Kërko

Demonstratë në Ukrainë për të shënuar 40-vjetorin e katastrofës bërthamore të Çernobilit Demonstratë në Ukrainë për të shënuar 40-vjetorin e katastrofës bërthamore të Çernobilit

Papa: përdorimi i energjisë atomike qoftë në shërbim të jetës e të paqes

Në 40-vjetorin e aksidentit tragjik të Çernobilit, që preku ndërgjegjen e mbarë njerëzimit, Papa, në fund të lutjes mariane, i kujtoi historisë viktimat e katastrofës më fatkeqe, ndërsa bashkësisë ndërkombëtare, rreziqet e energjisë bërthamore. "Në të gjitha nivelet", deklaroi, "duhet të mbizotërojë gjykimi dhe përgjegjësia".

R.SH. / Vatikan

Në orën 1:23 të mëngjesit, më 26 prill 1986, një mosfunksionim në reaktorin numër 4 të centralit bërthamor të Çernobilit, pranë Kievit, në Ukrainë, shkaktoi aksidentin më të madh në historinë e energjisë bërthamore. Shpërthimi shkatërroi brendinë e ndërtesës, duke lëshuar një re të frikshme tymi radioaktiv në atmosferë. Përpara se të përhapej në të gjithë Evropën, ndoti zona të gjera të Ukrainës, Bjellorusisë dhe Rusisë, duke detyruar zhvendosjen e mijëra njerëzve. Njerëz, që nuk u kthyen kurrë më në shtëpitë e tyre e që e braktisën përfundimisht një territor të gjerë, që ende konsiderohet "i pabanueshëm".

Në përvjetorin e katastrofës më të keqe bërthamore në histori, e cila shkaktoi dëme të panumërta në shëndetin e njeriut dhe keqformime të rënda gjenetike tek fëmijët e palindur, lartohet sot zëri i Papës:

Sot kujtohet përvjetori i dyzetë i aksidentit tragjik të Çernobilit, i cili e preku thellësisht ndërgjegjen e njerëzimit. Ai mbetet paralajmërim për rreziqet e natyrshme në përdorimin e teknologjive gjithnjë e më të fuqishme. Ia besojmë mëshirës së Zotit viktimat dhe të gjithë ata që ende vuajnë pasojat.

Në shërbim të jetës e të paqes

Shkallëzimi ushtarak në Lindjen e Mesme dhe konflikti në Zaporizhzhia, Ukrainë, ringjallën alarmin global mbi sigurinë e reaktorëve dhe të gjithë familjes njerëzore, të kërcënuar në shumë fronte nga energjia bërthamore. Prandaj, Papa Leoni këmbëngul në përgjegjësinë e qeverive:

Shpresoj se gjykimi dhe përgjegjësia do të mbizotërojnë gjithmonë në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, në mënyrë që çdo përdorim i energjisë bërthamore të jetë në shërbim të jetës dhe të paqes.

E pasi përshëndeti grupet e shumta të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë Leoni XIV u drejtoi një mendimi të veçantë familjeve dhe miqve të dhjetë meshtarëve të rinj, të shuguruar këtë paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit: "Shoqërojini gjithnjë me lutje këta shërbëtorë të rinj të Ungjillit", tha Papa.

Një përshëndetje e veçantë ishte për mbi 70 fëmijët e grupit të vallëzimit "Malva" nga Brovary, Ukrainë, të cilët erdhën në Romë për t'i sjellë Papës Leoni një mesazh paqeje, shkruar në gjethet e një peme. 

26 prill 2026, 14:15

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >