Papa: 'Zoti ndriçoftë ndërgjegjen e autoriteteve për një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme'
R.SH. – Vatikan
Leoni XIV kërkoi mbrëmë, nga Shpella e Lourdes në Kopshtet e Vatikanit, me lutjen e Rruzares, ndërmjetësimin e Virgjërës Mari që të kërkojë “me ngulm dhuratën e paqes” që vetëm Zoti mund të na japë. Ati i Shenjtë e bëri këtë së bashku me dy mijë njerëz në Vatikan dhe njëqind mijë të tjerë të lidhur nga 200 shenjtërore mariane të botës. Dhe sot, ditën e fundit të majit, pas lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot, para më shumë se 20 mijë njerëzve në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, Leoni XIV kthehet të evokojë temën kaq të dashur për të dhe të kërkojë lutjet e të gjithëve.
Gjatë muajit maj, nga e gjithë Kisha u ngrit një thirrje korale për paqe. Veçanërisht përmes lutjes së Rruzares, si një zinxhir i pandërprerë, ia ka besuar ndërmjetësimit të Virgjërës Mari popujt e martirizuar nga lufta. Ua ndriçoftë Urtësia hyjnore ndërgjegjen atyre që kanë autoritet dhe i orientoftë vendimet drejt kërkimit të sinqertë të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.
Dita e ndihmës: përhapeni afërsinë e kujdesin
Papa kujtoi, më pas, se sot, në Itali, kremtojmë "Ditën e 25-të të Ndihmës", të titulluar këtë vit "Unë kam kujdes".
Jam pranë të sëmurëve dhe atyre që kujdesen për ta; i falënderoj dhe i inkurajoj të gjithë ata, që përhapin kulturën e afërsisë dhe të kujdesit.
E sponsorizuar nga Ministria italiane e Shëndetësisë, Konferenca e Rajoneve e Provincave Autonome dhe Fondacioni Kombëtar Gigi Ghirotti, kjo Ditë do të përfshijë nisma informuese dhe ndërgjegjësuese, që synojnë përhapjen e kulturës së lehtësimit nga vuajtjet fizike e mendore, me vëmendje të veçantë ndaj kujdesit paliativ, terapisë së dhimbjes, kujdesit humanizues dhe formimit të vullnetarëve për t’i ndihmuar të sëmurët dhe familjet e tyre.
Polonia, në Piekary. Shtegtim i madh i grave “misionare e udhëheqëse”
Ndër përshëndetjet e ndryshme, Papa Leoni XIV iu drejtua edhe pjesëmarrësve gjatë shtegtimit të madh në Kishën e Piekary-t, Poloni, ku Maria nderohet si Nëna e Drejtësisë Shoqërore.
Është edhe një vend kulti, që iu kushtua Marisë në shekullin e 17-të. Sipas traditës, shtegtimi i të rinjve dhe burrave zhvillohet në maj, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës, ndërsa ai i vajzave dhe grave, në gusht.
