Kërko

Papa niset nga Algjeria, për në Kamerun

Avioni me të cilin nisej Papa, u largua nga aeroporti i Algjerite e pas 5 orë fluturimi do ta çojnë në Yaoundé, ku do të pritet me ceremoninë e mirëseardhjes. Të planifikuara, takime të ndryshme me presidentin e Republikës, autoritetet dhe një vizitë në jetimoren Ngul Zamba.

R/SH. / Vatikan

Avioni i ITA Airways me Papën Leoni XIV në bord, u nis sot, 15 prill, nga Aeroporti Ndërkombëtar Houari Boumédiène i Algjerit drejtuar për në Kamerun, etapa  e dytë e katër vendeve që vizitohen nga Papa Leoni XIV gjatë shtegtimit apostolik në Afrikë.

Thirrje e fortë për unitet

"Que tous soient un, “May they all be one”, "In Illo uno unum". Tri gjuhë, tri thirrje për unitet: dy të parat, shkëputur nga Ungjilli i Gjonit; e fundit paraqet moton papnore në Kamerun shkëputur nga një predikim i Shën Augustinit: "Edhe pse ne të krishterët jemi shumë, në një Krisht të vetëm jemi një". Kjo është motoja, shkruar edhe në logon ndërmjet faqeve të një Bible, që do të shoqërojë ndalesat e ndryshme të Papës pothuajse deri në Ekuador.

Papa do të qëndrojë në Yaoundé, kryeqytet, por do të vizitojë edhe Douala-n, qendrën ekonomike të Kamerunit, dhe Bamenda-n, në veriperëndim: rajon i shkatërruar që nga viti 2013 nga një konflikt i përgjakshëm dhe praktikisht i harruar, që shkaktoi mijëra vdekje dhe gati 500,000 zhvendosje banorësh brenda vendit.

Programi i ditës

Me mbërritjen në Aeroportin Ndërkombëtar Yaoundé-Nsimalen, Papa mirëpritet nga Kryeministri Joseph Dion Ngute dhe Nunci Apostolik imzot José Avelino Bettencourt. Pas intonimit të himneve kombëtare dhe paraqitjes së delegacioneve, Papa do të vazhdojë drejt Pallatit të Unitetit, rezidencë zyrtare e Presidentit Paul Biya, i cili do ta mirëpresë edhe me gruan e tij, Chantal.

Pas një vizite mirësjelljeje me një takim privat dhe shkëmbim dhuratash, Leoni XIV do të takohet me përfaqësues të autoriteteve, shoqërisë civile dhe trupit diplomatik, përsëri në Pallatin Presidencial. Do të mbajë edhe një fjalim, pas një tjetri, të paraprirë nga ai i Biya-s.

Ndalesa tjetër në ditën e tretë të udhëtimit apostolik, do të jetë vizita e Papës në Shtëpinë e Fëmijëve Ngul Zamba, strukturë e mbështetur krejtësisht nga donacionet, e cila kujdeset për fëmijët 18 muajsh – deri tek të rinjtë 20 vjeçarë. Pas këngëve dhe dëshmive, Papa do t'u drejtohet të pranishmëve. Do të vazhdojë, më pas, në selinë e Konferencës Ipeshkvnore të Kamerunit për një takim privat me ipeshkvijtë vendas. Dita do të përfundojë në Nunciaturën Apostolike në Kamerun, ku Papa do të darkojë privatisht.

15 prill 2026, 11:10