Papa: "Nuk jam politikan, flas për Ungjillin. Krerëve të botës u them: jo më luftë"
R.SH. – Vatikan
"Mirëdita, welcome aboard (mirë se vini në bord)!" Leoni XIV dukej i qetë dhe entuziast për këtë udhëtim të tretë ndërkombëtar apostolik në Afrikë, i cili filloi sot, më 13 prill. Një turne i gjatë deri më 23 prill, gjatë të cilit Papa amerikan do të shkojë në Algjeri, Kamerun, Angolë dhe në Guinenë Ekuatoriale. Vende ku, siç thotë ai, do të çojë "mesazhin e Kishës, mesazhin e Ungjillit: lum ndërtuesit e paqes". Sepse ky është roli i Papës: jo ai i "një politikani", u tha Leoni XIV rreth 70 gazetarëve, që e ndjekin në udhëtim, të cilët, një orë pas ngritjes së avionit, i përshëndeti një nga një, gjatë fluturimit për në Algjer. Zakon ky, i të gjitha udhëtimeve apostolike, mundësi për të shkëmbyer dhurata e sot, edhe për të komentuar - me nxitjen e gazetarëve - mbi deklaratat e rënda kundër tij bërë nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në rrjetin e tij social “Truth”.
Të flasim me forcë kundër luftës
"Nuk e shoh rolin tim si politikan, nuk jam politikan, nuk dua të hyj në debat me të", vërejti Papa, duke iu referuar presidentit. "Nuk mendoj se mund të abuzohet me mesazhin e Ungjillit, siç po bëjnë disa. Unë vazhdoj të flas me forcë kundër luftës, duke u përpjekur të nxis paqen, duke promovuar dialogun dhe bashkëpunimin shumëpalësh me shtetet, për të kërkuar zgjidhje për problemet. Tepër njerëz vuajnë sot, tepër të pafajshëm janë vrarë dhe besoj se dikush duhet të ngrihet dhe të thotë se ka një rrugë më të mirë".
Mesazhi që dëshiron të përsërisë Ipeshkvi i Romës është, pra, "gjithmonë i njëjti: paqe. E them këtë për të gjithë krerët e botës, jo vetëm për të: të përpiqemi t'u japim fund luftërave dhe të promovojmë paqen dhe pajtimin".
Ndërtues të paqes
Një gazetareje amerikane, që bëri të njëjtën pyetje, Papa i përsëriti: "Nuk kam frikë nga administrata Trump. Do të vazhdoj të flas me zë të lartë për mesazhin e Ungjillit, mesazhin për të cilin punon Kisha". "Ne nuk jemi politikanë", theksoi Leoni XIV, "nuk e shohim politikën e jashtme me të njëjtën perspektivë. Por besojmë në mesazhin e Ungjillit si ndërtues të paqes".
Udhëtim i veçantë
E pikërisht puna për paqen është objektivi themelor i udhëtimit në Afrikë. Një udhëtim i cili, siç e shpjegoi vetë Leoni XIV para gazetarëve në avion, "duhej të ishte i pari i papnisë". "Që vitin e kaluar, në maj, pata thënë se udhëtimin e parë do të doja të bëja në Afrikë. Të tjerë menjëherë sugjeruan Algjerinë për Shën Agustinin", shtoi ai, duke vënë në dukje se ishte "shumë i kënaqur, që viziton përsëri tokën e Shën Agustinit, e cila ofron një urë shumë të rëndësishme në dialogun ndërfetar".
Mundësia për të vizituar vendet e lidhura me jetën e Ipeshkvit të Iponës - sot Annaba - është pra, sipas Papës Leoni XIV, "bekim për mua personalisht e, edhe për Kishën e botën. Sepse, gjithmonë, duhet të kërkojmë ura për të arritur paqen dhe pajtimin". Nga kjo perspektivë, udhëtimi apostolik "përfaqëson vërtet një mundësi shumë të rëndësishme për të vazhduar të themi me të njëjtin zë, me të njëjtin mesazh, se duam të promovojmë paqen dhe pajtimin, respektin dhe konsideratën për të gjithë popujt".
Një dhuratë nga Ishujt Kanarie
Gjatë bisedës, Papës iu dhanë dhurata të shumta nga gazetarë e kameramanë: libra, vizatime, letra dhe një ikonë e vogël e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtorja e shqiptarëve e nderuar nga i Urdhri i Shën Agustinit. Ndër dhuratat më simbolike ishte sigurisht ajo e Eva Fernández, një gazetare e emitentes spanjolle Radio Cope: simbolike, sepse e lidh këtë udhëtim në Afrikë me udhëtimin në Spanjë, në qershor. Ishte fragment i një prej "cayucos" të panumërt, emri i dhënë anijeve rudimentare të përdorura nga migrantët afrikanë për t'u larguar nga vendi i tyre dhe për të zbarkuar pranë La Restinga, në ishullin El Hierro. Në këtë pikë, më jugorja e Spanjës, mbërritën afërsisht 10.600 njerëz vetëm në vitin 2025, pothuajse aq sa popullsia e ishullit prej diçka më pak se 12.000 banorë. Rruga e Ishujve Kanarie konsiderohet ndër më të rrezikshmet në botë, me njerëz në det për të paktën një javë. Siç dihet, Leoni XIV do t’i vizitojë Ishujt Kanarie, në përfundim të udhëtimit të tij në Spanjë, nga 6 deri më 12 qershor. Sot, ai e pranoi me mirënjohje dhuratën, duke përsëritur "gracias" disa herë në spanjisht. Barka është bekuar nga ipeshkvi i Tenerifes, me origjinë nga Senegali dhe Gambia. Gjithnjë e lidhur me Spanjën, një dhuratë tjetër për Leonin XIV ishte riprodhimi i majës së kullës San Bernabé të kishës Sagrada Familia, e vetmja e ndërtuar gjatë jetës së arkitektit të saj Gaudi, i cili u sigurua që ajo të përfundonte para se të vdiste, në mënyrë që të shërbente si model për kullat e tjera.
