Vizita e Papës në Ucac, simbol akademik i një njësie në diversitet
R.SH. – Vatikan
Lindja e një "Shtëpie të Besimit për Paqen" që mund të kontribuojë në parandalimin e konflikteve. Përurimi i "Sheshit Shën Augustini", për të përfaqësuar bindjen se duhet të jetë urtia ajo që udhëheq shkencën. Një konferencë ndërkombëtare në maj të vitit 2026 mbi urtinë augustiniane përballë sfidave dhe problematikave me të cilat përballen sot shkenca dhe teologjia në botë dhe jo vetëm në Afrikë, dhe së fundi, ndërtimi i një spitali universitar kushtuar Leonit XIV. Këto janë angazhimet e ardhshme mbi të cilat po punon Universiteti Katolik i Afrikës Qendrore (Ucac), ndalesa përfundimtare e ditës së parafundit të Papës në Kamerun. Ky institucion mbulon gjashtë shtetet e zonës: Kamerunin, Republikën e Afrikës Qendrore, Kongo-Brazavillë, Gabonin, Guinenë Ekuatoriale dhe Çadin.
I themeluar nga Shoqata e Konferencave Episkopale të rajonit të Afrikës Qendrore, pas një marrëveshjeje të nënshkruar në vitin 1989 midis Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Kamerunit, Ucac numëron ndër fakultetet e tij ato të teologjisë, filozofisë, shkencave politike dhe juridike, shkencave sociale dhe menaxhimit.
Simbol i harmonisë
Që nga viti 2024, rektor i tij është kamerunasi Atë Thomas Bienvenu Tchoungui. “Që nga themelimi ynë, universiteti ynë ka qenë një hapësirë ku kultura, gjuhë dhe tradita të ndryshme takohen në një shpirt dialogu, respekti dhe bashkëpunimi. Ai propozohet, pra, si një simbol akademik i këtij uniteti në diversitet, i cili është baza si e harmonisë mes kombeve, ashtu edhe e bashkësisë kishtare”.
Në këtë shpirt, i gjithë komuniteti – nga rektori te pedagogët dhe studentët – uron që vizita e Papës të lejë një shenjë të qëndrueshme, si vullneti për të qenë në harmoni me Shën Augustinin, shenjtin pajtor qiellor. “A nuk ishte vallë Shën Augustini – vëren rektori – ai që na mësoi se qyteti tokësor ndërtohet solidarisht kur zemrat formohen në të vërtetën dhe në dashurinë bamirëse? Dhe në këtë pedagogji augustiniane mësojmë gjithashtu se paqja e jashtme supozon një konvertim të brendshëm dhe se drejtësia sociale është thjesht një ndërgjegje e drejtë”.
Nga këtu lindi ideja për të krijuar një "Shtëpi të Besimit për Paqen", për “kërkim, formim dhe ndërmjetësim, e hapur për aktorë kishtarë, civilë dhe institucionalë, me qëllim që të kontribuojë në parandalimin e konflikteve, konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe pajtimin kombëtar në nënrajonin tonë”.
Një shesh dhe një kongres për Shën Augustinin
Për të kremtuar vizitën e Papës do të jetë edhe përurimi i "Sheshit Shën Augustini", në zemër të kampusit universitar, si simbol i bindjes “se shkenca duhet të udhëhiqet nga urtia dhe se përgjegjësia publike dhe politike duhet të jetë e rrënjosur në një kuptim të thellë të personit njerëzor”. Një tjetër nismë, me qëllim për të lënë një trashëgimi të qëndrueshme sipas synimeve të rektorit, do të jetë kongresi ndërkombëtar, majin e ardhshëm, “mbi urtësinë augustiniane përballë sfidave dhe problematikave me të cilat përballen sot shkenca dhe teologjia në Afrikë dhe në botë”.
Kjo është një çështje themelore, vëren Atë Thomas, “sepse Augustini mishëron një dimension të plotë të urtisë. Në veprën De civitate Dei (Mbi qytetin e Hyjit), ai mëson se si të vendoset Mbretëria e Hyjit përmes dimensioneve si brendësia. Sot shohim se njerëzimi është i tërhequr nga pamja e jashtme dhe, përballë fluksit të informacionit dhe gjithçkaje që ndikon në botën tonë, nëse na mungon një bazë e shëndoshë e brendësisë, na mungojnë përgjigjet, për shembull, për të mbrojtur të rinjtë tanë, të cilët sot janë të rrezikuar”. Nga këtu buron nevoja për një reflektim mbi urtësinë e shenjtit përmes një takimi që “do të përfshijë universin e shkencës, sfidat e shkencës dhe të teologjisë në dimensionin e dashurisë bamirëse, gjithë dimensionin augustinian edhe të gëzimit përballë anktheve që mbizotërojnë sot, dhe pa harruar shpresën”.
Një spital kushtuar Papës
Një tjetër angazhim i rëndësishëm për Ucac-un është ndërtimi, i cili është në vijim e sipër, i një spitali universitar kushtuar Papës me qëllim që ai të bëhet "Qendra Universitare Katolike Leoni XIV". Të gjitha këto janë shenja domethënëse të dëshirës së fortë të mbarë komunitetit të Ucac-ut, që vizita e Papës, përfundon rektori, “të rezonojë thellë në zemrat, madje edhe në kujtimet dhe mendjet e gjeneratave të ardhshme dhe të atyre që do të jenë sërish këtu për të jetuar këtë ngjarje feje, këtë ngjarje shprese”.
