Shenjtërorja e Pompeit Shenjtërorja e Pompeit

Programet dhe logot e vizitave baritore të Papës në Pompei e Napoli

Faqja e internetit e shenjtërores mariane të Pompeit dhe ajo e kryedioqezës së Napolit kanë publikuar hollësitë e ngjarjes së 8 majit: Leoni XIV do të mbërrijë me helikopter në shenjtërore dhe do të kryesojë meshën në sheshin Bartolo Longo në orën 10.30 të paradites. Ndërsa, do të shkojë në kryeqytetin e Kampanjës në orën 15.00, pasdite

R.SH. – Vatikan

         Janë publikuar në internet, programet dhe logot për vizitat baritore, që Papa Leoni XIV do të bëjë në kryedioqezën e Napolit dhe në shenjtëroren e Zojës së Rruzares Shenjte në Pompei.

Programi dhe logo për vizitën në Pompei

Leoni XIV do të mbërrijë në qytetin marian me helikopter të premten, më 8 maj, në orën 8.50. Do të pritet nga kryeipeshkvi prelat i Pompeit dhe Legat papnor, imzot Tommaso Caputo dhe nga kryetari i bashkisë së Napolit, Gaetano Manfredi, së bashku me autoritete të tjera civile. Në orën 8.55 në sallën Luisa Trapani, Papa do të prekë me dorë veprat e bamirësisë lokale, në një takim solidariteti me njerëz nga shtresa të varfra të shoqërisë, të ndihmuar nga qendra të ndryshme të shenjtërores së Pompeit. Pastaj, në orën 9.30, do të zhvendoset në sheshin Bartolo Longo. Leoni XIV do të hyjë në shenjtërore për të adhuruar të Shenjtnueshmin Sakrament dhe në orën 10.00 do t'i bëjë homazhe Shën Bartolo Longos, themeluesit të shenjtërores mariane, në kapelën kushtuar tij. Në Kapelën e Pajtimit, Papa do të përshëndetet nga të gjithë meshtarët e Prelaturës së Pompeit dhe të shenjtërores. Së fundi, në orën 10.30, ai do të kryesojë meshën në sheshin Bartolo Longo, e cila do të përfundojë në mesditë me lutjen drejtuar Zojës së Rruzares Shenjte të Pompeit. Në orën 15.00, Leoni XIV do të niset me helikopter për në Napoli.

Logoja e vizitës së Papës në Pompei, siç shpjegohet në faqen e internetit të shenjtërores, kombinon grafikisht dy imazhe themelore: Papën në lutje dhe Zojën Rruzare, së cilës i është kushtuar kisha. Papa shihet i zhytur në lutje, i heshtur dhe kontemplativ, i kthyer kah shën Maria, ndërsa i lidh një linjë si valë, duke sugjeruar udhën e përbashkët të besimit, fesë e bashkimit. Ngjyrat mbizotëruese janë e bardha dhe e verdha në të artë, të cilat kujtojnë përmasën universale të shërbesës pjetrine dhe praninë e Pasardhësit të Shën Pjetrit në mesin e popullit. Ndërkaq, bluja dhe e bardha janë ngjyrat, që kujtojnë shenjtëroren e Pompeit.

Programi dhe logoja për vizitën në Napoli

Pas Pompeit, Papa do të shkojë në Napoli me helikopter, duke u ulur në Rotonda Diaz, buzë detit, rreth orës 15.15. Gjysmë ore më vonë, në katedrale, do të zhvillohet një takim me klerin dhe përfaqësuesit e jetës së shuguruar, gjatë të cilit kryeipeshkvi, kardinali Domenico Battaglia, do t’i urojë Atit të Shenjtë mirëseardhjen, i ndjekur nga fjala e Leonit XIV. Në orën 17.15, Ipeshkvi i Romës do të mbërrijë në të mirënjohurën Piazza del Plebiscito për të përshëndetur besimtarët. Në Bazilikën e Shën Françeskut të Paolës, Papa do të takohet me bashkësinë lëmoshtare të Ordo Minimorum, themeluar nga shenjti, si edhe me disa personalitete. Rreth orës 17.30, kryeipeshkvi dhe kryetari i bashkisë së Napolit, Gaetano Manfredi, do të përshëndesin Papën, që më pas do të mbajë një fjalim. Takimi do të përfundojë me bekimin apostolik. Papa është planifikuar të kthehet në Vatikan me helikopter në orën 18.45.

         "Ecte me ta". Kjo frazë e marrë nga historia e dishepujve në rrugën për në Emaus, është tema e logos dhe e vizitës. Në logo, Papa është paraqitur me dorën e ngritur në shenjë përshëndetjeje dhe bekimi. Në sfond, duken qartë simbolet e qytetit të Napolit: mali Vezuv, gjiri, Bazilika e Shën Françeskut të Paolës në Piazza del Plebiscito dhe profili i katedrales. Në qendër, njerëz, që përfaqësojnë popullin e Zotit për udhë. Një fëmijë i mbajtur për dore nga prindërit simbolizon të ardhmen e Kishës së Napolit. Në të djathtë, dielli, simbol i Krishtit dhe i Eukaristisë.

24 prill 2026, 12:54