Napoli, qytet që rilind: guximi i së mirës sipas Papës Leoni XIV
R.SH. – Vatikan
Sot, Napoli priti me krahë hapur Papën Leoni XIV në Piazza del Plebiscito, ku Ati i Shenjtë u foli drejtpërdrejt zemrave të qytetarëve. Duke pasur parasysh historinë ungjillore të dishepujve të Emausit, për të cilën foli edhe në takimin e mëparshëm me klerin, fjalët e Papës portretizuan shpirtin e një qyteti të gjallë, vërtet të plagosur, por gati për t'u ringjallur.
"Janë zërat e Napolit, perla e Mesdheut, që Vezuvi e sheh nga lart, zëra që i bëjnë jehonë bukurisë së lashtë të këtij qyteti të lagur nga deti dhe të puthur nga dielli, por edhe plagëve, varfërisë dhe frikës. Këta zëra tregojnë për një Napoli, që shpesh ecën i lodhur, i çorientuar dhe i zhgënjyer, si dy dishepujt në Ungjill, që kanë nevojë për afërsinë, që u ofron Jezusi; zërat e një populli që, edhe sot, ndien nevojën të ndalet dhe të pyesë: çfarë ka vërtet rëndësi?"
Në këto fjalë ndihet përgjegjësia e përbashkët: qyteti nuk mund të mbetet vetëm përballë pabarazive. Papa kujtoi gjeografinë e fshehur të periferive ekzistenciale dhe të brishtësisë së përditshme, duke theksuar se prania e shtetit dhe e bashkësisë është e domosdoshme për t'iu kundërvënë së keqes dhe dorëzimit.
Realizimi i së mirës së përbashkët
Reflektimi i Papës vuri në dukje gjestet konkrete të atyre, që punojnë çdo ditë për Napolin. Janë heronj të heshtur, gra dhe burra që, me përkushtim dhe besnikëri ndaj detyrës së tyre, çojnë përpara drejtësinë, të vërtetën dhe bukurinë. Vetë Kisha bëhet urë ndërmjet tyre:
"Të mos prishet ky rrjet që ju bashkon, të mos shuhet kjo dritë, që keni filluar të ndizni në errësirë, të mos i humbasë ngjyrat kjo ëndërr, që po realizoni për një Napoli më të mirë dhe më të bukur! Vazhdoni ta çoni përpara këtë Pakt, mblidhini forcat, punoni së bashku, ecni së bashku - institucione, Kishë dhe shoqëri civile - për të ringritur në këmbë qytetin, për të mbrojtur fëmijët nga kurthet e vështirësive dhe të së keqes, për t'i rikthyer Napolit thirrjen e tij për të qenë kryeqytet i njerëzimit dhe i shpresës".
Papa iu referua Paktit Edukativ, që Kisha e Napolit ka lidhur me institucionet, duke përfshirë realitete të ndryshme kishtare dhe Sektorin e tretë, pra sektorin laik, që punon në fushën e mirëqënies shoqërore. Ati i Shenjtë bëri thirrje për një përpjekje të përbashkët, në të cilën çdo gjest i mirë, i madh apo i vogël, të bëhet mjet për rigjenerimin shoqëror dhe kulturor, duke bashkuar jetën e përditshme me thirrjen shekullore të qytetit:
“Napoli nuk duhet të mbetet një ‘kartolinë’ e thjeshtë për vizitorët, por duhet të bëhet një kantier ndërtimi i hapur, ku punohet për paqen konkrete, të verifikueshme në jetën e përditshme të njerëzve”.
Rinia, kultura dhe paqja
Vëmendja e Papës u përqendrua veçanërisht tek të rinjtë, rojtarët dhe protagonistët e rilindjes së qytetit.
"Napoli ka nevojë për këtë vrull, për këtë energji shpërthyese të mirësisë, për guximin ungjillor që na bën të ripërtërijmë gjithçka. Të jetë impenjim i të gjithëve: merreni përsipër dhe çojeni përpara së bashku! Bëjeni veçanërisht me të rinjtë, të cilët janë protagonistë të ndryshimit".
Nga programet edukative në muze dhe oratoret e kishave, te puna vullnetare dhe mikpritja e emigrantëve, Napoli dëshmon se si drejtësia dhe bamirësia mund t’i transformojnë marrëdhëniet dhe vetë qytetin. Për paqen punohet në periferi, në lagje, në gjestet e përditshme: kujdesi, solidariteti dhe dialogu ndërkulturor bëhen shenja konkrete të një rruge të mundshme.
Së fundi, Papa ia besoi qytetin mbrojtjes së të Shenjtnueshmes Mari dhe Shën Gjenarit, duke e nxitur secilin prej të pranishmëve e të gjithë qytetarët të jenë dëshmitarë të Ungjillit: një thirrje për t’i transformuar sfidat në mundësi, vështirësitë në guxim, zhgënjimin në shpresë të gjallë.
