Kërko

Papa, meshtarëve të rinj: "ju u përkisni të gjithëve; mbajeni derën e Kishës të hapur"

Leoni XIV, duke kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit Meshën për shugurimin e dhjetë meshtarëve, i nxit të jenë "meshtarë të mirë", por edhe "qytetarë të ndershëm, të gatshëm, ndërtues të paqes dhe të miqësisë shoqërore", dëshmitarë të atyre që e dinë se siguria "nuk qëndron në rolin e dikujt", por "në historinë e shpëtimit", në të cilën merr pjesë populli i Zotit.

R.SH. / Vatikan

Në zemrat e tyre, ka trazirë dhe gëzim; në fytyrat e tyre, emocion dhe lumturi për një "po" që është përgjigje ndaj thirrjes së një Ati besnik e bujar. Kjo është e dukshme tek dhjetë të shuguruesit që sot, 26 prill, Dita Botërore e Lutjes për Thirrje, u bënë meshtarë. Në Bazilikën e Shën Pjetrit, të mbushur me 5,000 miq, të afërm dhe njerëz që dhjetë priftërinjtë e ardhshëm i konsideronin si dëshmitarë të çmuar në udhëtimin e tyre të fesë, Papa Leoni kremtoi Meshën e shugurimit meshtarak nën vështrimin e Zojës sonë të Montserratit, shenjtores mbrojtëse të Katalonjës, e njohur si Moreneta.

Ungjilli i Gjonit, në të cilin Jezusi e paraqet veten si "dera e deleve",  e frymëzoi predikimin e Papës, të cilin ai më pas e kryesoi, para se ta mbante. "Ja ku jam", ishte përgjigjja ndaj pyetjes së bërë nga dhjetë të pranishmit që u paraqitën për shugurim dhe që ishin konsideruar të përshtatshëm nga Kisha. Ata u përgjigjën duke bërë një hap përpara dhe duke përkulur kokën. Kardinali Baldo Reina, Vikar i Papës për Dioqezën e Romës, ia paraqiti Atit të Shenjtë, duke vërtetuar se ishin "të denjë" për shërbesën meshtarake.

Të dalësh për të gjetur njerëz e jetë

"Kjo është një e diel plot jetë" ̵ pohoi Leoni XIV në predikimin e tij, e cila na inkurajon, duke njohur realitetin shpesh të frikshëm, e na mbështet përballë "numrave" që përcaktojnë "një boshllëk ndërmjet njerëzve dhe Kishës" dhe i nxit meshtarët e rinj ta kalojnë çdo ditë "pragun e Misterit" që "ka fytyrën dhe emrin e Jezusit", duke e mbajtur gjithnjë derën e Kishës të hapur.

Jini pasqyrim i durimit dhe i butësisë së tij. Ju u përkisni të gjithëve dhe jeni për të gjithë! Le të jetë ky aspekti themelor i misionit tuaj: ta mbani pragun të lirë dhe ta tregoni atë, pa pasur nevojë për shumë fjalë.

"Ne të gjithë kërkojmë strehim, pushim dhe kujdes: dera e Kishës"- pohoi, "është e hapur. Jo për t'u izoluar nga jeta: jeta nuk kufizohet vetëm në famulli, shoqatë, lëvizje, grup".

Të dashur, dilni dhe gjeni kulturë, njerëz, jetë! Çudituni me atë që Zoti lejon të rritet, pa e pasë mbjellë ne. Ndonjëherë do t'ju duket sikur nuk e keni hartën. Por e ka Bariu i Mirë, zërin e të cilit, kaq të njohur, mund ta dëgjojmë. Sa njerëz sot ndihen të humbur! Të duket se nuk dinë të orientohen!

Një mënyrë e vështirë për të dashur dhe për t'u dashur në liri

"Në gatishmërinë e të rinjve, të cilëve Kisha sot u kërkon të shugurohen priftërinj, gjejmë shumë bujari dhe entuziazëm". Papa Leoni flet për "një forcë që na ringjall", për Shpirtin Shenjt, "që lidh njerëzit dhe thirrjet në liri, në mënyrë që askush të mos jetojë për veten e tij". "Shërbimi i meshtarit", pohoi ai, "është shërbesë bashkësie" në të cilën lidhja me Krishtin thellohet, përkatësia ndaj njerëzimit tonë të përbashkët bëhet më radikale. Është mister dinamik në të cilin nuk ka kundërshtim ndërmjet qiellit dhe tokës, që e angazhon "zemrën në një dashuri të pazgjidhshme: e angazhon dhe e mbush plot".

Jeni të thirrur në një mënyrë të veçantë, delikate dhe të vështirë të dashurisë, e akoma më shumë, të lënies së vetvetes në liri. Një mënyrë që mund t'ju bëjë jo vetëm priftërinj të mirë, por edhe qytetarë të ndershëm, të dobishëm, ndërtues të paqes dhe miqësisë shoqërore.

Realiteti nuk duhet të të frikësojë

Duke kujtuar një fragment nga Ungjilli nga Gjoni në të cilin Jezusi flet për figura agresive, Papa shpjegon se "ka një realizëm të madh në fjalët e Zotit: Ai e njeh mizorinë e botës, në të cilën ecën me ne", e megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, jep jetën e Tij.

Ja një sekret i dytë për jetën e një prifti: realiteti nuk duhet të na frikësojë. Është Zoti i jetës që na thërret. Shërbesa që ju është besuar juve, më të dashurve, le të komunikojë paqen e atyre që, edhe mes rreziqeve, e dinë pse janë të sigurt.

Siguria nuk vjen nga roli i dikujt

Papa Leoni na kujton se "nevoja për siguri i bën njerëzit agresivë", i nxit komunitetet të tërhiqen dhe frika përhapet - thekson Papa - rreth nesh dhe brenda nesh. "Siguria juaj", shpjegon, "nuk qëndron në rolin që mbani, por në jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit, në historinë e shpëtimit në të cilën merrni pjesë me popullin tuaj".

Është një shpëtim tashmë në veprim në kaq shumë të mira të kryera në heshtje,ndërmjet njerëzve vullnetmirë, në famulli dhe në mjediset me të cilat do të jeni afër, si shokë udhe. Ajo që shpallni dhe festoni do t'ju mbrojë edhe në situata të vështira.

Kopshtet e jetës

Populli me të cilin jemi në bashkësi, është pra një komunitet në të cilin Krishti Ngjallur është i pranishëm. Detyra e priftit është të njohë plagët dhe zërin e tij.

Janë bashkësi të cilat do t'ju ndihmojnë që edhe ju të bëheni shenjtorë! Edhe ju ndihmojini ata të ecin të bashkuar pas Jezusit, Bariut të Mirë, në mënyrë që të jenë vende - kopshte - të jetës që ringjallet dhe komunikohet.

Një bashkësi që jeton përsëri, në të cilën provohet të jetosh së bashku, ku njerëzit e largët mund të kthehen.

Të takohesh është gjithmonë dhe përsëri ta themelosh Kishën.

Mbajeni derën të hapur!

Duke u përqendruar te porta e hyrjes, që është Jezusi, Papa Leoni i nxiti meshtarët të afrohen me njerëzimin që vuan sepse, duke i rinisur ata në fe, "do ta ringjallni tuajën". Fton, pastaj, ta kalojmë çdo ditë pragun e Misterit, pa e bllokuar kurrë ose pa ua ndaluar atyre, që dëshirojnë të hyjnë.

Sot më shumë se kurrë, veçanërisht aty ku numrat duket se përcaktojnë një hendek ndërmjet njerëzve dhe Kishës, mbajeni derën hapur! Lërini njerëzit të hyjnë dhe jini gati të dilni. Ky është një sekret tjetër për jetën tuaj: ju jeni kanal, jo filtër.

Leoni thekson vështirësitë e atyre që nuk mund të hyjnë në atë derë: kujtime të një të kaluare të largët, "diçka e gjallë që nuk është shuar dhe që tërheq", por edhe diçka "që ende rrjedh gjak dhe të largon".

Ju hyni, por jeni të lirë. Papa e thekson këtë sepse Zoti "nuk ia merr frymën lirisë sonë", Kisha nuk është realitet mbytës. "Kushdo që shpëtohet", thotë Jezusi, "hyn, del dhe gjen kullotë". Ja ku është treguesi i fortë: dilni në rrugë, të sigurt sepse të mbrojtur nga Zoti, vëllezër e motra për njëri-tjetrin, dëshmitarë të një Zoti, që shpëton.

Priftërinjtë

Pas predikimit, Papa Leoni u kërkoi atyre t`i shprehin para popullit të Zotit angazhimet për të cilat thirret çdo predikatar i Ungjillit, mësimin e fesë katolike dhe kremtimin me përkushtim e besnikëri. Pastaj secili i zgjedhur iu afrua Papës, duke u gjunjëzuar dhe duke vendosur duart në të tijat, një gjest i bindjes së plotë ndaj Kishës. Të shtrirë përtokë, me fytyrat e mbështetura mbi krahët e tyre, dhjetë priftërinjtë e ardhshëm shoqërohen nga lutja e Litanisë së Shenjtorëve; një çast prekës dhe evokues që shpreh bashkësinë e Kishës. Dy gjeste, që janë shenja të hyrjes në shërbesën priftërore: vendosja e duarve mbi kokat e tyre, e kryer nga Papa në heshtjen e Bazilikës, mbi secilin të zgjedhur, e ndjekur nga ajo e disa presbiterëve, shpesh figura kyçe në shtegtimin e tyre drejt meshtarisë. Papa Leoni XIV, më pas, shqipton lutjen e shugurimit:

Jepu, Atë i Plotfuqishëm, këtyre bijve të tu dinjitetin e priftërisë...

Mehstarët e rinj, të ndihmuar, veshin stolën meshtarake petkun liturgjik të meshës. Papa ua lyen duart me bagmin e Shenjtë, u ofron bukën dhe kupën me verë, shkëmben një përqafim dhe një puthje paqeje, i mban pranë dhe i qetëson me një buzëqeshje, si një atë që inkurajon të birin pa frikë për të ardhmen, duke e ditur se edhe në rënie, Zoti ringre, mjekon e shëron çdo plagë.

26 prill 2026, 13:59