Kërko

Leoni XIV mban fjalimin e tij para anëtarëve të Fondacionit Centesimus Annus - Pro Pontifice në Vatikan Leoni XIV mban fjalimin e tij para anëtarëve të Fondacionit Centesimus Annus - Pro Pontifice në Vatikan

Leoni XIV: "Pas krizës së demokracive qëndron një krizë antropologjike"

Në audiencën me Fondacionin Centesimus-Annus Pro Pontifice, Leoni XIV theksoi rëndësinë e Doktrinës sociale të Kishës, në qendër të enciklikës "Magnifica Humanitas". Kriza e demokracisë është krizë antropologjike. Ndërmjet ndarjeve të shoqërisë bashkëkohore, duhet të nxisim dialogun e bazuar mbi të vërtetën, për të përmirësuar njerëzimin e përbashkët. Njeriu është i thirrur të marrë sërish në shqyrtim pyetjet themelore.

R.SH. / Vatikan

Kërkimi i së vërtetës, liria si marrëdhënie dhe dialogu: këto janë tre reflektimet ofruar nga Papa Leoni XIV për anëtarët e Fondacionit Centesimus Annus Pro Pontifice, pritur në audiencë sot, e shtunë, 30 maj, në Sallën Clementina të Pallatit Apostolik, në Vatikan. Të pranishëm, rreth katërqind vetë, duke përfshirë edhe ata, që morën pjesë në Asamblenë e përgjithshme të Fondacionit dhe në Konferencën ndërkombëtare 2026.

Ndërmjet ndarjeve të botës, lind shpresa e re për njerëzimin e përbashkët

Në fjalimin e mbajtur në anglisht, Papa kujtoi enciklikën e fundit Magnifica Humanitas për të theksuar rëndësinë e doktrinës shoqërore të Kishës në shoqërinë bashkëkohore. Është temë "veçanërisht afër zemrës sime", shpjegoi Ati i Shenjtë, sepse "përbën një pjesë themelore të misionit të Kishës në botë". Nga Enciklika Magnifica Humanitas, pra, lindin udhëzimet e ofruara nga Papa. Së pari, një reflektim mbi "njerëzimin e zakonshëm":

Jetojmë në një epokë të karakterizuar nga luftërat dhe nga polarizimi në rritje, si dhe nga ndarje kulturore e shoqërore. Megjithatë, në mes të brishtësisë, lind shpresa e re. Edhe pse ndarjet duket se rriten, duket edhe një emërues i përbashkët që na bashkon në mënyrë të pamohueshme të gjithëve: njerëzimi ynë i përbashkët.

Kërkimi i së vërtetës dhe etja për Zotin

Përballë fatkeqësive, njeriu është i thirrur të rimendojë një pyetje themelore: cilin drejtim të zgjedhë si "bashkësi njerëzore". Kjo është - shpjegon Papa Leoni XIV - pyetja themelore:

Pyetje të tilla janë shprehje e qartë e kërkimit të së vërtetës së njerëzimit dhe bëjnë të lindë dishira për diçka më shumë, etjen për Zotin e ndjesitë e qëndrueshme.

Demokracitë dhe multilateralizmi në krizë

Në zemrën njerëzore - vazhdon Papa - banon edhe dëshira për liri, e kuptuar jo si "aftësi për të bërë çka dëshiron" ose absolutizëm, por më tepër si "dimension marrëdhëniesh", "vetë-dhënie dhe hapje ndaj të tjerëve". Ky tip lirie - vijoi Papa - i referohet Qytetit të Zotit, përshkruar nga Shën Augustini: "i themeluar mbi dashurinë e Zotit deri në pikën e dhurimit të vetvetes dhe mbi kultivimin e marrëdhënieve", ajo "e bën vërtet të mundur ndërtimin e një qytetërimi dashurie".

Nga kjo perspektivë, mund të zbulojmë se ajo që fshihet pas krizës së demokracive bashkëkohore dhe dobësimit të multilateralizmit është, në fakt, krizë antropologjike, që rrjedh më shumë nga harresa e madhe e Krijuesit.

Mbani gjithmonë në mendje dinjitetin e çdo individi

Pavarësisht nga gjithçka - është inkurajimi i Papës - nuk duhet t'i dorëzohemi dëshpërimit, por të ndërtojmë një barrierë kundër dehumanizimit, duke zbatuar "një shumë besnikërish të vogla dhe të palëkundshme" e, mbi të gjitha, duke praktikuar dialogun "bazuar në të vërtetën që e njeh dhe e vlerëson njerëzimin e përbashkët të çdo njeriu":

Mbajtja në mend e dinjitetit të lindur të çdo individi, na lejon t’i tejkalojmë egoizmin dhe interesat e veçanta në favor të së mirës së përbashkët. I njëjti dinjitet gjithashtu, ofron kontekstin në të cilin mund të flasim për një pluralizëm të shëndetshëm, që njeh kontributet e pasura të njerëzve me origjina të ndryshme dhe çon në bashkëjetesë paqësore.

Veprimtaria e Fondacionit

Audienca me Papën përfundoi me dy çaste kyçe në punën e Fondacionit Centesimus Annus - Pro Pontifice: Asambleja e Përgjithshme, e mbajtur më 28 maj në Romë me temën "Mendimi shoqëror katolik përball sfidat  e lirisë e të pluralizmit në ekonomi e shoqëri të çrregulluara. Duhet ripërtëritur Vizioni i Centesimus Annus" - e konferenca ndërkombëtare e mbajtur dje në Vatikan me titull "Një botë e fragmentuar në kërkim të përshpirtërisë: liria dhe pluralizmi përmes doktrinës shoqërore të Kishës".

30 maj 2026, 11:51