe për të "bashkëpunuar në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e më vëllazërore", duke mbetur "krahë hapur" për njerëzimin, shpresat dhe ankthet e tij.
Njerëzimi integral i Krishtit, që zbulon misterin hyjnor
Nga 7 janari, deri më 6 maj - duke përjashtuar pushimin për Ushtrimet Shpirtërore të Kreshmëve dhe udhëtimin apostolik në Afrikë - Papa deri tani i ka kushtuar 14 reflektime dy Kushtetutave dogmatike: Dei Verbum mbi zbulesën hyjnore dhe Lumen Gentium, mbi Kishën. E para, gurthemeli i pesë katekizmave, u përcaktua nga Leoni XIV si "një nga dokumentet më të bukura dhe më të rëndësishme të Koncilit", mbasi kujton se Zoti i flet njerëzimit dhe e fton në miqësi me Të. Krishti është fytyra njerëzore e Zotit dhe ekzistenca e Tij historike e, nga mishërimi e deri në ngjallje, e manifeston plotësisht Atin. Kjo nuk është një e vërtetë që e anulon njerëzimin, por përkundrazi, e përmbush atë: është pikërisht njerëzimi i plotë i Krishtit që e bën të dukshëm misterin hyjnor, pasi Zoti "mishërohet, lind, shëron, mëson, vuan, vdes, ringjallet e mbetet ndërmjet nesh". Kjo krijon një vizion dinamik të Krishterimit: ai është i themeluar mbi unitetin e Shkrimit të Shenjtë dhe Traditës, i konsideruar si "depozitë" e vetme, besuar Kishës.
Në këtë drejtim, Papa tërhoqi vëmendjen nga dy rreziqe të veçanta: nga njëra anë, nga leximi fundamentalist që interpreton tekstet e shenjta të shkëputura "nga konteksti historik në të cilin ato u poqën dhe nga format letrare të përdorura". Nga ana tjetër, neglizhimi i origjinës hyjnore të Shkrimit të Shenjtë çon në shikimin e tij si "mësimdhënie e thjeshtë njerëzore", një tekst teknik ose të vjetëruar. Përkundrazi - siç paralajmëroi Leoni XIV - Ungjilli duhet të kuptohet si "hapësirë e privilegjuar takimi, në të cilën Zoti vazhdon t'u flasë burrave dhe grave të të gjitha kohërave". Në një botë të mbushur me fjalë boshe, Fjala e Zotit mbetet si gjithmonë e re, krijuese, shuarje e etjes për një njerëzim në kërkim të kuptimit dhe të vërtetës.
Kisha përkrah të varfërve, të shfrytëzuarve, viktimave, të vuajturve
Që nga 18 shkurti, Ipeshkvi i Romës e përqendroi katekizmin e tij në Lumen gentium, së cilës deri tani i ka kushtuar tetë reflektime. Nga këto reflektime, Kisha del si "shenjë efektive e unitetit dhe e pajtimit ndërmjet popujve" si dhe "prani shenjtëruese në mes të një njerëzimi ende të copëtuar" nga përçarjet dhe konfliktet. E ngarkuar me misionin e " të folurit të qartë" për të hedhur poshtë gjithçka që e poshtëron jetën, Kisha - thekson më tej Papa - është e thirrur të "marrë qëndrim" në emër të të varfërve, të shfrytëzuarve, viktimave e të vuajturve. Në përmasën e saj eskatologjike, ajo është me të vërtetë rojtarja e një shprese që ndriçon rrugën.
Qendror është edhe reflektimi i Leonit XIV mbi dy përmasa kishtare: atë hierarkike dhe atë eskatologjike. I pari synon të përjetësojë misionin e Krishtit dhënë Apostujve, me kusht që të mos absolutizohet kurrë. Në të vërtetë, për t'iu përgjigjur plotësisht misionit të tyre, institucionet kishtare duhet të synojnë "kthimin e vazhdueshëm, ripërtëritjen e formave dhe reformimin e strukturave". Përmasa e dytë - e përcaktuar si "thelbësore" - na fton të shqyrtojmë "dimensionin komunitar dhe kozmik të shpëtimit në Krishtin", duke vlerësuar gjithçka nga kjo perspektivë.
Laikët, gjithnjë e më shumë dëshmitarë të drejtësisë e të paqes
Papa, më pas, i kushtoi vëmendje të veçantë laikëve, duke i ftuar të jenë gjithmonë dëshmitarë të drejtësisë e të paqes: "fusha e tyre e gjerë" e apostullimit nuk duhet të kufizohet në sferën kishtare, por të shtrihet në botë, në mënyrë që ta tregojë kudo bukurinë e jetës së krishterë.
Së fundi, Papa kujtoi temën e shenjtërisë: ajo, pohoi, nuk është privilegj i disa njerëzve, por angazhim i të gjithë të krishterëve në bamirësi. Ndërmjet persekutimeve të botës, besimtarët nxiten të lënë "shenja feje dhe dashurie", duke u angazhuar për drejtësinë dhe duke e jetuar çdo ditë misionin e tyre të shndërrimit.
