Kërko

Leoni XIV mban fjalimin e tij para Komunitetit të Villa Nazareth Leoni XIV mban fjalimin e tij para Komunitetit të Villa Nazareth

Leoni XIV në komunitetin e Villa Nazareth: qoftë vatër e mendimit të krishterë

Papa priti dje në Vatikan institucionin arsimor themeluar 80 vjet më parë nga Domenico Tardini, si shenjë dhe mjet i edukimit e i paqes. I inkurajoi anëtarët të këmbëngulin në mbështetjen intelektuale, morale dhe financiare të të rinjve që "kanë nevojë për dritë dhe udhëzim, veçanërisht për të krijuar unitetin e mendjes e të shpirtit, besimit, studimit, profesionit dhe jetës". Presidenti aktual, Kardinali Parolin, në Meshën e përvjetorit theksoi:a jetojmë bashkimin gjithnjë e më të vërtetë

R.SH. / Vatikan

E themeluar tetëdhjetë vjet më parë, pas Luftës II Botërore, nga intuita e Kardinalit Domenico Tardini, asokohe Sekretar i Shtetit, si laborator shprese në atë që asokohe ishte zonë e urbanizuar rishtazi e Romës, por me kupolën e Shën Pjetrit në pamje të plotë, Villa Nazareth nxiti një dialog të domosdoshëm ndërmjet fesë, kulturës dhe bamirësisë, veçanërisht për të rinjtë më të pafat. Dje, 30 maj, në kohë ndryshimesh, por në të cilat brezat e rinj ende kanë nevojë për udhëzime që të rriten brenda marrëdhënieve vëllazërore, ky përvjetor i veçantë u kremtua me Meshën kryesuar nga Kardinali Pietro Parolin dhe takimi pasues me Papën, në Sallën e Bekimeve të Pallatit Apostolik, në Vatikan. Edukatorë, studentë, bashkëpunëtorë, ish-studentë, miq dhe asistentë shpirtërorë u mblodhën me Ipeshkvin e Romës për t'u forcuar në një mision që është më i domosdoshëm se kurrë në botën e sotme. Në rastin e Villa Nazareth, ky mision ka çuar në diplomimin e më shumë se 1,300 studentëve.

Për paqe të qëndrueshme, të formohen prijës të rinj, që të bëjnë të mirën

Papa Leoni, në fjalën e tij, kujtoi zanafillën e Villa Nazareth, themeluar për t’u ofruar mundësi arsimore "të pasurve me talent dhe vullnet të mirë, por që nuk i kanë mjetet e nevojshme për të ndjekur një kurs studimi". Është kjo thirrja që edhe Kardinali Parolin e theksoi në përshëndetjen e tij, duke ilustruar vlerat e saj frymëzuese, ato të Doktrinës Sociale të Kishës, të cilave më vonë iu shtuan thirrjet për bujari e stil modest jetese.

Këtë dëshironte Kardinali Achille Silvestrini, udhërrëfyesi dhe mësuesi i Villa Nazareth gjatë kalimit në mijëvjeçarin e ri. Ai ishte "kujdestar i palodhur dhe interpretues modern i karizmës origjinale", tha për të Sekretari i Shtetit Parolin, para Pasardhësit të Pjetrit.

E Papa, duke e ftuar komunitetin të mbajë gjithmonë në mendje ikonat ungjillore të Larjes së Këmbëve dhe të Samaritanit të Mirë, episode nga të cilat mund të frymëzohet vazhdimisht, theksoi largpamësinë e Tardinit:

Themeluesi e kuptoi se, për të nxitur paqen e qëndrueshme, ishte e nevojshme të stërviteshin të rinjtë si udhëheqës të mirësisë, duke u siguruar atyre mjetet e duhura për të jetuar vlerat e Ungjillit në familjet e tyre, në studimet e tyre, në kohën e tyre të lirë dhe në praktikimin e profesionit të tyre.

Një vatër dhe një farkë e mendimit të krishterë

Papa citoi enciklikën e tij të fundit Magnifica Humanitas- “Ajo që shpëton njerëzimin nuk është vetëmjaftueshmëria e shtuar, por marrëdhënia që çliron e bashkësia, që shndërron" - dhe këmbënguli nevojën për të ndërtuar jo një Kullë tjetër të Babelit, por Qytetin e Zotit, që e mbajnë në këmbë dashuria dhe vëllazëria universale.

Megjithatë, në dritën e të gjitha këtyre, do të doja të kujtoja dhe të inkurajoja një aspekt të fundit të punës suaj: qëllimin për ta bërë Villa Nazareth vatër, e vatër të mendimit të krishterë, ku konvergjenca e përpjekjeve intelektuale, morale dhe ekonomike të burrave dhe grave nga breza dhe sfera të ndryshme të jetës kontribuon në thellimin, rritjen dhe përhapjen e një kulture gjithnjë e më të ndriçuar nga mësimet e Ungjillit.

Ndërsa për sfidën e përjetimit të një bashkësie gjithnjë e më autentike e më të thellë foli Kardinali Parolin në homelinë e tij para audiencës, gjatë kremtimit Eukaristik.

Më parë, asistent student në fund të viteve 1990, Sekretari i Shtetit përsëriti, në prag të Solemnitetit të Trinisë së Shenjtë, se "Zoti ynë nuk është vetmi e izoluar, por bashkësi e përsosur jete dhe dashurie ndërmjet personave hyjnorë: Atit, Birit e Shpirtit Shenjt. Sfida e bashkësisë duhet të jetë gjithnjë e më e vërtetë, gjithnjë e më e thellë, gjithnjë e më reale ndërmjet nesh".

Papa takohet me Komunitetin e Villa Nazareth (@VaticanMedia)

Të rinjtë kanë nevojë për dritë e udhëzime

Papa, më në fund, citoi atë që paraardhësit e tij, Shën Gjon Pali II dhe Benedikti XVI, u thanë anëtarëve të Villa Nazareth, dhe kujtoi mësimet e tyre: nuk duhet të jemi robër të krenarisë dhe të mendësisë së sundimit, por të angazhohemi gjithmonë në dialog. Këto janë udhëzime për t'u ndjekur edhe në kohën tonë:

Këto thirrje sot janë më të vlefshme se kurrë, në një kohë kur të rinjtë kanë mundësi dhe mjete të mrekullueshme për njohuri dhe rritje, por ata gjithashtu kanë nevojë të madhe për dritë dhe udhëzim, veçanërisht për të krijuar unitet të mendjes dhe të shpirtit, të besimit, studimit, profesionit dhe jetës.

 

31 maj 2026, 13:03