Kërko

Paqe dhe drejtësi: mesazhi i shpresës i Leonit XIV në Bamenda

Gjatë meshës në aeroportin e Bamendës, Papa Leoni XIV i bëri thirrje Kamerunit ta rindërtojë shoqërinë nëpërmjet fesë, unitetit dhe bindjes ndaj Zotit

R.SH. – Vatikan

Sot pasdite, Papa Leoni XIV kremtoi një Meshë të veçantë në aeroportin e Bamendës, Kamerun, ngjarje që mblodhi rreth 20.000 besimtarë. Ishte një takim me rëndësi të madhe shpirtërore dhe shoqërore, sidomos për katolikët, të cilët përbëjnë 33% të popullsisë e janë të përqëndruar kryesisht në jug. Ati i Shenjtë, shtegtar i shpresës dhe i unitetit, në këtë meshë kushtuar paqes dhe drejtësisë, u bëri thirrje atyre të kenë guximin për t'u bërë ballë sfidave të brendshme dhe të jashtme, që karakterizojnë jetën e popullit të Kamerunit. Vetë Bamenda, ku e kaloi sot ditën Papa, përshkohet nga dhuna e ndeshjeve ndërmjet forcave qeveritare dhe separatistëve anglishtfolës - të cilët kanë shpallur ndalimin e luftimeve gjatë vizitës papnore - por është edhe zonë e një varfërie dramatike dhe fushëveprimi e bandave të armatosura, që rrëmbejnë njerëz për të kërkuar shuma të mëdha në para.

  (@Vatican Media)

Zemra e thyer dhe shpresa për ndryshim

Në homelinë e tij, Leoni XIV nënvizoi se "Zoti është pranë zemërthyerve", prandaj, u bëri thirrje besimtarëve ta ripërtërijnë besimin në Hyjin, pavarësisht nga sfidat. Vuajtjet e popullit të Kamerunit, të keqësuara nga varfëria, korrupsioni, kriza ushqimore, problemet me shëndetësinë e arsimin dhe nga dhuna, janë shkak për trishtim, sidomos për shumë të rinj që detyrohen të emigrojnë, por Papa nxiti shpresën.

"Zoti është risi, Zoti krijon gjëra të reja", theksoi ai, duke përsëritur bindjen se nuk është kurrë vonë për ndryshime rrënjësore. Ky mesazh shprese deshi t’i ngushëllojë disi njerëzit e lodhur nga përballja me një të ardhme të pasigurt, duke i nxitur të gjithë të mos dorëzohen, por të veprojnë me guxim për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë.

  (@Vatican Media)

T’i bindemi Zotit për të fituar lirinë dhe drejtësinë

Ati i Shenjtë propozoi një rrugë tejet të veçantë për arritjen e lirisë, por që është e natyrshme për katolikët: bindjen ndaj Zotit, ndaj planit të Tij. Duke përmendur Leximin e Parë të liturgjisë së sotme (Vap 5,29-30), Papa kujtoi shembullin e apostujve, të cilët u përgjigjën me guxim para persekutimit: "Duhet t'i bindemi Zotit më shumë sesa njerëzve". Kjo thirrje për bindje ndaj Hyjit nuk shihet si akt nënshtrimi, por si rrugë drejt lirisë së vërtetë.

"Bindja ndaj Zotit na çliron", deklaroi Leoni XIV, duke i ftuar besimtarët ta lejojnë Fjalën e Atij të Lumit t’i udhëheqë veprimet e tyre të përditshme, duke nxitur paqen dhe vëllazërimin në shoqëri. Në një zonë, ku ritet e magjisë janë shumë të përhapura, Ati i Shenjtë ftoi të punohet për inkulturimin e Ungjillit e të mos bihet në “mashtrimin e atyre rrugëve, që e përziejnë fenë katolike me bestytni e tradita të tipit ezoterik”, shpesh, për qëllime politike e ekonomike.

  (@Vatican Media)

Një mozaik i larmishëm, por në unitet

Papa e përfundoi homelinë e tij me një thirrje të fuqishme për të rikrijuar unitetin. Në këtë vend, që vuan nga përçarjet e brendshme dhe nga sfidat sociale, ai kërkoi "të bashkohet larmia e ndryshimeve me pasuritë e vendit dhe të kontinentit". Vizioni papnor parashikon një shoqëri, që e arrin me punë e përpjekje paqen e pajtimin, në një projekt të përbashkët, i cili nuk mund të shtyhet.

"Ka ardhur koha për të rindërtuar", ngriti zërin Leoni XIV, duke theksuar urgjencën e ndryshimit tani e jo në një të ardhme të pasigurt. Prania e tij në Bamenda u bë kështu simbol i kësaj shprese të përbashkët, që u dha besimtarëve mesazhin se koha për të vepruar është pikërisht kjo, që po jetojnë.

Së fundi, Papa Leoni XIV bekoi të pranishmit, duke ripohuar se do të lutet vazhdimisht për Kamerunin dhe për të gjithë Afrikën, ndërsa përgatitej të kthehej me avion në Yaoundé, kryeqyteti i vendit. Mesazhi i tij mbetet një ftesë për të mos iu dorëzuar dëshpërimit dhe për të besuar në mundësinë e një të ardhmeje më të mirë përmes unitetit, fesë dhe drejtësisë.

16 prill 2026, 17:15