Vizita e Papës në Universitetin Sapienza të Romës, më 14 maj
R.SH. - Vatikan
Papa Leoni XIV do të bëjë një vizitë baritore në Universitetin Sapienza të Romës, më 14 maj. Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë njoftoi sot, 25 prill, programin për vizitën e mëngjesit të Papës në universitet: fillon në orën 10:20 në kapelën e universitetit "Divina Sapienza". Do ta mirëpresin Kardinali Vikar Baldo Reina, rektorja e universitetit, Antonella Polimeni, dhe kapelani, Atë Gabriele Vecchione. Papa do të ndalet brenda kapelës për një çast të shkurtër lutjeje në heshtje dhe do të përshëndesë një grup studentësh, pastaj do të shkojë me makinë drejt sheshit qendror, ku do t'i përshëndesë studentët nga shkallët monumentale. Në orën 10:45 të mëngjesit, planifikohet takimi privat me rektorin në Pallatin e Rektorit dhe nënshkrimi i Librit të Nderit. Në orën 11:00 të mëngjesit, në korridorin jashtë Zyrës së Shtetit, do të zbulohet pllaka përkujtimore e ditës, e më pas do të përshëndeten anëtarët e Senatit Akademik dhe punonjësit e Universitetit.
Papa në dialog me ata që përballen me të ardhmen
Në orën 11:15 të paradites, Papa Leoni do të vizitojë ekspozitën "Sapienza dhe Papati", vendosur në hapësirat e universitetit. Pesëmbëdhjetë minuta më vonë, do t'u drejtohet fakultetit dhe studentëve, në Aula Magna. Pas vizitës, shkëmbimi i dhuratave dhe një përshëndetje për delegacionin studentor.
Së fundmi, para se të kthehet në Vatikan, Papa do të ndalet në shkallë e Universitetit La Sapienza të Romës për përshëndetjen e mëtejshme drejtuar studentëve. Në një deklaratë nga Vikariati i Romës, Kardinali Reina shprehu gëzimin e tij për vizitën e Papës në universitetin romak.
"Papa Leoni XIV ka treguar gjithnjë kujdes të madh për të rinjtë. Prandaj i kërkoi dioqezës së tij t`i shoqëronte udhëtimet e brezave të rinj të rritur në fe", theksoi kardinali Reina. "La Sapienza e Romës është universiteti më i madh në Evropë. Angazhimi, në dialog me ata që përballen me të ardhmen përmes shkencave dhe kërkimeve të ndryshme, është me rëndësi themelore. Ne do ta dëgjojmë me kujdes atë që do të na thotë Ati i Shenjtë gjatë vizitës së tij, të cilën do ta vlerësojmë për shërbesën tonë universitare dhe rinore".
