Papa vizitoi spitalin "Saint Paul" në Duala
R.SH. - Vatikan
Pas pritjes madhështore nga turma në Meshën kremtuar në stadiumin Japoma të Dualës, erdhi përkëdhelja dhe ngushëllimi i Papës për të shtruarit në spitalin katolik Saint Paul, ku Leoni shkoi për një vizitë private. I shoqëruar nga drejtoresha, Papa vizitoi disa reparte. Struktura, e menaxhuar nga kryedioqeza e Dualës, ndodhet në lagjen Bassa. Pati një moment lutjeje në Kishëz, dhe Papa qëndroi në oborr për një përshëndetje të shkurtër me personelin dhe disa të sëmurë.
Një shenjë ngushëllimi
Çdo ditë, pa asnjë ndërprerje, këtu synohet të ofrohet një shëndetësi e aksesueshme dhe cilësore. Një vëmendje e veçantë u kushtohet grave. Disa pacientë patën mundësinë sot t’i shtrëngonin dorën Papës, i cili me një butësi çarmatosëse u qëndroi pranë dhimbjeve të të vegjëlve dhe të rriturve. Mbi të gjithë, përfshirë edhe familjarët e pranishëm, Ati i Shenjtë Leoni XIV dha bekimin e tij apostolik përpara se të përshëndeste individualisht të shtruarit.
Plagët e shpirtit dhe ato të trupit
Pas thënies së lutjes "Ati Ynë", Papa pati mundësinë të hynte në dhomat ku kurohen disa të sëmurë. Leoni XIV iu afrua fëmijëve dhe të moshuarve. Në përfundim të vizitës, pak para orës 14:00 lokale, Papa Leoni u nis drejt aeroportit për t'u kthyer në Jaunde (Yaoundé), ku e pret takimi me studentët dhe akademikët e Universitetit Katolik të Afrikës Qendrore. Prania e Papës prek kështu plagët e luftës dhe ato të trupit, duke mbështjellë traumat e thella e duke kërkuar shërimin e shpirtit dhe të trupit.
