Lutja e Leonit XIV drejtuar Marisë për bashkim në Kishë dhe paqe
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV, sot më 3 maj, gjatë lutjes së «Mbretëreshës së Qiellit», iu drejtua besimtarëve të shumtë të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, ia besoi Virgjërës Mari vëllazërimin në botë duke kërkuar lutje për paqe.
Duke ia besuar lutjen për paqe Marisë
Në fillim të muajit maj, muaj i cili tradicionalisht i kushtohet nderimit të Virgjërës Mari, Leoni XIV na fton të lusim Rruzaren, veçanërisht duke pasur parasysh plagët e botës të shkaktuara nga dhuna. Është një kohë, kujton Papai, "kur e gjithë Kisha ripërtërin gëzimin e të mbledhurit në emër të Marisë, Nënës sonë, veçanërisht kur lusim së bashku Rruzaren. Ne përjetojmë përvojën e atyre ditëve, ndërmjet të Ngjiturit të Jezusit në qiell dhe Rrëshajve, kur dishepujt u mblodhën për të thirrur Shpirtin Shenjt. Maria, më e Shenjta ishte në mesin e tyre, dhe zemra e saj ruante zjarrin që gjallëronte lutjen e të gjithëve".
Ju besoj ndjetet e mia, veçanërisht për bashkim në Kishë dhe paqe në botë.
Përkujtimi i gazetarëve, viktima të luftës
Sot, më 3 maj, kremtojmë Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, të promovuar nga UNESCO. Një mundësi për t'u kujtuar qeverive nevojën që të respektojnë angazhimin e tyre për të garantuar informacionin falas. Është një ditë kur u jepet mbështetje mjeteve të informacionit, të cilat, siç thuhet në faqen e internetit kushtuar këtyre, janë në shënjestër të kufizimeve. Po ashtu, është dhe dita e përkujtimit të gazetarëve që vdesin duke përcjellur lajmet. Papa Leoni nuk i harron ata, as nuk e lë pas dore këtë aspekt thelbësor të shoqërisë civile. Fjalët e tij janë të qarta:
Fatkeqësisht, kjo e drejtë shpesh shkelet, ndonjëherë në mënyrë të hapur, ndonjëherë fshehurazi. Ne kujtojmë shumë gazetarë dhe reporterë që janë viktima të luftës dhe dhunës.
Falënderime për shoqatën «Meter», e cila mbron të miturit tash 20 vjet
Ndër përshëndetjet e Papës pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, ai falenderoi edhe shoqatën «Meter Ets», e cila prej kohësh lufton për mbrojtjen e të miturve:
Përshëndes shoqatën «Meter», e cila tash tridhjetë vjet është angazhuar për mbrojtjen e të miturve nga plaga e abuzimit, duke përfshirë komunitetet kishtare dhe civile, duke edukuar viktimat dhe duke promovuar parandalimin e abuzimeve. Faleminderit për shërbimin tuaj!
Shoqata ofron shërbime të shumta që shkojnë nga qendra e këshillimit te qendra kërkimore, nga qendra e këshillimit te qendra kundër bullizimit, nga qendra e trajnimit dhe edukimit te qendra shumëfunksionale. Ndër veprimtaritë e kryera nga kjo organizatë është edhe ajo që inkurajon "veprimet kundër shfrytëzimit seksual të të miturve dhe çdo forme tjetër të agresionit fizik, kulturor, psikologjik dhe shpirtëror të ushtruar kundër tyre", siç thuhet në faqen e saj të internetit. Të dhënat nga Raporti "Viktimat e Fëmijëve" i vitit 2025, që u paraqit në fund të shkurtit në Romë, nxjerrin në pah prirjet në zhvillim dhe çështjet kritike, së bashku me propozimet për institucionet dhe veprimtarët e informacionit. Raporti analizon përhapjen e pedofilisë dhe të pornografisë së fëmijëve, një prirje që tani nxitet nga kanalet e reja të koduara, nga mjetet dixhitale të përparuara dhe nga inteligjenca artificiale.
Përshëndetje për peruvianët e Romës, atyre që nderojnë Virgen de Chapi
Midis besimtarëve të Romës dhe shtegtarëve nga shumë vende, ka mësues nga «Shkollat e Motrave Françeskane të Zemrave të Shenjta», ka grupe nga Madridi dhe Granada, nga Minneapolis dhe Malajzia. Një përshëndetje të veçantë, Papa u drejtoi peruvianëve që marrin pjesë në shoqatën «Virgen de Chapi de Arequipa» në Romë. Papa, i cili e ka kaluar një pjesë të misionit të tij në Peru, u shprehu atyre dashurinë e tij.
Fugurja është shumë e nderuar, posaçërisht në jug të Amerikës Latine, veçanërisht në rajonin e Arequipas. Historia e saj fillon në vitin 1655 dhe fillimisht është e lidhur me disa fshatra në Churajón të quajtur La Huaca ose Sahuaca, që u ungjillëzuan nga jezuitët e Moquehua. Në mesin e viteve 1700, pas një kërkese për t’ia ndryshuar rrjedhën e ujitjes atyre tokave, fugurja e Virgjërës Mari u shpërngul nga kapela e ngritur atje në luginën Chapi. Në vitin 1798, u vendos që statuja të shpëngulej në Sogay, por tradita thotë se nuk ishte e mundur të zhvendosej shtatorja përtej brinjës së parë të malit. Disa gra që flisnin gjuhën Keçua dëgjuan një zë që ia mveshën fugures së Virgjërës Mari: "Chaypi, Chaypi", që do të thotë "Këtu, këtu". Që atëherë, emri "Zonja jonë e Chapit" ka mbetur në adhurimin popullor.
Pas tërmetit të vitit 1868, nisi ndërtimi i një bazilikë të re që përfundoi njëzet vjet më vonë. Në vitet që pasuan, gjatë punimeve për ndërtimin e një strehe të re për fuguren e Virgjërës, u raportua një tjetër ngjarje e mrekullueshme: Një prej gurëgdhendësve iu lut asaj që të siguronte ujë për punëtorët. Uji shpërtheu menjëherë nga poshtë një guri aty pranë. Këtij uji iu atribua gjithashtu edhe shërimi i një personi që vuante nga probleme me shikimin. Sot njihet si "Syri i mrekullisë". Bazilika e kryedioqezës, ashtu siç është sot, u pat themeluar më 28 prill 1986 dhe u shugurua në vitin 1995. Në vitin 1983, fugurja e Virgjërës u soll në Arequipa.
