“Todos, todos, todos!”
R.SH. / Vatikan
“Jemi mëshiruar, të bëhemi të mëshirshëm”. Pesë fjalë që përmbledhin shpirtin e një Pape dhe historinë e një papnie. Së bashku me atë “sa do të doja një Kishë të varfër dhe për të varfrit”, të thënë në fillim të shërbesës së tij. Një vit pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, Vatican News, Radio Vatikani dhe L’Osservatore Romano kujtojnë momentet më domethënëse në një dokumentar 27-minutësh me titull “Todos, todos, todos”, marrë nga një tjetër prej shprehjeve më emblematike të Papës së afërsisë me periferitë dhe të thirrjeve të pandërprera për paqe në një botë të përçarë nga një “luftë botërore copa-copa”.
“Todos, todos, todos!” – i cili do të jetë i disponueshëm në platformat e mediave vatikane me titra në italisht, spanjisht, anglisht, frëngjisht dhe arabisht – është kështu filli udhëheqës i një rrëfimi vizual që pasqyron stilin baritor të papnisë së Atit Shenjtë Bergoglio. Përmes pamjeve arkivore dhe sekuencave simbolike, videoja tregon një Kishë në dalje, të aftë për dialog dhe të pranishme në plagët e historisë.
Nga qendërsia e mëshirës deri te ndërtimi i marrëdhënieve të drejtpërdrejta, vitet e Françeskut në drejtimin e Kishës katolike në selinë e Shën Pjetrit dalin si një përvojë kishtare që ka përkthyer Ungjillin në gjeste konkrete dhe universalisht të kuptueshme.
Më shumë se një rikujtim, pra, është një kujtesë e gjallë, një vështrim që, një vit pas vdekjes së Françeskut, vazhdon të sfidojë të tashmen e Kishës dhe të botës.
