Kërko

Leoni XIV, ipeshkvijve të rinj ndihmës të Romës: ndihmojini "gurët e flakur" të qytetit

Në Bazilikën Laterane, Ipeshkvi i Romës kryesoi ritin e shugurimeve ipeshkvnore dhe i nxiti ata që po shuguroheshin të jenë "barinj rruge" që kujdesen për më të dobëtit, të shtypur nga "ata që ndjekin ambicien e pakuptimtë të përcaktimit të arkitekturës së tokës". Ftesa e Papës është të përmbysë logjikën e sundimit, e cila përdor "konflikte për të zgjedhur më të fortët" dhe i konsideron "ata që dorëzohen si mbeturina të historisë".

R.SH. / Vatikan

"Askush, pikërisht askush, nuk duhet ta mendojë veten si i flakur nga Zoti".

Një festë e popullit. Kështu e përshkroi Papa Meshën kryesuar në Shën Gjonin e Lateranit dje pasdite, më 2 maj, me ritin e shugurimit ipeshkvnor për katër ipeshkvijtë e rinj ndihmës të Dioqezës së Romës, emëruar më 25 shkurt nga radhët e klerit romak: Alessandro Zenobbi, Stefano Sparapani, Andrea Carlevale dhe Marco Valenti. Një festë e mirëkuptuar nga kujdesi i ndërsjellë ndërmjet Barinjve të rinj dhe besimtarëve, që u besojnë atyre si prijës në jetën baritore dhe shoqërore të qytetit të Romës. Një festë me 2,500 vetë në Bazilikë dhe afërsisht 800 të mbledhur në oborr. Në zemër të homelisë ishte përsëri tema e unitetit të Kishës e cila, kur bashkohet me Krishtin, bëhet "shtëpi e fortë dhe mikpritëse", si dhe mbrojtja e të ashtuquajturve "të braktisur" të botës, tek të cilët duhet të arrijë afërsia dhe përqafimi i ndihmësve të Papës.  

Solemniteti i kremtimit përshkohet nga një ndjenjë e thellë bashkësie, që i përqafon Barinjtë e rinj të vreshtit të Zotit. Pyetja e katër të zgjedhurve dhe thirrja e Shpirtit, si dhe litania e gjatë e Shenjtorëve, përforcojnë angazhimin e prelatëve për të ruajtur të paprekur depozitën e pastër dhe të plotë të fesë, që u është besuar nga populli. Të përkulur para altarit të katedrales, nënës së të gjitha kishave, ata demonstrojnë publikisht përvujtërinë me të cilën dëshirojnë t'i shërbejnë Kishës, duke shpallur besnikëri dhe bindje ndaj Papës. Papa Leoni shtrin duart mbi kokën e secilit;  janë çastet në të cilat bashkohen lutja dhe bekimi, premtimi dhe hiri. Mbi ato koka, vendosen edhe duart e tjera, ato të ipeshkvijve të bashkëpranishëm, që kalojnë përpara, ndërsa kandidatët mbeten të gjunjëzuar.

Shugurimet ipeshkvnore (@VATICAN MEDIA)

Libri i hapur i Ungjijve vendoset mbi kokën e secilit, duke i ngjasuar çatisë së një shtëpie si shenjë mbrojtjeje, ndërsa Papa thotë lutjen e shugurimit. Pastaj fillojnë të ashtuquajturat rite "shpjeguese" për secilin prej të katërve: vajosja me bagëm; paraqitja e Ungjijve për të shpallur Lajmin e Mirë me "madhështi shpirti dhe doktrine"; paraqitja e unazës, vula e martesës me Kishën; paraqitja e mitrës dhe e shkopit baritor, për të qeverisur grigjën e Ζotit.

Zemra e misionit është "guri i flakur tutje".

Të jesh Kishë e bashkuar, aspekt kishtar tejet i dashur për Leonin, është diçka që jehon pozitivisht në të gjithë qytetin. Ipeshkvi i Romës është i bindur për këtë dhe, në katedralen "e tij", ku universaliteti dhe bamirësia janë karakteristika të shquara, ua beson veten atyre që do ta ndihmojnë Pasardhësin e Pjetrit për shërbesën e tij, në këtë qendër të Krishterimit botëror. Ndër bashkëkremtuesit, së bashku me Kardinalin Baldo Reina, Vikar i Romës, ishte Angelo De Donatis, kardinali i Pendestarëve dhe paraardhësi i tij. Puna do të jetë edhe më e frytshme nëse Barinjtë ndjekin shembullin e Jezusit, theksoi Papa në predikim. Edhe pse vazhdimisht i refuzuar nga bashkëkohësit si i padenjë për të ardhur në botë dhe jo i dëshiruar si Bir i Perëndisë, Jezusi këmbënguli në "kërkimin e deleve të humbura, duke u ulur në tryezë me to, e duke çarmatosur duart dhe zemrat që donin t'i vrisnin me gurë". Prej këndej, thirrja e tij drejtuar dishepujve të sotëm:

Kisha që jeton në Romë, gur i flakur tutje, është zemra e shpalljes mesianike, përballë atyre që shoqëria i refuzoi dhe vazhdon t'i refuzojë. Është zemra e shpalljes sonë, e misionit tonë.

Në Krishtin, të flakurit rigjejnë dinjitetin

Duke vazhduar me metaforën, që Jezusi e quan guri i flakur tutje, e që  lexohej në liturgjinë e djeshme, në kapitullin e dytë të Letrës së parë të Shën Palit Apostull, Papa, në homelinë e tij flet për të si për një "flamur shprese të re" në kryeqytetin e atëhershëm të perandorisë së madhe. Sot Roma duhet ta çmojë atë shpresë dhe të vazhdojë ta ushqejë, sipas një logjike shërbimi dhe vëllazërie:

Duke përmbysur logjikën e sundimit, atë të atyre që ndjekin ambicien e pakuptimtë të përcaktimit të arkitekturës së Tokës, ndodh në Krishtin që të refuzuarit rizbulojnë dinjitetin e tyre dhe ndihen të zgjedhur për Mbretërinë e Ζotit.

Me konfliktet shkelen të ligshtit, "mbeturinat e historisë".

Papa Leoni sqaroi dinamikën, që krijon mbeturina shoqërore, nga të cilat sot duket se nuk është e përjashtuar. E përdor një shprehje shumë të mprehtë për t'iu referuar këtyre njerëzve që kanë plagët e të fuqishmëve.

[...] Ja përse, deri më sot, ne bëhemi gurë të refuzuar nga njerëzit dhe të zgjedhur nga Zoti: kur, me jetën dhe fjalët tona kundërshtojmë planet që shtypin të ligshtit, nuk respektojmë dinjitetin e çdo personi, përdorim konfliktet, për të zgjedhur më të fortin, ndërsa i lëmë pas dore ata që mbeten, ata që nuk ia dalin, duke pasur parasysh ata që i nënshtrohen mbeturinave të historisë. Jezusi eci midis nesh si profet i çarmatosur dhe çarmatosës, e kur u refuzua, nuk e ndryshoi stilin.

Askush nuk përjashtohet nga Kisha

Fjalët e Papës janë të qarta e, siç i bën të qarta vetë Leoni, pasqyrojnë plotësisht veprën e paraardhësit, Françeskut, duke cituar Evangelii Gaudium-in e tij e fjalët e tij tani të famshme, kushtuar barkës së Pjetrit duke e quajtur "spital fushor" që nuk harron periferitë materiale dhe ekzistenciale të shoqërisë.  E përsëri:

Ju inkurajoj të shtrini dorën te gurët e refuzuar të këtij qyteti dhe t'u shpallni atyre se në Krishtin, gurthemeli ynë, askush nuk përjashtohet të bëhet pjesë aktive e ndërtesës së shenjtë që është Kisha dhe e vëllazërisë ndërmjet qenieve njerëzore.

" Mos i lejo të të kërkojnë, lejo të të gjejnë".

Mos u kënaqni me privilegje.

Harmonizoni dallimet, mirëpritni, dëgjoni, falni. Ky është mandati që Papa u jep ipeshkvijve të rinj. Me rekomandimin për të mos ndjekur, e edhe këtu, trashëgimia e Françeskut është e qartë, protagonizmin dhe kotësinë. Misioni është unik dhe duhet domosdoshmërisht, përsërit ai, të jetë sinodal, duke përfshirë të gjithë ata që kontribuojnë në shpalljen e Ungjillit sipas karizmave dhe shërbesave të ndryshme. Kontributi i laikëve është themelor, edhe për Papën Leoni, për të rikthyer shpresën dhe motivimin në një botë të plagosur dhe të çorientuar.

Lëreni të veprojë në ju Shpirtin e profecisë: mos u kënaqni me privilegjet që kushti juaj mund t'ju ofrojë, mos e ndiqni, si bota, logjikën e vendeve të para, jini dëshmitarë të Krishtit, që nuk erdhi për t'u shërbyer, por për të shërbyer.

Ζojës Salus Populi Romani, Nënës së besimit tonë, Papa ia beson veten, duke kërkuar ndihmë, për të qenë "pasqyrim i Bariut të Mirë”.

03 maj 2026, 12:56