Kërko

Papa Leoni nënshkruan kopjen e parë të librit me fjalimet e tij si Prior i Përgjithshëm i Augustinianëve Papa Leoni nënshkruan kopjen e parë të librit me fjalimet e tij si Prior i Përgjithshëm i Augustinianëve

Besnikë ndaj së kaluarës, a besnikë ndaj së ardhmes? Tekst i Robert Prevost, i vitit 2010

Nga libri i ri i titulluar “Librat nën hir (LEV)”, në librari nesër, një ndërhyrje e fuqishme e mbajtur në Filipine nga Papa i ardhshëm: çfarë qëndrimi duhet të kenë besimtarët dhe bashkësitë e krishtera përballë ndryshimit: të ruaj status quo-në apo "të arrijë botën"?

R.SH. / Vatikan

Del në librari Të lirë nën hir. Në shkollën e Shën Agustinit përballë  sfidave të historisë” (Libreria Editrice Vaticana), libër që përmbledh ndërhyrje dhe fjalime të Robert Francis Prevost kur ishte Prior i Përgjithshëm i Urdhrit të Shën Agustinit.

Vëllimi, i përgatitur nga Urdhri i Shën Augustinit me rastin e përvjetorit të parë të zgjedhjes së Papës Leoni XIV, do të paraqitet të mërkurën, më 6 maj, në Romë (ora 17:00, Instituti Papnor Patristik Augustinianum) në një takim ku do të marrin pjesë Sekretari i Shtetit të Vatikanit Kardinali Pietro Parolin; Priori i Përgjithshëm i Urdhrit të Shën Augustinit, Atë Joseph Farrell; Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Komunikim, Paolo Ruffini; shkrimtarja Maria Grazia Calandrone dhe Drejtori i Medias së Vatikanit, Andrea Tornielli. Teksti, i redaktuar nga augustinianët Rocco Ronzani, Miguel Ángel Martín Juárez dhe Michael Di Gregorio, aktualisht po përkthehet në 30 vende të botës.

Paraqesim këtu tekstin e predikimit nga Gjenerali i atëhershëm Atë Robert Francis Prevost për inaugurimin e Kapitullit të Përgjithshëm të Ndërmjetëm të Provincës Santo Niño de Cebu, mbajtur në Kishën e San Augustín de Intramuros, Manila, më 19 shtator 2010.

Robert Francis Prevost

Në vitin 2008, augustinianët kremtuan këtu 500-vjetorin e lindjes së Andrés de Urdaneta, një navigator i famshëm dhe i aftë i cili, pas vitesh të jetuara duke luftuar, zbuloi në mësimet e Shën Agustinit një ftesë për të ndryshuar jetën e tij: mësoi se e vetmja përgjigje e vërtetë për dëshirën e zemrës njerëzore mund të gjendet te Zoti e në dashurinë e Tij. Kjo e vërtetë ia ndryshoi jetën: nga marinar dhe navigator i suksesshëm, u bë anëtar i Urdhrit të Shën Agustinit. Qyteti Urdaneta u bë i famshëm për zbulimin e asaj që njihet si tornaviaje, rrugë detare kthimi, e sigurt dhe e shpejtë, nga Filipinet në Meksikë. Kjo tornaviaje u bë rrugë e rëndësishme transporti dhe tregtie ndërmjet Azisë dhe Amerikës. Por Urdaneta përjetoi një tornaviaje shumë më domethënëse. Kthesa dhe hyrja e tij në jetën fetare simbolizojnë një lloj kthimi shumë të ndryshëm: kthimin ose konvertimin te Zoti.

Figura e tornaviajes, ose "udhëtimit të kthimit", mund të jetë një imazh shumë i përshtatshëm për ne augustinianët, që u mblodhëm këtu në fillim të Kapitullit tonë të Përgjithshëm të Ndërmjetëm. Edhe ne jemi të thirrur të bëjmë një udhëtim e të zbulojmë se i vetmi udhëtim i vërtetë dhe kuptimplotë është ai që na çon te Krishti. Ne të gjithë e kemi ndërmarrë këtë udhëtim, i cili fillon, sigurisht, me lindjen dhe, për ata që janë të krishterë, me takimin e parë me Krishtin në pagëzim. Megjithatë, për disa, kjo ndodh në çastin që e dëgjojnë Fjalën, siç i ndodhi Agustinit, udhëtimi i të cilit drejt Krishtit ndodhi gjatë viteve të përvojës së tij të gjatë të pendimit, shumë kohë para vendimit për të marrë pagëzimin. E vazhdoi, në mënyra të ndryshme, pas pagëzimit, në kërkimin e tij për Zotin si murg, prift dhe ipeshkëv.

Për ne, rregulltarët e shuguruar, udhëtimi është jetë në shërbim të Krishtit, veçanërisht si bashkësi dishepujsh. Si augustinianë, është udhëtim i jetuar  gjatë jetës komunitare dhe shërbimit apostolik. Por ne mundemi, diku gjatë rrugës, të ngadalësojmë, duke u bërë të vetëkënaqur dhe të shpërqendruar, ose edhe të ngecur në jetën tonë shpirtërore dhe në punën baritore. E njëjta gjë mund të na ndodhë edhe neve në bashkësi, e jeta e bashkësive dhe rrethinave tona lokale mund ta humbasë fuqinë e saj, për t'i frymëzuar dhe për t`i tërhequr të tjerët. Entuziazmi energjik tipik i të rinjve mund të zhduket gradualisht, e atëhere ne rrëshqasim lehtësisht në rutinën e përditshme - gjithmonë të njëjtë, pa kurrfarë ndryshimi.

Guximi dhe shpirti aventuresk i Urdanetës, që zbuloi tornaviajen, mund të rifitohet këtu, në këtë vend historik ku kemi ardhur për të kremtuar liturgjinë e hapjes të Kapitullit tonë. Ndoshta ndryshimi, ose rruga e re që po kërkojmë, mund të lindë nga disa pyetje: a duam ta mbajmë atë që kemi, të qëndrojmë aty ku jemi, apo duam t'i dëgjojmë zemrat tona të shqetësuara, t'i dëgjojmë në lutje, t'i kushtojmë vëmendje Fjalës së Ζotit   dhe t'i dëgjojmë ata që ndër ne, kërkojnë dhe lexojnë shenjat e kohërave? Thua e kemi mundësinë për të zgjedhur diçka të ndryshme, për një ndjenjë të re dhe të ripërtërirë misioni në jetën tonë?

"Asnjë shërbëtor nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve; sepse ose do ta urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin, ose do t'i përkushtohet njërit dhe do ta përçmojë tjetrin. Ju nuk mund t'i shërbeni Perëndisë dhe mamonit" (Luka 16:13). Më bën përshtypje se fraza e lexuar në Ungjillin e sotëm mund të përkthehet në këto terma: a jemi të ndarë ndërmjet dëshirës sonë për të ndjekur Krishtin, pavarësisht kostos, e dëshirës sonë për të qëndruar aty ku jemi, të kënaqur dhe me pak dëshirë, ose aftësisë për të ndryshuar rrugën në të cilën jemi? Këtu, në këtë vend, është e përshtatshme të pyesim veten nëse edhe ne kemi nevojë të zbulojmë një drejtim të ri, një kthesë, një shndërrim të ri.

Ka pasur reflektim të gjerë, në kontekste të ndryshme të jetës fetare, mbi pyetjen "ruajtje - apo mision?". Dua ta ndaj me të gjithë ju këtë mëngjes, i bindur se mund të na ndihmojë edhe gjatë dy javëve të ardhshme. A po i mbajmë gjërat thjesht ashtu siç janë, e fryma misionare është gjallë në zemrat tona? Për të na ndihmuar, të reflektojmë mbi këto pyetje, e të ofrojmë disa krahasime.

Kur shqyrtojmë kuptimin e shërbesës, grupi që dëshiron vetëm të ruajë do të thotë: "Ne duhet t'i qëndrojmë besnikë të kaluarës sonë", ndërsa një komunitet me frymë misionare do të thotë: "Ne duhet të jemi besnikë të së ardhmes sonë".

Duke matur efektivitetin e saj, një komunitet i interesuar për ruajtjen do të pyesë veten: "Si është i qëndrueshëm financiarisht ky apostolat?". Ndërsa një komunitet i përkushtuar ndaj misionit do të bëjë një pyetje tjetër: "Si mund të krijojmë shumë dishepuj?".

Kur mendojmë për ndryshimin dhe nëse duam apo mund të bëjmë diçka ndryshe, ata që janë të interesuar në ruajtjen e status quo-së argumentojnë: "Nëse kjo krijon probleme për disa prej nesh, ne nuk e duam". Pyetja kryesore, megjithatë, për ata që i janë të kushtuar misionit, do të jetë: "Nëse kjo na ndihmon të arrijmë disa nga ata që janë larg, ne e pranojmë rrezikun dhe e bëjmë këtë".

Stili i udhëheqjes, në mendësinë e atyre që favorizojnë ruajtjen, është kryesisht menaxherial, i organizuar mirë dhe efikas: në këtë rast, udhëheqësit kërkojnë të mbajnë gjithçka në rregull dhe të sigurojnë që gjithçka të shkojë pa probleme. Një komunitet, megjithatë, nëse është i pajisur me vizion profetik dhe me jetë të përkushtuar ndaj misionit, do të ndjekë një lloj tjetër udhëheqjeje: stili i udhëheqësit do të jetë, mbi të gjitha, transformues, i aftë të ofrojë një vizion të asaj që mund të jetë, me gatishmërinë për të shkuar larg dhe për t'u përballur me shumë rreziqe, që ta bëjë vizionin realitet.

Komuniteti i përkushtuar ndaj mirëmbajtjes do të mendojë, para së gjithash, se si ta shpëtojë Kongregacionin e vet. Komuniteti i përkushtuar ndaj misionit do të mendojë, para së gjithash, se si ta arrijë botën. "Asnjë shërbëtor nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve; sepse ose do ta urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin, ose do t'i kushtohet njërit dhe do ta përçmojë tjetrin. Ju nuk mund t'i shërbeni Ζotit dhe mamonit" (Luka 16:13). Në komentin e tij mbi Predikimin në Mal, Libri II, Augustini, duke shpjeguar pamundësinë e shërbimit të dy zotërinjve, thekson se askush nuk përfundon duke "urryer Perëndinë" kur bëhet shërbëtor i një zotërie tjetër. Përkundrazi, indiferenca ose kompromisi mbizotëron, duke e marrë Perëndinë dhe hirin e tij si të mirëqenë. Kjo mund të jetë shumë mirë situata jonë: pasi kemi humbur entuziazmin tonë fillestar, jemi të kënaqur me atë që po bëjmë tashmë. Ungjilli i sotëm na kujton të gjithëve nevojën për të bërë zgjedhje radikale, përkushtim të plotë të jetës sonë ndaj Perëndisë dhe misionit të Ungjillit. Sot, na kujtohet zgjedhja që bëmë dhe jemi të ftuar të rinovojmë angazhimin, për ta jetuar misionin tonë ungjillëzues. Shpirti Shenjt na priftë dhe na ndriçoftë!

© Urdhri i Shën Agustinit

© Dicastery for Communication – Libreria Editrice Vaticana

03 maj 2026, 14:39