Kërko

Papa Leoni XIV pret anëtarët e AISLA-s, Shoqatës Italiane të Sklerozës Amiotrofike Papa Leoni XIV pret anëtarët e AISLA-s, Shoqatës Italiane të Sklerozës Amiotrofike

Papa: askush nuk duhet lënë vetëm, duhet t'i përgjigjemi me gjeste kujdesi kulturës së vdekjes

Leoni XIV, duke pritur anëtarët e AISLA-s, Shoqatës Italiane të Sklerozës Laterale Amiotrofike, i falënderoi për shërbimin, kujdesin dhe mbështetjen e pacientëve dhe familjeve të tyre, duke "mishëruar mënyrën e Jezusit për t'u marrë me njerëzit që vuajnë". Kujdesi shëndetësor "përveç organizimit dhe kompetencës, kërkon prani, edhe fizike, për të mirën e njeriut", theksoi Papa, duke i nxitur të pranishmit të ecin përpara me guxim: "Mos u dorëzoni!".

R. Sh. / Vatikan

"Duhet t'i përgjigjemi kulturës së shpërdorimit dhe të vdekjes" që e shënon, ose më saktë, e plagos këtë epokë me gjeste kujdesi, duke nxitur solidaritetin e respektin, e duke e pasur gjithnjë parasysh se "në situata të ndryshme të jetës, veçanërisht ato të vështirat, askush nuk duhet të lihet kurrë vetëm".  Fjalimi i Papës Leoni XIV drejtuar anëtarëve të Shoqatës Italiane të Sklerozës Laterale Amiotrofike (AISLA), pritur sot në audiencë në Sallën Klementine, është himn guximi e mesazh shprese. 

Ishin të pranishëm më se 400 përfaqësues të kësaj organizate jofitimprurëse, më e rëndësishmja në fushën e saj në Itali. E themeluar në vitin 1983, mbron, ndihmon dhe trajton pacientët me ALS (Sklerozë Laterale Amiotrofike), sëmundje që prek afërsisht 6,000 njerëz në moshën 40 deri në 70 vjeç. Vetë AISLA parashikon çdo vit afërsisht 2,000 raste të reja. Përveç pacientëve, Shoqata kujdeset edhe për familjet e tyre, duke i mbështetur në një betejë shpesh fizikisht dhe psikologjikisht të lodhshme. Shërbim për të cilin Papa shpreh mirënjohjen e tij të thellë.

Ju jeni shoqatë që bashkon njerëzit të cilët jetojnë me sëmundjen, familjet e tyre dhe kujdestarët, në një aleancë terapeutike me afërsi të fortë, që mishëron mënyrën e Jezusit për t'u marrë me ata që vuajnë. 

Mesazhi i vlerës së jetës

Papa flet, në këtë kuptim, për një "pakt", kontributi i parë i të cilit, thekson, vjen prej të prekurve nga ALS të cilët "çdo ditë, me angazhim, besim dhe guxim, dëshmojnë se mirësia dhe vlera e jetës janë më të mëdha se sëmundja". Madje, shton Papa Leoni, "vetë sfidat që sjell, mund të përballohen së bashku, duke i transformuar në mundësi të veçanta dhe të privilegjuara për të dhënë e për të marrë dashuri". "Faleminderit për këtë!", pohon!:

Ju, si profetë, u mësoni të gjithëve vlerën e vërtetë të jetës, e bota jonë ka shumë nevojë për këtë mesazh! 

Pranë e pranë

Papa kujtoi gjithashtu mbështetjen e Shoqatës për kërkimin shkencor, formimin, informacionin dhe ndihmën, "rolin e saj të rëndësishëm të përfaqësimit dhe punën e saj për rritjen e ndërgjegjësimit ndërmjet individëve, komuniteteve dhe institucioneve, duke përfshirë në nivelin civil, "kudo është e nevojshme të mbrohen të drejtat e atyre që kanë nevojë". Por mbi të gjitha, ajo që Leoni XIV thekson lidhur me punën e AISLA-s, është "stili" i saj, tërësisht i përqendruar në "afërsinë". Afërsia kuptohet para së gjithash, "territoriale", domethënë prani në shtëpitë e atyre që vuajnë. "E kjo është shumë e rëndësishme". 

Kujdesi i shëndetit, përtej organizimit dhe kompetencës, kërkon prani, edhe fizike, për të mirën e njeriut në të gjithë përmasat: biologjike, psikologjike dhe shpirtërore. 

Askush nuk duhet lënë kurrë vetëm.

"Kisha - shtoi Papa Leoni - e ndjen thellësisht vlerën e 'qendrimit pranë': pranë njerëzve, në shtëpitë e tyre e kudo që janë, për të ofruar mbështetje, jo vetëm në aspektin e kujdesit, por edhe në aspektin e përshpirtërisë, veçanërisht duke i kushtuar vëmendje pyetjeve të kuptimit që ka dhimbja dhe që nuk mund të mos dëgjohen". 

Në situatat e ndryshme të jetës, veçanërisht ato të vështirat, askush nuk duhet të lihet kurrë vetëm, e vullnetarizmi, duke na bashkuar në bujari, e realizon fuqishëm këtë vlerë, duke nxitur solidaritetin dhe respektin e duke iu përgjigjur me gjeste kujdesi kulturës së shpërdorimit dhe të vdekjes. 

Popull i shpresës

Në përfundim të audiencës, Papa ftoi për ta parë Jezusin, i cili "kaloi nëpër qytete dhe fshatra duke shëruar çdo sëmundje dhe ligësi", e zgjodhi vetë ta jetonte "mundimin, Udhën e tij të kryqit, si kohë sprove, dhimbjeje fizike dhe vuajtjeje shpirtërore". Krishti "ishte solidar me ne deri në fund, duke na treguar, megjithatë, nëpërmjet kryqit dhe ringjalljes së tij, se dhimbja dhe vuajtja nuk mund ta ndalojnë dashurinë dhe ta anulojnë fuqinë e Zotit", theksoi. "Për këtë arsye- inkurajoi - të gjithë ne, bijtë e Pashkëve të tij, jemi popull i shpresës, që nuk dorëzohet përballë vështirësive, por i bashkuar e solidar e, me ndihmën e Zotit, vazhdojmë të ecim, pa u dorëzuar kurrë". 

Pa u dorëzuar. Dhe për këtë, ju falënderoj nga thellësia e zemrës sime për guximin tuaj: mos u dorëzoni, ecni me këtë guxim dhe këtë shpresë në Zotin.

09 maj 2026, 14:41