Kërko

2026.02.11 Omaggio all'Immacolata, in occasione della Giornata Mondiale dei Malati

Papa: të ecim me të sëmurët dhe migrantët, sipas stilit të Zotit

Në një mesazh drejtuar Komisionit Papnor Biblik, me rastin e asamblesë së tij të përgjithshme, puna e së cilës, kushtuar vuajtjeve dhe sëmundjeve, fillon sot, më 13 prill, Leoni XIV fton të pranohet Krishti si i vetmi "mjek, që mund të shërojë sëmundjet e shpirtit". Pastaj, i inkurajon ekzegjetët ta pajtojnë "kërkimin shkencor" me "përvojat e zakonshme të jetës"

R.SH. – Vatikan

         Vuajtja e njerëzve, që detyrohen të ikin nga shtëpitë dhe vendet e tyre, duke sfiduar pasigurinë, shumë shpesh, edhe duke rrezikuar jetën, për të gjetur dinjitetin diku tjetër; ose ajo e atyre, që jetojnë çdo ditë në mënjanim, në periferitë ekzistenciale, është e njëjtë me vuajtjet e të sëmurëve, e atyre që durojnë vuajtje fizike, ose vdesin. Secila prej këtyre vuajtjeve përfaqëson një "ofertë të përvuajtur" "në bashkim me flijimin e Krishtit". Papa Leoni XIV e sqaron këtë në një mesazh drejtuar Komisionit Biblik Papnor, i cili po mban asamblenë e tij të përgjithshme, duke filluar nga dita e sotme, 13 prill e, deri të premten, 17 prill. Takimi përqendrohet në temën e vuajtjeve e të sëmundjeve dhe titullohet "Një ekzegjezë e ndjeshme ndaj dramës së të vuajturve".

Ju ftoj të keni parasysh, përveç sëmundjes, dhimbjes fizike dhe vdekjes, edhe vuajtjet e të varfërve, emigrantëve dhe më të varfërve të shoqërisë, të cilat janë të pranishme në kaq shumë faqe të Shkrimit të Shenjtë.

Migrantë në Lampeduzë
Migrantë në Lampeduzë   (ANSA)

Njeriu dhe Zoti të bashkuar në të njëjtën vuajtje

Me "Flijimin" e tij dhe me "vuajtjen e tij shëlbuese", shpjegon Papa, duke cituar letrën apostolike të Papës Gjon Pali II “Salvifici doloris”, Krishti "u bë pjesëmarrës në të gjitha vuajtjet njerëzore". Njeriu dhe Zoti ndajnë dhe marrin pjesë në të njëjtën vuajtje dhe kontribuojnë në të njëjtin shëlbim, edhe pse "vepra shpëtuese e të vetmit Shëlbues" është "e përsosur, universale dhe tejet e begatë".

“Ajo përmbushje do të thotë se çdo i vuajtur merr pjesë, pra, angazhohet në atë vepër dhe e shpreh atë me karakteristikat unike, që rrjedhin nga historia vetjake”.

Feja shndrit çështjet rreth vdekjes dhe sëmundjes

Papa vëren se shpesh "edhe besimtarët lëkunden" kur përballen me pyetje rreth kuptimit të sëmundjes, vuajtjes dhe vdekjes. Megjithatë, feja e riorienton perspektivën e këtyre pyetjeve, duke i shndërruar çastet e vuajtjes në mundësi për kthesë.

Në dritën e fesë, ne e dimë se dhimbja dhe sëmundja mund ta bëjnë një person më të urtë dhe më të pjekur, duke e ndihmuar të dallojë ç’nuk është thelbësore në jetën e tij në mënyrë që të kthehet te Zoti. E marrim këtë vizion të fesë nga Shkrimi i Shenjtë dhe nga Tradita e Kishës.

Papa e inkurajon Komisionin të mbështesë "kërkimin shkencor" me "vëmendje ndaj përvojave të zakonshme të jetës", në mënyrë që të ndriçojë aspektet më të vështira të "punës ekzegjetike" me "Urtinë e Fjalës së frymëzuar".

Ungjilli e dokumenton shpesh vëmendjen dhe dhembshurinë e Jezusit për të sëmurët, që është aq e thellë sa Krishti identifikohet me ta.

Dhembshuria e Krishtit për të gjithë ata që vuajnë është aq bindëse sa Ai identifikohet me ta: "Isha i sëmurë dhe më vizituat".

Kujdesi i Kishës për të sëmurët (dioqeza e Sapës, Shqipëri)
Kujdesi i Kishës për të sëmurët (dioqeza e Sapës, Shqipëri)

Një solidaritet, që bashkon

Mësuesi i urdhëron dishepujt e tij të "kujdesen për të sëmurët, të vënë duart mbi ta dhe t'i bekojnë në emrin e tij". Një solidaritet që afron me Zotin dhe bashkon njerëzimin.

Përmes përvojës së brishtësisë dhe sëmundjes, edhe ne mundemi dhe duhet të mësojmë të ecim së bashku, në solidaritet njerëzor dhe të krishterë, në rrugën e Zotit, që është dhembshuri, afërsi, butësi dhe solidaritet.

Siç i raportoi Papës kardinali Víctor Manuel Fernández, prefekt i Dikasterit për Doktrinën e Fesë dhe kryetar i Komisionit Papnor Biblik, Komisioni "po analizon figura të ndryshme të personazheve biblikë që vuajnë": do të nxjerrë prej tyre modele, që do të inkurajojnë çdo të vuajtur, duke i transmetuar dritën e të Ringjallurit.

Së bashku, këto me siguri do të bëhen një simbol i bukur shprese për çdo njeri, që i bashkon vuajtjet e tij me Krishtin e kryqëzuar, duke rinovuar mënyrën se si duket fytyra e Tij e dashurisë.

13 prill 2026, 12:53