Papa, algjerianëve: mes dhimbjes dhe vdekjes në botë, frymëzoni dëshira bashkimi
R.SH. / Vatikan
Bazilika e Zojës së Afrikës në Algjer e vështron nga lart Mesdheun, e varur në një kep rreth 120 metra mbi nivelin e detit. Një horizont «pjellor», ndërsa «thatësira» mbi të cilën mbështetet realiteti ndonjëherë duket se sjell ndërmend shkretëtirën.
Këtë thatësirë, Papa Leoni XIV, duke u takuar me komunitetin vendas sot, 13 prill, në pjesën e fundit të ditës së parë të udhëtimit të tij apostolik, e njehsoi me "përçarjet dhe luftërat" që rrënojnë harmoninë "midis kombeve, brenda komuniteteve dhe madje edhe brenda familjeve". Por, sipas Papës, aq i gjerë sa edhe deti nga i cili vështron qyteti është edhe jeta "e madhe" e banorëve të këtushëm, "të bashkuar dhe në paqe", në një bashkësi që, në këtë ndërtesë, bëhet thirrje: një vend shtegtimi dhe përkushtimi, përfshirë këtu edhe myslimanët, të cilët përfaqësojnë më shumë se 90% të vizitorëve, siç pohoi në përshëndetjen e tij kardinali Jean-Paul Vesco, kryeipeshkëv i Algjerit. Mesdheu dhe shkretëtira, uji dhe rëra, janë të bashkuara nga i njëjti fat: të dyja gëlltisin dhe mbajnë jetët e këputura në mes të kaq shumë emigrantëve që kërkojnë një të ardhme më të mirë. Përpara monumentit që përkujton jetët e humbura në thellësitë e detit, jashtë Bazilikës, Papa u ndal dhe reflektoi mbi peshën e të gjitha këtyre jetëve. Një jehonë që era e shkretëtirës dhe valët e detit nuk mund ta davarisin.
Rrënjë të thella algjeriane
Në Bazilikë, Papa Leoni XIV foli pasi dëgjoi një "Himn për Paqen", të kompozuar për këtë rast nga besimtarë të krishterë dhe myslimanë, dhe disa dëshmi të anëtarëve të kësaj bashkësie.
Me gëzim të madh dhe dashuri atërore ju takoj sot, ju që jeni një prani e heshtur dhe e çmuar, e rrënjosur në këtë tokë, e karakterizuar nga një histori e lashtë dhe nga dëshmi të shkëlqyera besimi.
Në fjalën e vet, Papa kujtoi rrënjët "shumë të thella" të komunitetit vendas, të frymëzuara nga dëshmi të rëndësishme si ato të nëntëmbëdhjetë martirëve të vrarë midis viteve 1994 dhe 1996 gjatë luftës civile.
Ata zgjodhën të qëndronin pranë këtij populli në gëzimet dhe hidhërimet e tij. Gjaku i tyre është farë e gjallë që nuk resht kurrë së dhëni fryt.
Për më tepër, predikimi i Shën Augustinit dhe i nënës së tij, Shën Monikës, ka jehuar në të gjithë Algjerinë, kujtoi Papa. Nuk është rastësi që dy altare brenda Bazilikës u janë kushtuar këtyre dy shenjtërve.
Kujtimi i tyre është një kujtesë e shkëlqyer dhe është sot shenjë e besueshme e bashkimit, dialogut dhe e paqes.
Dialogu me Zotin
Në dritën e historive që dëgjoi, Papa u përqendrua tek tri aspekte të jetës së krishterë. Së pari, lutja, një praktikë aq thelbësore sa Shën Gjon Pali II, duke u takuar me besimtarë të rinj myslimanë në Kazablanka në vitin 1985, e krahasoi atë me ajrin që thithim.
Kështu, ai e paraqiti dialogun me Zotin si një element të domosdoshëm jo vetëm për jetën e Kishës, por edhe për atë të çdo personi.
"Edhe Shën Charles de Foucauld e pati kuptuar këtë," shtoi Leoni XIV, duke iu referuar një meshtari që jetonte në zonat e shkreta të Algjerisë, në kufi me Marokun.
Ai rekomandonte: "Lutuni shumë për të tjerët. Kushtojani veten shpëtimit të të tjerëve me të gjitha mjetet që keni në dorë: uratën, mirësinë, shembullin."
Ndarja e barrës me të tjerët, gjetja e paqes
Në këtë drejtim, Papa përsëriti dëshminë e Emmanuel-Aliut, një bashkëpunëtor që mikpret vizitorët në Bazilikë, i cili rrëfen se sa shtegtarë mbërrijnë të ngarkuar me shqetësime, duke kërkuar "dikë të gatshëm t'i dëgjojë dhe të ndajë barrën që mbajnë në zemrat e tyre". Emmanuel Ali vëren se, kur largohen nga ndërtesa, largohen "të qetë dhe të lumtur që kanë ardhur".
Lutja bashkon dhe humanizon, forcon dhe dëlir zemrën, dhe Kisha në Algjeri, përmes lutjes, mbjell njerëzimin, bashkimin, forcën dhe pastërtinë rreth saj, duke arritur në vende dhe situata që vetëm Zoti i njeh.
Besnikë të dashurisë
Papa më pas u ndal te virtyti i dashurisë, i frymëzuar nga këmbëngulja e Motër Bernadette-s nga ndihmesa e saj për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe prindërit e tyre në komunitetin e Notre-Dame du Lac Bam, në dioqezën e Laghouat. Nga një gjest fillestar afërsie – duke vizituar të sëmurët – lulëzuan marrëdhënie gjithnjë e më komplekse të kujdesit dhe mikpritjes, siç dëshmon përvoja e Fatimes së vogël. Nga seancat e saj të para të rehabilitimit, ku "nuk bënte gjë tjetër veçse qante dhe të ulërinte me gjithë shpirt", ajo nisi të trokiste vetë në derën e komunitetit për të marrë pjesë në veprimtaritë e planifikuara.
Është pikërisht kjo dashuri për vëllezërit dhe motrat e tyre që frymëzoi martirët që kemi kujtuar. Përballë urrejtjes dhe dhunës, ata i qëndruan besnikë bamirësisë deri në atë pikë sa sakrifikuan jetën e tyre, së bashku me shumë burra e gra të tjerë, të krishterë dhe myslimanë.
"Dua të qëndroj me ta"
Leoni XIV sjell ndërmend veprime të rëndësishme por të kryera në heshtje, "me qetësinë dhe vendosmërinë e dikujt që as nuk supozon dhe as nuk dëshpërohet, sepse e di se te kush e ka mbështetur besimin e tij". Midis tyre, ai citon fra Luc të Tibhirinës, një murg dhe mjek nga komuniteti i Notre-Dame de l'Atlas, i vrarë në vitin 1996 gjatë luftës civile algjeriane. "I përballur me mundësinë e largimit ose të shpëtimit të jetës", kujton Papa, "dhe me koston e braktisjes së pacientëve dhe miqve të tij, ai u përgjigj: 'Dua të qëndroj me ta'". Një shembull që Papa Françesku e kishte quajtur, me rastin e lumnimit të martirëve vendas, "një burim shprese për komunitetin katolik algjerian dhe farë dialogu për të gjithë shoqërinë".
Le të mbretërojë paqja dhe harmonia
Papa më pas trajtoi pikën e tretë dhe të fundit të reflektimit të tij: angazhimin për të nxitur paqen. Për ta bërë këtë, ai përmendi një mbishkrim nga mozaikët e Tipasës, qytet i lashtë romak ky në Algjeri: "In Deo, pax et concordia sit convivio nostro", që shqip do të thotë: "Te Zoti, paqja dhe harmonia kjofshin bashkëjetesa jonë". Nuk është rastësi që këto dy vlera udhëhoqën bashkësitë e para apostolike, siç vinte në dukje Shën Augustini, i cili shkruante se Kisha "lind popuj, por ata janë gjymtyrë të një trupi të vetëm", ose siç thoshte Shën Qipriani: "Sakrifica më e madhe [që mund t’i ofrojmë Zotit] është paqja që mbretëron midis nesh".
Mesazhe të forta, të thjeshta dhe të përvuajtura
Një shenjë e dukshme e kësaj që u tha është vetë Bazilika, e cila mundet t’i mbledhë të gjithë si fëmijët, "secili i pasur me veçoritë e veta", por të bashkuar nga e njëjta aspiratë "për dinjitet, dashuri, drejtësi dhe paqe". Ka edhe më: fëmijë që duan jo vetëm të jetojnë, por të ëndërrojnë, të punojnë, të luten dhe të ecin së bashku, të mbështetur nga një besojmë "që nuk izolon, por hap, bashkon, nuk ngatërron por bashkon pa standardizuar dhe mbështet vëllazërimin e vërtetë".
Në këtë kuptim, kumbojnë rishtas dëshmitë që dëgjuam si ajo e Rakeles, studente njëzet e gjashtë vjeçare pentekostale nga Kenia, pjesë e një bashkësie të re vendase të krishterë të quajtur «Tlemcen Fellowship», dhe ajo e Monias, një grua myslimane, e cila rrëfen se si myslimanët dhe të krishterët punojnë krah për krah kur u shërbejnë më të cënueshëmve dhe e gjejnë veten në të njëjtën përmasë të brendshme: kërkimi i Zotit në ndihmën që u jepet të tjerëve.
Në një botë ku përçarjet dhe luftërat mbjellin dhimbje dhe vdekje midis popujve, ndër komunitete dhe madje edhe ndër familje, jeta e juaj së bashku në paqe është një shenjë e shkëlqyer. Të bashkuar, ju përhapni vëllazërimin, duke frymëzuar tek njerëzit përreth jush dëshirat dhe ndjenjat e bashkimit dhe të pajtimit, me një mesazh gjithnjë e më të fortë dhe më të qartë për t'u dëshmuar me thjeshtësi dhe përulësi.
Është pikërisht ashpërsia e shkretëtirës, përfundoi Papa, që minon "çdo supozim se jemi të vetëmjaftueshëm", duke kujtuar se "brishtësia e pranuar hap zemrën për mbështetje të ndërsjellë dhe për thirrjen e Atij që mund të japë atë çka asnjë fuqi njerëzore nuk mund ta garantojë: pajtim të thellë të zemrave dhe, bashkë me të, paqe të vërtetë".
Lutja para monumentit të viktimave të lundërthyerjeve
Duke u larguar nga Bazilika, Papa u ndal para monumentit të viktimave të lundërthyerjeve. Deti, po ai që shkëlqen në horizont si një premtim pafundësie dhe takimi, e zbulon veten siç ka qenë shpeshherë: një humnerë, siç kujton Kardinali Vesco, për "ata migrantë në kërkim të një të ardhmeje më të mirë, jetët e të cilëve, që mbyllen para kohe, shumë shpesh përfundojnë në fund të detit ose në shkretëtirë".
"Lutuni për ne dhe për myslimanët"
Më parë, me të mbërritur në Bazilikë, Papa u prit nga dy fëmijë që i dhuruan tufa me lule, pastaj nga kardinali Vesco dhe rektori, Atë Peter Claver Kogh, i cili i ofroi kryqin dhe ujin e bekuar. Papa më pas përshkoi nefin qendror të kishës dhe arriti te altari, ku, pas një çasti adhurimi të Shenjtnueshmit, dëgjoi fjalët e mirëseardhjes së kardinalit, duke përsëritur se Bazilika është një "hapësirë takimi dhe vëllazërimi", simbolizuar nga mbishkrimi: "Lutuni për ne dhe për myslimanët". Kjo, deklaroi kardinali, "shpreh thirrjen amnore të Marisë për të gjithë njerëzimin dhe thirrjen e kësaj bazilike, e cila mbledh kaq shumë besime dhe mikpret ngjarje të shumta kulturore dhe fetare, duke përfshirë Ditët e Marisë Islamike-Kristiane".
Mendimi i fundit i kardinal Vescos iu kushtua atyre që ndoqën takimin nga afërsisht gjashtëdhjetë burgjet që vizitohen rregullisht nga kryedioqeza: "Ata mbështeten te lutjet tuaja dhe ju sigurojnë për të tyret."
Pas dëshmive, të ndërthurura me momente muzikore dhe interpretimit të "Himnit të Paqes", Papa mbajti fjalimin e tij. Kjo ceremoni u pasua nga një himn kushtuar Notre-Dame d'Afrique; vijoi me recitimin e uratës «Ati ynë», bekimin, ndezjen e një qiriu në altarin e Shën Monikës dhe, prap, një himn i fundit.
