Kërko

Papa: Zoti nuk i bekon konfliktet, dishepujt e tij nuk i mbështesin ata që hedhin bomba

Leoni XIV pret anëtarët e Sinodit të Kishës së Bagdadit të Kaldenjve, të mbledhur në Romë për zgjedhjen e patriarkut të ri. Duke parë drejt Lindjes së Mesme, Papa u bën thirrje ipeshkvijve të jenë shenjë shprese në vendet e përdhosura nga "blasfemia e luftës dhe brutaliteti i bizneseve". Ai rekomandon transparencë në administrimin e pasurive dhe kujdes në përdorimin e mediave. Thirrje për respektimin e të krishterëve që të mos trajtohen si "qytetarë të rendit të dytë".

R.SH. – Vatikan

“Zoti nuk bekon asnjë konflikt” dhe kush është “dishepull i Krishtit” nuk qëndron kurrë në anën e “atij që dje rrokte shpatën e sot lëshon bomba”. Janë fjalë të ashpra këto të Papa Leonit XIV, po aq sa i ashpër është panorama e sotme e një “bote të shënuar nga dhuna absurde dhe çnjerëzore”, e nxitur nga “lakmia” dhe “urrejtja”. Papa priti sot paradite, 10 prill, në Vatikan, anëtarët e Sinodit të Kishës së Bagdadit të Kaldenjve. Një Kishë që i ka rrënjët në atë primitive dhe që është, prandaj, rojtare “e një feje të transmetuar ndër shekuj me guxim dhe besnikëri”. Rasti është mbledhja e asamblesë në Romë (nga 9 deri më 15 mars) për zgjedhjen e patriarkut të ri, pas dorëheqjes së kardinalit Louis Raphaël Sako, më 10 marsin e kaluar, për shkak të moshës. Një fazë “delikate dhe komplekse, ndonjëherë edhe kontradiktore”, vëren Leoni XIV.

Gjak i pafajshëm i njerëzve

Në fytyrat e këtyre barinjve, Papa sheh të pasqyruar Lindjen e Mesme me plagët, kompleksitetet dhe vështirësitë e saj. Për këtë arsye, “vëllezërve ipeshkvij” u beson një mandat të saktë: të jenë “shenja shprese” në mes të brutaliteteve që “përhapen me egërsi pikërisht në tokat ku lindi shëlbimi, në vendet e shenjta të Lindjes së krishterë, të përdhosura nga blasfemia e luftës dhe brutaliteti i bizneseve, pa marrë parasysh jetën e njerëzve, e konsideruar në rastin më të mirë si efekt anësor i interesave të veta”.

Por asnjë interes nuk mund të vlejë sa vlen jeta e më të dobëtëve, e fëmijëve, e familjeve; asnjë kauzë nuk mund të justifikojë gjakun e pafajshëm të derdhur.

Respekt i plotë për të krishterët

Me të njëjtën forcë, Papa Leoni kërkon respekt të plotë për të krishterët në tokat e Lindjes së Mesme, në mënyrë që “të ndihen të inkurajuar, pavarësisht të gjitha sprovave, të qëndrojnë të palëkundur në fenë e marrë nga Etërit dhe të qëndrojnë në territoret e tyre”. “Kjo – thotë Ati i Shenjtë – është e rëndësishme për mbarë Kishën, sepse rajonet ku lindi drita e fesë – orientale lumen – nuk mund të bëjnë pa besimtarët e Jezusit, pa të krishterët, të cilët janë për Lindjen e Mesme ashtu si yjet për qiellin”.

U shpërndafshin retë që errësojnë këtë dritë: të krishterët në mbarë Lindjen e Mesme u respektofshin, jo vetëm me fjalë: gëzofshin liri të vërtetë fetare dhe shtetësi të plotë, pa u trajtuar si mysafirë apo si qytetarë të rendit të dytë!

Punëtorë të palodhshëm të paqes

“Jam me ju”, pohon akoma Leoni XIV: “sprovat që po kaloni t'ju nxisin të ofroni një përgjigje të ndriçuar nga feja dhe të karakterizuar nga bashkësia, edhe ndaj të krishterëve që u përkasin konfeksioneve të tjera”, vëllezër në fe me të cilët “është mirë të vendosen marrëdhënie të bashkëndarjes autentike”. Kështu, shton Papa, “do të jeni një shembull i madh dhe inkurajim” edhe për “popullin e dashur dhe të admirueshëm” të Lindjes së Mesme që “e mbaj në zemër dhe për të cilin lutem”.

Ju, që jeni të thirrur për të qenë punëtorë të palodhshëm të paqes në emër të Jezusit, na ndihmoni të shpallim qartë se Zoti nuk bekon asnjë konflikt; t'i tregojmë botës se kush është dishepull i Krishtit, princit të paqes, nuk qëndron kurrë në anën e atij që dje rrokte shpatën e sot lëshon bomba; të kujtojmë se nuk do të jenë aksionet ushtarake ato që do të krijojnë hapësira lirie apo kohë paqeje, por vetëm promovimi i durueshëm i bashkëjetesës dhe dialogut mes popujve.

Është, pra, një mision i madh ai që u takon ipeshkvijve: “Të shpallin Krishtin e Ngjallur edhe në kontekste vdekjeje, të jenë prani e gjallë e fesë dhe e dashurisë, të mbajnë ndezur shpresën aty ku duket se po fiket”. Nuk duhet të dekurajoheni: “Zoti ecën me ju”, inkurajon Papa Leoni se siguron shoqërimin e Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Kishat Lindore.

Transparencë, vëmendje, përgjegjësi, maturi

Fjalë mirënjohjeje Papa i drejton edhe kardinalit Sako për “kontributet domethënëse” dhe “përpjekjet e jashtëzakonshme” të bëra prej tij. “Ndjej – shton Ati i Shenjtë – se kjo është koha e përtëritjes shpirtërore, e një përtëritjeje besnike ndaj traditave tuaja të çmuara dhe të veçanta, të cilat duhen ruajtur”. Referenca është te “pasuria” e trashëgimisë liturgjike dhe shpirtërore, me “rëndësi supreme” – siç pohoi Koncili Dytë i Vatikanit – për ruajtjen e “traditës së plotë të krishterë”.

Bashkë me këtë, Papa Leoni u drejton një thirrje “vëllazërore dhe atërore” anëtarëve të Sinodit kaldeas. Para së gjithash, të jenë “të vëmendshëm dhe transparentë në administrimin e pasurive, të thjeshtë, të matur” si dhe “përgjegjës në përdorimin e mediave, të kujdesshëm në deklaratat publike, në mënyrë që çdo fjalë dhe sjellje të kontribuojë në ndërtimin – dhe jo në lëndimin – e bashkësisë kishtare dhe dëshmisë së Kishës”.

Kini në zemër formimin e meshtarëve, bashkëpunëtorëve tuaj të parë në shërbesë: mbështetini ata me afërsi, duke ndërtuar me ta dhe për ta një vëllazëri konkrete dhe të prekshme.

Patriarku i ri

Papa skicon në fund profilin e patriarkut të ri që do të zgjidhet në ditët e ardhshme, për të ndihmuar në dallimin për zgjedhjen. Së pari, thotë Ati i Shenjtë, patriarku i ri duhet të jetë “një atë në fe dhe një shenjë bashkësie me të gjithë dhe mes të gjithëve”. “Lartmadhëria e Tij qoftë njeri i Lumturive: i thirrur jo për gjeste të jashtëzakonshme dhe për të zgjuar bujë, por për një shenjtëri të përditshme, të përbërë nga ndershmëria, mëshira dhe pastërtia e zemrës”, pohon Leoni XIV.

Qoftë Bari i aftë për të dëgjuar dhe shoqëruar, sepse autoriteti në Kishë është gjithmonë shërbim dhe asnjëherë hegjemoni.

Një “udhëheqës autentik dhe i afërt me njerëzit”, jo një “figurë dukëse dhe e distancuar”, është ai që do të duhet të udhëheqë Kishën e Bagdadit të Kaldenjve; një njeri “i rrënjosur në lutje”, “i aftë të mbajë peshën e vështirësive me realizëm dhe shpresë”, “mësues i veprimtarisë baritore që të gjejë rrugë konkrete për të mirën e popullit të Zotit së bashku me vëllezërit Ipeshkvij”, në një “shpirt përkimi” duke promovuar “unitetin në dashuri”.

10 prill 2026, 11:46