2026.05.08 Visita Pastorale a Pompei

Leoni XIV në Pompei: Shenjtorja është tempull i lutjes e i dashurisë

Pasi arriti me helikopter në orën 8:52 të mëngjesit në zonën e takimeve të Shenjtores së Pompeit, Papa u takua me përfituesit e bamirësisë së veprave solidare, themeluar nga Shën Bartolo Longo. Dëgjoi tri dëshmi nga njerëzit, që banojnë ndër ato struktura dhe i inkurajoi "të preken nga fjalët dhe veprat e Jezusit, për të cilat bota ka shumë nevojë"

R.SH. - Vatikan

Rrënojat e vilave, mbetjet e tempujve kushtuar hyjnive pagane, profilet e shtatoreve, dikur të shkëlqyera, tani të nxira nga hiri dhe mijëvjeçarët, rrugët dikur plot jetë e veprimtari, tani vetëm me jehona të së kaluarës së largët. Në këtë mëngjes, 8 maj, Leoni XIV ishte për vizitë baritore në Shenjtëroren e Ζojës Rruzare, në Pompei. Erdhi në ditën kur kremtohet Lutja kushtuar Ζojës së nderuar në Bazilikën e këtij qyteti kampanas e që vizitohet nga më se 2 milionë shtegtarë në vit, dhe në përvjetorin e parë të zgjedhjes së tij si pasardhësi i 266-të i Pjetrit. Përpara se të zbriste në orën 8:52 të mëngjesit në zonën e takimit të Shenjtërores, helikopteri i tij fluturoi për disa sekonda mbi rrënojat e qytetit të lashtë të Pompeit, të shkatërruar në vitin 79 pas Krishtit nga ajo që poeti Giacomo Leopardi e quajti, në poemën e tij të fundit, “sterminator Vesevo” - Vezuvi shkatrrimtar".  Duhet të ketë admiruar nga lart, qoftë edhe vetëm për disa sekonda, gjurmët e një qytetërimi të lashtë, dikur të rrethuar nga arti dhe bukuria, tani të varrosur: rrënoja që, si shuplakë në fytyrë, na kujtojnë se gjithçka kalon e tretet në një mënyrë ose në një tjetër, dhe se "vetëm dashuria krijon". Leoni XIV i pa të gjitha këto nga lart. Pastaj, sapo zbriti nga helikopteri, u prit nga Kryeipeshkvi Tommaso Caputo, Presidenti i Rajonit të Kampanjës, Roberto Fico, Prefekti i Napolit, Michele di Bari, Kryetari i Bashkisë së Qytetit Metropolitan të Napolit, Gaetano Manfredi, dhe Kryetari i Bashkisë në Detyrë të Pompeit, Andreina Esposito.

  (@Vatican Media)

Një Tempull bamirësie ndërtuar mbi shkëmb

Megjithatë, sot Papa vendosi ta fillonte udhëtimin e tij me vizitën në një ndërtesë shpirtërore, të bërë prej guri të gjallë. Tempull, që asnjë shpërthim vullkanik nuk do ta varrosë dot kurrë, e thesar, që as tenja as ndryshku nuk do ta njollosin kurrë.

Pasi eci disa metra nga zona e uljes, Leoni XIV hyri në "Sallën Luisa Trapani" ku e prisnin përfituesit e Veprave të Bamirësisë të Shenjtërores së Pompeit. Ai i përshëndeti ngrohtësisht, ndërsa thërrisnin "Papa Leoni! Papa Leoni!".

Ipeshkvi i Romës kaloi ndërmjet tyre, duke përshëndetur njërin, duke bekuar tjetrin, duke ofruar përkëdhelje dhe fjalë inkurajimi. Janë njerëz në situata të vështira, që ndihmohen ose mirëpriten nga qendrat e ndryshme bamirëse të Shenjtërores. Nëna që, mes një mijë vështirësish, donin të vazhdonin shtatzanitë me çdo kusht dhe mbetën vetëm me fëmijët e tyre. Gra, viktima të dhunës. Prindër, të organizuar në komunitete, që e mbrojnë jetën në çdo mënyrë dhe me çdo kusht: duke adoptuar fëmijë me aftësi të kufizuara, duke shmangur një abort të mundshëm me zgjidhje alternative. Është ndërtesa e solidaritetit në Shenjtëroren e Pompeit. Papa e njeh mirë vlerën e saj të plotë.

"Këtu, "Tempulli i Bamirësisë" dhe "Tempulli i Fesë" mbështesin njëri-tjetrin. Lutja nxit mirëseardhjen, dashurinë, shërbimin dhe angazhimin bujar të shumë njerëzve, në qendrat edukative, në shtëpitë familjare dhe në kuzhinën e varfër  me emrin e Papës Françesku. Dashuria bën mrekulli, që shkojnë shumë përtej çdo përpjekjeje dhe pritjeje: në gjymtyrët e atyre që vuajnë e, edhe më shumë, në shpirtrat e tyre".

  (@Vatican Media)

Hapat e parë të themeluesit, Bartolo Longo

Ishte Bartolo Longo, i kanonizuar nga Ipeshkvi i Romës më 19 tetorin e kaluar, ai që vendosi gurët e parë të këtij institucioni bamirës. "E pa fytyrën e Krishtit tek të gjithë: të mëdhenjtë e të vegjlit, veçanërisht tek jetimët dhe fëmijët e të burgosurve të cilët, me butësinë e tij, i bëri të ndienin rrahjet e zemrës së Zotit", kujtoi Papa. Ashtu si çdo ndërtesë mbështetet nga forca e shtyllave, ashtu edhe çdo akt bamirësie mbështetet nga një forcë që nuk është menjëherë e dukshme. Është Tempulli i fesë dhe i lutjes, shpjegoi Papa, që e mbështet atë të afërsisë bujare.

"Megjithatë, në bazë të gjithçkaje, siç e kemi thënë, është lutja e, në veçanti, Rruzarja Shenjte. E vendosur simbolikisht në themelet e Shenjtërores dhe të qytetit, është motori i fshehur që e bën të mundur gjithë pjesën tjetër. Prandaj, ju nxis të gjithëve ta mbani gjithnjë gjallë këtë kushtim të lashtë e të bukur dhe ta përhapni kudo".

  (@Vatican Media)

Lutja, flaka e dashurisë dhe shërbimit

Pastaj Leoni XIV iu drejtua edukatorëve, priftërinjve, rregulltarëve e rregulltareve, e edhe vullnetarëve që frymëzojnë kaq shumë nisma solidariteti, për të sugjeruar një drejtim për jetën e tyre.

"Qoftë ky plani i jetës suaj: të jeni burra e gra të lutjes, për ta pasqyruar, si pasqyra të qarta dhe të përvuajtura, dritën që vjen nga Zoti! Kështu, me veprimet dhe fjalët tuaja, do ta ushqeni flakën e dashurisë që ndezi Shën Bartolo dhe do të jeni, në shërbim, dialog dhe në jetën e fesë, modele të besueshme dhe udhërrëfyes të mençur për këtë rini të mrekullueshme".

Së fundi, Papa i inkurajoi fëmijët e shumtë, që jetojnë në shtëpitë-familje të Shenjtërores të "besojnë në Jezusin", sepse mësimi i tij është...

“Lejoni t’ju përfshijë dhe t’ju frymëzojë gëzimi që vjen nga fjalët dhe shembulli i tij dhe kumtojani atë të gjithëve. Bota jonë ka shumë nevojë për këtë dhe ju, që e njihni mirë, mund të jeni, me freskinë tuaj, dëshmitarët më bindës”.

08 maj 2026, 10:27