Papa: proceset e dijes nuk mund të reduktohen në prodhimin e algoritmeve
R.SH. / Vatikan
Pa bamirësi, dija është e padobishme. E kjo është perspektiva e këshilluar në Mesazhin e Papës për Ditën e Universitetit Katolik, që u kremtua këtë të diel që kaloi, më 19 prill. I nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin më 12 prill, para nisjes për udhëtimin e tij apostolik në Afrikë, e i drejtohet Imzot Mario Delpinit, Kryeipeshkëv i Milanos dhe Kryetar i Institutit “Giuseppe Toniolo” të Studimeve të Larta, dhe thellon tre aspekte: marrëdhënien ndërmjet dijes dhe dashurisë për dijen, dialogun si kriter për zhvillimin e duhur të dijes dhe Inteligjencën Artificiale, që duhet zbatuar me përgjegjësi. Papa ofron edhe një kontribut për Universitetin, për studentët që e meritojnë e që kanë më pak mundësi.
Formimi pa përdorime ideologjike të dijes
Në tekstin e Papës theksohet çka konsiderohet parim themelor: akti i të diturit është fryt i një dëshire, ende para zbatimit të inteligjencës. Më saktësisht:
Të kujtohesh për këtë parim është themelore, si për të nxitur arsimin që shmang lidhjet e shkurtra ose përdorimet instrumentale dhe ideologjike të dijes, ashtu edhe për të siguruar dijen që, duke njohur të vërtetën dhe të mirën e pranishme në realitet, mund të shndërrohet edhe në mençuri për jetën.
Papa në Institutin Toniolo: një komunitet i bashkuar për të ndërtuar ura, jo mure
Papa Françesku citohet në Nxitjen e tij Apostolike Christus Vivit, ku kujton nevojën për ta shartuar gjithmonë dijen në një horizont që e tejkalon individualizmin, i aftë për rrjetëzim, për të krijuar lidhje ndërdisiplinore e gjithashtu edhe mundësi për më të vegjlit, të përjashtuarit. Këto janë themelet, saktëson Papa augustinian, për një përvojë "interesante dhe të vlefshme" të dijes.
Vetëm dija e hapur, e zhvilluar me këtë dinamizëm, mund të kontribuojë në të mirën e përbashkët dhe të kapërcejë shumë shtrembërime të shkaktuara nga kërkimi që synon vetëm fitimin ekonomik dhe objektivat e sundimit. Dituria e paorientuar drejt takimit dhe drejtësisë, është në bazë të shumë të këqijave, siç e dëshmon historia e trazuar ku jemi zhytur.
Vigjilencë e mendimit kritik mbi sfidat teknologjike
Ndërsa vlerësojmë lançimin e planit të ri strategjik të Universitetit, zhvillimin e Planit të Afrikës, iniciativat e shumta për të përhapur dhe për të promovuar kulturën e solidaritetit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe angazhimin për thellimin e vizionit të Doktrinës Sociale të Kishës, ne përqendrohemi në sfidat e paraqitura nga Inteligjenca Artificiale. Mesazhi i djeshëm e kujton atë për Ditën Botërore të Komunikimit, duke bërë thirrje për kapacitetin e të menduarit kritik.
[...] proceset e njohurive nuk mund të reduktohen në prodhimin e algoritmeve gjithnjë e më të fuqishme, por, përkundrazi, kërkojnë nivelin e përshtatshëm të përgjegjësisë njerëzore dhe të vlerësimit etik.
