Kërko

Papa Leoni XIV prezanton enciklikën e tij të parë, "Magnifica Humanitas", në Sallën e Sinodit, në Vatikan. Papa Leoni XIV prezanton enciklikën e tij të parë, "Magnifica Humanitas", në Sallën e Sinodit, në Vatikan.

Leoni XIV: të çarmatoset IA-së, jo logjikës së përjashtimit dhe të sundimit

Papa ilustron kuptimin dhe gjenezën e "Magnifica humanitas", enciklikë mbi "mbrojtjen e personit njerëzor në kohen e Inteligjencës artificiale", një mjet që e ndikon jetën, formon vendimet dhe ndryshon mënyrën se si zhvillohet lufta. Papa bën thirrje për çlirimin e IA-së - Inteligjencës artificiale, "nga logjikat që e shndërrojnë në mjet sundimi, përjashtimi ose vdekjeje" dhe bën thirrje për "çarmatimin" e teknologjive, në mënyrë që të mund t'i shërbejnë "të mirës së përbashkët".

R.SH. / Vatikan

Ashtu si "Luani i dikurshëm", Papa Leoni XIII, edhe "Luani" i sotëm, Papa Leoni XIV, shikon nga "res novae", ato "gjëra të reja" që sfidojnë kohën, historinë dhe njerëzimin. E nëse në atë kohë ishte revolucioni industrial me shumë ndryshime komplekse në botën e punës dhe format e reja të varfërisë të imponuara, sot është Inteligjenca Artificiale, me potencialin dhe rreziqet e saj, para syve dhe në zemrën e Papës, i cili nis thirrjen universale: "Të çarmatoset Inteligjenca Artificiale".

Inteligjenca Artificiale sot kërkon të "çarmatoset", të çlirohet nga logjikat që e transformojnë në një instrument sundimi, përjashtimi ose vdekjeje.

Duke dalluar të ardhmen e njerëzimit

Papa Leoni XIV fliste me metafora, por edhe me referenca historike, gjatë fjalimit të tij në Sallën e Sinodit, në Vatikan, ndërsa paraqiste Magnifica Humanitas, enciklika e parë e papnisë së tij, botuar sot më 25 maj. Nuk kishte ndodhur kurrë që një Papë të kishte qenë i pranishëm në Sallën ku një nga dokumentet e tij magjisteriale i paraqiteshin publikut. E edhe hera e parë që, përveç kardinalëve dhe profesorëve, pranë Papës qenë ulur ekspertë të teknologjisë së lartë. Ndërmjet tyre, Christopher Olah, bashkëthemelues i Anthropic, të cilin Papa e falënderoi menjëherë "për pranimin e ftesës. Në emër të Kishës, pranoj edhe ftesën tuaj për të ecur së bashku", shtoi Ati i Shenjtë Prevost, "për të gjetur një rrugë të re për njerëzimin". Kjo është shenjë e rëndësisë dhe vëmendjes ndaj temës së trajtuar në enciklikën Magnifica Humanita,  simbol dhe simptomë e "peshës së çastit" që po përjetojmë dhe që shkakton shqetësim në Kishë, e thirrur për të "deshifruar gjërat e reja në dritën e Ungjillit dhe dinjitetit të njeriut".

Këtij ankthi, megjithatë, Leoni XIV i kundërpërgjigjet me besim:

Besimi se, së bashku, mund t’i dallojmë pyetjet e mëdha të kohës sonë dhe, për rrjedhojë, të ardhmen e njerëzimit.

Në gjurmët e Leonit XIII

Njëqind e tridhjetë e pesë vjet më parë, Papa Leoni XIII Vincenzo Gioacchino Pecci vëzhgoi gjendjen e vështirë të punëtorëve dhe familjeve të çrrënjosura dhe të varfëruara nga transformimi i shpejtë industrial dhe "e kuptoi se Kisha nuk mund të mbetej mënjanë". Në një kohë "ndryshimi epokal" që "kërcënoi dinjitetin njerëzor", shkroi enciklikën Rerum Novarum. Në të njëjtën frymë, tani, Papa Prevost - i cili nënshkroi simbolikisht Magnifica Humanitas më 15 maj, ditën e botimit të Rerum Novarum - thotë se ndihet "i thirrur të shohë një transformim tjetër të madh me sytë e fesë, me qartësinë e arsyes, me hapjen ndaj misterit dhe me britmat e të varfërve dhe të tokës që jehonin në zemrën time".

Ky është kuptimi i afërsisht 200 faqeve të enciklikës Magnifica Humanitas, fryt i një reflektimi dhjetëvjeçar brenda Selisë së Shenjtë mbi teknologjitë e reja dhe Inteligjencën Artificiale, e cila sot prek "shumë fusha të jetës sonë", ndikon në vendime dhe “po ndryshon rrënjësisht mënyrën se si zhvillohet lufta".

Fryti i dëgjimit

Prandaj, ka shumë kontribute, reflektime dhe udhëzime në këtë enciklikë Magnifica Humanitas, e cila - siç shpjegon vetë Papa Leoni XIV - ka një rrënjë të vetme: "Dëgjimin". Dëgjimi i shkencëtarëve dhe inxhinierëve që "punojnë me entuziazëm të sinqertë mbi teknologjitë e afta për të lehtësuar vuajtjet e mëdha"; duke dëgjuar "udhëheqësit politikë dhe zyrtarët publikë që kanë këmbëngulur në kërkimin e rregullave të drejta"; e duke dëgjuar edhe "prindërit e mësuesit, thellësisht të shqetësuar për të ardhmen e brezave të rinj". 

Më kanë arritur edhe zera të tjera, shumë shqetësuese, mbi sistemet gjithnjë e më autonome të armëve, praktikisht përtej kontrollit njerëzor. Dëgjoj raporte thellësisht shqetësuese për algoritme që mund të pengojnë hyrjen në kujdesin shëndetësor, punësimin dhe sigurinë bazuar në të dhëna të ndotura nga paragjykimet dhe padrejtësia. Së bashku me këto zëra, kam dëgjuar edhe "heshtjen e atyre që nuk kanë zë kur merren vendime", shpjegon Papa Leoni, "vendime që rrezikojnë të krijojnë forma të reja përjashtimi dhe vuajtjeje".

Të çarmatosim...

Nga e gjithë kjo është rritur një bindje që vetë Leoni XIV e quan "shqetësuese" dhe që vepron si gjurmë mbi enciklikën Magnifica Humanitas: "Inteligjenca Artificiale duhet të çarmatoset". "Fjala është e fortë, e di, pranon Papa Leoni, por u zgjodh qëllimisht sepse ky çast ka nevojë për fjalë të afta që të tërheqin vëmendjen, për të zgjuar ndërgjegjen dhe për të treguar rrugën përpara për njerëzimin".

... e të ndërtojmë

Kisha ka qenë prej kohësh e përkushtuar ndaj çarmatosjes bërthamore, si  "shërbim për paqen dhe dinjitetin e familjes njerëzore". Në mënyrë të ngjashme, "Inteligjenca Artificiale sot kërkon çarmatosje", sepse "ashtu si energjia bërthamore, ajo duhet të jetë në shërbim të të gjithëve dhe të së mirës së përbashkët". Edhe "vendimet për teknologjinë nuk duhet të ndahen kurrë nga ndërgjegjja e nga përgjegjësia".

Paqja, jo vetëm mungesë e luftës, është drejtësi në veprim. Por kur teknologjia dobëson ndjenjën tonë kritike, vetë paqja është në rrezik. Çarmatosja, megjithatë, nuk është e mjaftueshme. Duhet të ndërtojmë.

"Askush nuk rindërton i vetëm"

Ky udhëzim i fundit, "të ndërtosh", hap një tjetër kujtesë të historisë për Robert Francis Prevost. Historia më e fundit e personale e viteve të misionit të tij në Peru. Në veçanti, viti 2017, kur shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet e shkaktuara nga El Niño goditën veriun e vendit: "Shumë familje panë shtëpitë e tyre të përpiheshin nga balta, dhe e njëjta gjë ndodhi me shumë rrugë." "Atje, rrëfen Papa, mësova se rindërtim nuk do të thotë thjesht zëvendësim i asaj që u shkatërrua. Do të thotë riparim i lidhjeve, rivendosja e besimit dhe rizgjimi i shpresës për të ardhmen. Për më tepër, askush nuk rindërton vetëm".

Vetëm me një vizion kaq gjithëpërfshirës mund të orientohet Inteligjenca Artificiale drejt të mirës së përbashkët.

Vetëm së bashku - ata që projektojnë sisteme dhe ata që vuajnë pasojat e tyre, vendet më të pasura dhe më të varfra, institucionet dhe individët, qendrat e pushtetit dhe periferitë - do të jemi në gjendje të ndërtojmë një të ardhme, jo për një pakicë të privilegjuar, por për të gjithë familjen njerëzore.

Urtia e Kishës

Ky është "qytetërimi i dashurisë", i shpallur me forcë nga Papa Shën Pali VI dhe Papa Shën Gjon Pali II. Kjo, edhe arsyeja pse Kisha dëshiron, "me përvujtëri dhe sinqeritet", të marrë pjesë në dialogun mbi Inteligjencën Artificiale: "Ne nuk kemi përgjigje teknike, as nuk synojmë t’i zëvendësojmë ata që kanë ekspertizën", vëren Papa Prevost.

Por "ne kontribuojmë me mençuri rreth njerëzimit, për të cilin koha jonë ka nevojë urgjente: çdo person është unik dhe i pazëvendësueshëm, subjekt i lirë dhe inteligjent i pajisur me ndërgjegje, i aftë të kërkojë Zotin, t'u shërbejë të tjerëve dhe të kujdeset për shtëpinë tonë të përbashkët".

Në përfundim, pra, një ftesë e Papës për të gjithë anëtarët e Kishës dhe të familjes njerëzore: "Të mësohemi për ta dëgjuar njëri-tjetrin, të përballojmë me guxim sfidat e së tashmes dhe të bashkëpunojmë në ndërtimin e një shoqërie më humane dhe më vëllazërore". Kjo paraqitje e Magnifica Humanitas, shpreson Papa Leoni XIV, do të sjellë një epokë të re të "artizanëve të shpresës" që vazhdojnë të "ndërtojnë kantierin e ndërtimit të kohës sonë".

25 maj 2026, 17:10