"Leoni në Romë": dokumentar mbi vitet e Prevostit në Qytetin e Amshuar
R.SH. / Vatikan
Janë kujtimet e atyre që e panë diakonin e ri augustinian kur mbërriti në Kolegjin Ndërkombëtar Santa Monica për herë të parë, pasi kishte mbërritur në Romë ̵ nga Çikago në vitin 1981. Më pas, lutjet dhe meshët, tërheqjet jashtë qytetit, shëtitjet nëpër qendër të qytetit, shakatë ndërmjet studentëve dhe çastet e çlodhjes. Janë historitë e atyre që e mbështetën gjatë viteve si Prior a Epror i Përgjithshëm i Urdhrit të Shën Augustinit, pozicion të cilin e mbajti për dy mandate, nga viti 2001 deri në vitin 2013, duke përfshirë takime, çaste dëgjimi, sfida të kapërcyera brenda bashkësisë dhe shtegtime në zemër të Afrikës ose në kufijtë e Azisë e të Australisë, për të vizituar misione të ndryshme.
Kujtime e pamje, që mbeten në sytë e atyre, të cilët i ndoqën mësimet e tij të katekizmit për fëmijët e Cesanos, atyre që e panë të gjunjëzohej para shenjtërores së Shën Ritës në Cascia, ose të përhumbur në lutje para varrit të Shën Augustinit, në Pavia a duke medituar tek këmbët e Nënës së Këshillit të Mirë, në Gjenacan. Janë dëshmitë e atyre që bashkëpunuan me të në Kurien Romake, ku për dy vjet shërbeu si Prefekt i Dikasterit për Ipeshkvijtë, me urdhër të Papës Françesku, i cili e krijoi kardinal.
Janë afërsisht nëntëmbëdhjetë vjetët që Robert Francis Prevost, Papa i sotëm Leoni XIV, i kaloi në Qytetin e Amshuar, Romë. Kjo vepër, e prodhuar nga gazetarët e Vatikanit Felipe Herrera-Espaliat, Salvatore Cernuzio dhe Tiziana Campisi dhe e redaktuar nga Jaime Vizcaíno Haro dhe Stefano Anella, kujton përvjetorin e parë të zgjedhjes së Papës së parë amerikan në histori, më 8 maj 2025.
Fytyra, zëra, histori, zbulesa dhe anekdota miqsh, vëllezërish, priftërinjsh, murgeshash, të rinjsh dhe çiftesh të martuar të cilët, për disa ditë ose periudha të gjata, qëndruan pranë njeriut që e udhëhoqi Kishën universale për një vit, tani pikturojnë portretin e një miku, një udhëheqësi dhe një bariu. E gjithë kjo zhvillohet në kontekstin e një Rome, që e ndryshon fytyrën vit pas viti.
“Leoni në Romë” është dokumentari i tretë kushtuar Papës Leoni XIV, i prodhuar nga media e Vatikanit. Vjen pas filmit “León de Perú”, i paraqitur në qershor 2025, mbi vitet e misionit në vendin e Amerikës së Jugut, dhe filmit “Leo nga Çikago” mbi rrënjët amerikane të Prevost, publikuar në nëntor 2025.Dokumentari do të publikohet në kanalet zyrtare mediatike të Vatikanit në përvjetorin e fillimit të shërbesës Petrine dhe do të jetë i gatshëm edhe për mediat sipas kërkesës.
