“Që të gjithë të kenë ushqim”: Leoni XIV paraqet ndjetin e lutjes për majin

Në një botë ku miliona njerëz nuk kanë ushqim të mjaftueshëm, Papa Leoni XIV ngre zërin e tij në lutje "që të gjithë të kenë ushqimin", që u nevojitet. Ky është ndjeti i lutjes së Atit të Shenjtë për muajin maj, me të cilin ai tërheq vëmendjen ndaj njërës prej sfidave më urgjente të kohës sonë: urisë dhe shpërdorimit të ushqimit. Përmes fushatës "Lutuni me Papën", Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës i fton besimtarët dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë të bashkohen në lutje për këtë ndjet

R.SH. – Vatikan

U paraqit sot, përmes Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës, ndjeti i Leonit XIV për muajin maj: “Të lutemi që të gjithë, nga prodhuesit e mëdhenj te konsumatorët më të vegjël, të impenjohen për të shmangur shpërdorimin e ushqimit dhe për t’u siguruar që çdo njeri të ketë ushqim cilësor”.

Në lutjen e tij, Ati i Shenjtë pranon me dhimbje se "miliona vëllezër dhe motra ende vuajnë nga uria, ndërsa në tryezat tona shpërdorohet kaq shumë ushqim". Papa fton për një vetëdije të re tek besimtarët: të mësojnë ta falënderojnë Zotin për çdo ushqim, ta konsumojnë atë me thjeshtësi dhe ta ndajnë me gëzim, duke i parë frytet e tokës si dhuratë hyjnore "të destinuara për të gjithë, jo vetëm për disa".

Papa i kërkon Zotit t’i bëjë bashkësitë njerëzore të afta ta transformojnë “logjikën e konsumit egoist në kulturë solidariteti”, duke nxitur gjeste konkrete: fushata ndërgjegjësimi, banka ushqimore dhe një mënyrë jetese të matur dhe të përgjegjshme. Lutja përfundon me një kërkesë ungjillore: “Askush të mos përjashtohet nga tryeza e përbashkët”.

Një krizë globale ushqimore në rritje

Të dhënat e fundit nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara paraqesin një kuadër shqetësues. Sipas Perspektivës Globale 2026 (ËFP), publikuar nga Programi Botëror Ushqimor, 318 milionë njerëz përballen me krizën e urisë në vitin 2026. Në të paralajmërohet se konflikti në Lindjen e Mesme mund t’i zhysë edhe 45 milionë njerëz të tjerë në uri brenda gjysmës së këtij viti. Dy zi buke të njëkohshme janë konfirmuar në disa zona të Gazës dhe të Sudanit në vitin 2025, të parat e këtij shekulli. Ky realitet bëhet edhe më shqetësues kur krahasohet me shpërdorimin e ushqimit në nivel global. Sipas Indeksit të Shpërdorimit Ushqimor të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), bota shpërdoron mbi një miliard ton ushqim. Kjo përbën edhe një problem serioz klimatik, pasi shkakton 8 deri në 10 përqind të emetimeve të gazrave serrë. Pikërisht kjo kontradiktë paradoksale është në qendër të ndjetit të lutjes së Papës Leoni XIV për këtë muaj maj.

Ja, lutja e Papës, “që të gjithë të kenë ushqim”

 

Në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit Shenjt. Amen.

 

O Zot i krijimit,

na e ke dhënë tokën pjellore dhe, bashkë me të, bukën tonë të përditshme,

si shenjë të dashurisë dhe të Provanisë tënde Hyjnore.

Sot, e pranojmë me dhimbje

se miliona vëllezër dhe motra ende vuajnë nga uria,

ndërsa në tryezat tona shpërdorohet kaq shumë ushqim.

 

Zgjo një vetëdije të re në ne:

që të mësojmë të falënderojmë për çdo ushqim,

të konsumojmë me thjeshtësi,

të ndajmë me gëzim,

dhe t'i vlerësojmë frytet e tokës si dhuratën tënde,

të destinuar për të gjithë, jo vetëm për disa.

 

O Atë i mirë,

na bëj të aftë ta transformojmë logjikën e konsumit egoist

në një kulturë solidariteti.

Bëj që bashkësitë tona të promovojnë gjeste konkrete:

fushata ndërgjegjësimi, banka ushqimore,

dhe një mënyrë jetese të matur dhe të përgjegjshme.

 

Ti që dërgove Birin tënd të dashur Jezus,

bukë të thyer për jetën e botës,

na jep një zemër të re, të uritur për drejtësi dhe të etur për vëllazëri.

Askush mos u përjashtoftë nga tryeza e përbashkët,

dhe Shpirti yt na mësoftë ta shohim bukën

jo si mall konsumi,

por si shenjë bashkimi e kujdesi.

 

Amen.

30 prill 2026, 15:06