Kërko

Yaoundé, Papa takon universitarët: "Formoni ndërgjegje të lira për një humanizëm të ri afrikan"

Në Universitetin Katolik të Afrikës Qendrore, Leoni XIV i fton studentët dhe pedagogët të rizbulojnë të vërtetën si themel të shoqërisë, të përballojnë sfidat etike të revolucionit dixhital dhe të rigjallërojnë rolin e Afrikës si nxitëse e shpresës globale

R.SH. - Vatikan

Në Yaoundé, kryeqyteti i Kamerunit, veprimtaria e fundit e Papës Leoni XIV për ditën e sotme është takimi me universitarët. Ati i Shenjtë u beson atyre një mision të vështirë, por edhe shpresëdhënës: të kërkojnë të vërtetën dhe të ndërtojnë një shoqëri më të drejtë. Në fjalën e tij, mbrëmjen e sotme, Papa i sheh të rinjtë si brezin e aftë për ta kapërcyer individualizmin dhe konfuzionin etik, duke përcaktuar formimin e gjithanshëm dhe ndërgjegjen e lirë e të drejtë si themelin e një humanizmi të ri afrikan.

Një takim ndërmjet fesë, dijes dhe dëshmisë

Mbërritja e Papës në oborrin e kampusit të Universitetit Katolik të Afrikës Qendrore shoqërohet me këngë dhe dëshmi. Ai mirëpritet nga rektori Thomas Bienvenu Tchoungui, i ndjekur nga fjalimi i një pedagogu dhe nga dëshmia e disa studentëve, në një atmosferë që pasqyron vetë natyrën e universitetit: një bashkësi e gjallë, ku ndërthuren dija dhe përvoja.

I themeluar në vitin 1989 nën kujdesin e Selisë së Shenjtë, universiteti lindi me një thirrje specifike: të edukojë një brez të ri të aftë për të kontribuar në rilindjen shoqërore, politike dhe morale të Afrikës. Motoja e tij, "Në shërbim të së Vërtetës dhe të Drejtësisë", bëhet boshti i fjalimit papnor.

Universiteti si bashkësi e së vërtetës

Leoni XIV thekson një pikë kyçe: universiteti nuk është thjesht vend për transmetimin e dijes, por bashkësi. Këtu, pohon ai, përjetohet një "vëllazërim në dije", ku e vërteta nuk është abstrakte, por ndahet me të tjerët, kërkohet së bashku.

Duke kujtuar traditën e Kishës dhe mendimin e John Henry Newman, Papa thekson se kërkimi i së vërtetës është njëkohësisht qëllim dhe mënyrë për ta jetuar jetën. Në një botë të karakterizuar nga mbetja në sipërfaqen e gjërave dhe nga humbja e pikave të referimit, universiteti bëhet hapësirë ​​e privilegjuar për botën e brendshme, miqësinë dhe reflektimin kritik.

Sfida kulturore dhe dixhitale

Një nga pasazhet më të mprehta, në fjalën e Papës, ka të bëjë me transformimin dixhital. Ati i Shenjtë paralajmëron kundër një realiteti në të cilin inteligjenca artificiale dhe mjediset dixhitale ka rrezik t'i reduktojnë takimet njerëzore në një funksion të thjeshtë.

Kur simulimi e zëvendëson realitetin, paralajmëron ai, aftësia për shqyrtim e shoshitje dobësohet dhe shoqëria fragmentohet në "flluska" të mbyllura. Prandaj, ai u kërkon studentëve të zhvillojnë jo vetëm aftësi teknike, por edhe të kenë një edukim të fortë humanist të aftë për të demaskuar logjikën e pushtetit dhe paragjykimet e fshehura në sistemet teknologjike.

Formimi i ndërgjegjes për të mirën e përbashkët

Më pas, tema e ndërgjegjes vihet në qendër të fjalës së Papës. Asnjë shoqëri, pohon Leoni XIV, nuk mund të lulëzojë pa ndërgjegje të pastra e të drejta. Në një kuadër të karakterizuar nga pabarazia, korrupsioni dhe kriza morale, universitetet kanë për detyrë formimin e njerëzve të lirë, të aftë për të shoshitur dhe për ta orientuar vendin drejt së mirës së përbashkët.

Thirrja u drejtohet edhe pedagogëve, të cilët duhet të jenë modele të integritetit dhe të rigorozitetit. Edukimi, sugjeron Ati i Shenjtë, nuk kufizohet vetëm në transmetimin e aftësive, por plazmon identitetin moral.

Të rinjtë afrikanë, protagonistë të së ardhmes

Së fundi, Leoni XIV u flet drejtpërdrejt studentëve të Kamerunit dhe të të gjithë kontinentit afrikan. Para tundimit për të kërkuar një të ardhme më të mirë diku tjetër, ai i nxit ata të investojnë në vendin e tyre, duke i vënë aftësitë që kanë fituar në shërbim të krejt bashkësisë.

Afrika, përfundon Papa, ka një rol vendimtar në botën bashkëkohore: ajo mund të zgjerojë horizontet e një njerëzimi, që përjeton krizën e shpresës. Por kjo do të jetë e mundur vetëm përmes të rinjve të edukuar me të vërtetën, drejtësinë dhe përvujtërinë, të vetëdijshëm se ata janë, para së gjithash, dishepuj.

17 prill 2026, 20:36