Leoni XIV takon Gardën Zvicerane: më shumë se ushtarë, ju jeni shërbëtorë
R.SH. – Vatikan
Pas betimit të mbrëmshëm të 28 rekrutëve në Sallën Pali VI, Papa i takon sërish sot, më 7 maj, rojet e reja zvicerane, të cilave u shpreh mirënjohjen për punën e kryer nga Garda ushtarake më e vjetër në botë, që ruan Pallatin Apostolik dhe bazilikat kryesore të Shtet-Qytetit të Vatikanit. Përvujtëria dhe maturia janë cilësitë, që e dallojnë shërbimin e Gardës Papnore, sipas Atit të Shenjtë.
Një mision jo vetëm ushtarak
Përshëndetja në gjermanisht dhe frëngjisht [Willkommen! Bienvenus!] e ngroh më tej atmosferën familjare të audiencës. Ndjenja e detyrës dhe e nderit në kryerjen e shërbimit të mbrojtjes së Pasardhësit të Shën Pjetrit duhet të ushqehet paralelisht me vlerat e besimit dhe të miqësisë, vuri në dukje Papa.
“Këto vende, të pasura me histori dhe fe, t’ju frymëzojnë për reflektim dhe lutje. Vërtet, ndërsa qëndroni në postin tuaj të rojes, mund të mahniteni nga bukuria që u shpaloset para syve. Kjo bukuri vjen nga Zoti dhe të çon te Zoti, Ati i Bukurisë dhe i Mirësisë. Misioni juaj, i cili është para së gjithash ushtarak, është megjithatë i pandashëm nga thirrja për shenjtëri e çdo të pagëzuari”.
Shërbejuni të tjerëve, me bujari dhe përvujtëri
Leoni XIV i nxiti rojet e reja të ndihmojnë nevojtarët, jo vetëm anëtarët e Kuries, ose funksionarët që vizitojnë Vatikanin, por edhe shtegtarët e turistët. Papa i këshilloi ta ushqejnë shpirtin me lexime dhe meditime, që ofrojnë mundësinë për t'u takuar me "Mësuesin e brendshëm". U sugjeroi, për shembull, lutjen e Shën Nikollës nga Flüe, një nga shenjtorët pajtorë të Korpusit, me të cilën i kërkohet Zotit që të zhdukë çdo pengesë në udhën për t’i përkitur Atij plotësisht.
“Jeta në kazermë është vend i privilegjuar për të zhvilluar virtytet njerëzore të shërbimit ndaj të tjerëve, të bujarisë dhe të përvujtërisë. Përmes solidaritetit vëllazëror, që karakterizon marrëdhëniet tuaja, krijoni një atmosferë harmonie dhe gëzimi brenda Gardës, e cila do të reflektohet pastaj në të gjithë ata që takoni. Ju inkurajoj të këmbëngulni në këtë rrugë, shpesh impenjative, por që sjell shumë fryte”.
