Leoni XIV: Kisha t’i trajtojë me pjekuri vështirësitë e panumërt
R.SH. / Vatikan
Pjekuria dhe realizmi. Dhembshuria dhe mëshira. Dy takime që, në vizionin e Papës, duhet të bashkohen për t’u dhënë fund pengesave, të cilat sot i mundojnë familjet në mbarë botën. Kjo, dëshira e shprehur në një mesazh video publikuar dje, 30 maj, me rastin e Simpoziumit Kombëtar të Familjeve, organizuar nga Komisioni i Jetës dhe Familjes i CNBB (Konferenca Episkopale Braziliane) në Aparecida të Brazilit.
Ndihem thellësisht në harmoni me ju dhe me punën që po kryeni së bashku, me lutjen dhe reflektimin e secilit, mbi një temë kaq thellësisht të rëndësishme: familjen.
Bashkësi e mëshirshme e dallim i kujdesshëm
Papa kujton mësimin e Kishës. Sipas tij familja është "qeliza e parë dhe themelore e shoqërisë" e, për këtë arsye, duhet të mbrohet dhe të nxitet. Nga ana e saj, familja është e thirrur të shpallë dashurinë e Zotit në shoqërinë e sotme, duke e kuptuar plotësisht identitetin e saj si “bashkësi unike personash formuar nga një burrë dhe një grua" vetëm kur "shikon drejt Zotit Jezus dhe flijimit të Tij në kryq, për Nusen e Tij, Kishën".
Megjithatë, është e nevojshme t'i shohim familjet me realizëm e dhembshuri, të vetëdijshme për vështirësitë e panumërta që i prekin - domethënë, brishtësinë e tyre, krizat, ankthin dhe një mori situatash të tjera vuajtjeje. E gjithë kjo kërkon nga Kisha dhe punonjësit baritorë sjellje të mëshirshme e dallim të kujdesshëm e të matur.
Familja si "edukatore e paqes"
Papa Leoni ofron shembullin e Familjes së Shenjtë të Nazaretit për të reflektuar mbi "virtytet e vogla dhe themelore të shtëpisë" dhe për t'i zbatuar ato në dritën e modeleve të Shën Jozefit dhe Virgjërës Mari.
Si e tregoi Benedikti XVI, familja kryen një mision të lashtë dhe të pazëvendësueshëm si “edukatore e paqes”.
