2018.05.09 Roma, simposio sul patrimonio arabo cristiano e sul dialogo tra Islam e Cristianesimo, dialogo interreligioso

Gjon Pali II në Damask: Papa i parë në një xhami, 25 vjet më parë

Ishte 6 maj 2001, kur Papa Gjon Pali II bëri thirrje për "bashkëpunim midis të krishterëve dhe myslimanëve".

R.Sh. / Vatikan

Pati hequr këpucët dhe pati veshur pantofla të bardha. U lëkund pak kur hodhi hapat e tij të parë ngaqë nuk kishte këpucë veshur por pantofla, por më pas vazhdoi udhëtimin e tij drejt e te zona e lutjes. Ishte 6 maj 2001 – njëzet e pesë vjet qysh atëherë – kur Papa i parë në histori, Gjon Pali II, shkeli në një xhami, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Siri. President asokohe ishte Bashar al-Assad. Vizita u zhvillua në xhaminë e madhe umajade, në pjesën e vjetër të Damaskut, midis rrugëve të ngushta të pazarit.

Prej andej, Papa Vojtila i bëri një thirrje botës islame që të krishterët dhe myslimanët të njiheshin më mirë me njëri-tjetrin dhe të edukonin të rinjtë për mirëkuptim dhe tolerancë. Në atë xhami, Papa u ndal paksa për një çast reflektimi para memorialit të Gjon Pagëzorit, brenda të cilit, sipas traditës, ruhet koka e profetit, i cili nderohet edhe nga myslimanët.

Kronikat e kohës rrëfejnë me hollësi atë moment historik, i cili u përsërit më vonë nga pasardhësit e tij: Benedikti XVI, Françesku dhe madje edhe Papa Leoni, i cili, në më pak se një vit të papnisë së tij, ka vizituar dy xhami: atë në Stamboll, nëntorin e kaluar, dhe atë në Algjer, gjatë udhëtimit të tij të fundit në Afrikë.

Gjon Pali II u pat pritur nga myftiu i madh Ahmed Kuftoro:

"Atë i Shenjtë," i pat thënë ai, duke folur arabisht, "nuk mund ta imagjinoni gëzimin tonë. Ky është një rast që shkon përtej historisë dhe do të japë shumë fryte, duke filluar me paqen në botë." "Është hera e parë që një Papë viziton një xhami," iu përgjigj Gjon Pali II në anglisht. "Edhe për mua, është një ditë shumë e rëndësishme."

E gjithë kjo ndodhi në një rrëmujë të madhe, aq sa si sardinali Roberto Tucci, organizatori i udhëtimeve papnore, ashtu si edhe Arturo Mari, fotografi personal i Papës, mbetën jashtë vendit të shenjtë. Një nga zyrtarët e Vatikanit u rrëzua në atë rrëmujë por pa pasoja serioze.

Gjithashtu, zëdhënësi i atëhershëm i Vatikanit, Joaquin Navarro, vuri në dukje se ishte një ditë "historike", sadoqë myftiu i madh shfrytëzoi rastin për të sulmuar Izraelin dhe "hebrenjtë sionistë" për gjendjen në Palestinë. "Ku është qeveria e Shteteve të Bashkuara, ku është Këshilli i Sigurimit i OKB-së?" pyeti udhëheqësi islamik një çerek shekulli më parë.

Gjon Pali II ecte me një bastun në atë kohë, mbi të cilin mbështetej gjatë momentit të meditimit në xhami. Megjithatë, fjalimet u mbajtën jashtë, në oborr.

Kronikat e kohës përmendin gjithashtu një ngjarje të paplanifikuar: zgjatja e ceremonisë kishte sjellë orën e lutjes së pasdites për myslimanët, dhe pajisja automatike që zëvendësonte muezinin hyri në veprim dhe thirri për lutje nëpërmjet altoparlantit. Rreth dyzet vetë, në të njëjtin oborr, u gjunjëzuan dhe filluan të luteshin.

Midis atyre që shoqëruan Papën në këtë vizitë historike ishin patriarku i atëhershëm latin i Jeruzalemit, Michel Sabbah, patriarku kaldeas i Irakut, Raffael Bidawid, kardinali Jean Marie Lustiger i Parisit, ky vetë hebre i konvertuar në katolicizëm, i cili pati parë nënën dhe motrën e tij të vdisnin në kampin e përqendrimit të Aushvicit. Mes tyre, i pranishëm ishte edhe Ernesto Olivero, themeluesi i «Sermig», i Shërbimit Misionar të të Rinjve.

05 maj 2026, 14:54