2025.12.29 Pellegrini della Parrocchia Santo Tomas de Villanueva di Alcala de Henares

Papa: ngulni këmbë në bamirësinë dhe afërsinë me të krishterët në Lindjen e Mesme

Duke filluar me kujtimin personal nga misioni në Peru, Papa vuri në dukje impenjimin e Fondacionit Weltkirche-Weltmission, realitet i kryedioqezës së Këlnit. Ky shërbim, pohoi ai, dëshmon përmasën universale të Kishës në solidaritet, "duke forcuar unitetin dhe duke dëshmuar Ungjillin e paqes në një botë kaq shpesh të karakterizuar nga përçarje dhe vuajtje"

R.SH. – Vatikan

Papa Leoni XIV iu drejtua me fjalë mirënjohjeje dhe falënderimi anëtarëve të Fondacionit Weltkirche-Weltmission, në audiencën e sotme, 30 prill, në Vatikan. Fondacioni njihet si Zyra dioqezane për Kishën Universale dhe Dialogun dhe është themeluar 50 vjet më parë në kryedioqezën gjermane të Këlnit. Ati i Shenjtë përmendi përvojën e tij në Peru.

“Dua të shtoj se, kur isha ipeshkëv i Çiklajos, në Peru, edhe kryedioqeza e Këlnit mbështeti me përkushtim të madh disa nisma, ndër të cilat blerja e pajisjeve për prodhimin e oksigjenit, që shpëtuan jetën e shumë njerëzve. Edhe sot, njerëzit janë mirënjohës për atë mbështetje”.

Një mendim për Lindjen e Mesme

Një impenjim për bamirësi, solidaritet, ndihmë materiale dhe ndihmë për të krishterët e detyruar të largohen për shkak të luftës, duke u bërë kështu "dëshmitarë të Ungjillit të paqes". Leoni XIV vuri në dukje një ndjet të veçantë, që e mban në zemër.

“Ju kërkoj të vazhdoni ta mbështesni praninë e të krishterëve në Lindjen e Mesme, për t’u siguruar që traditat e nderuara të Kishave Lindore të ruhen, të mbrohen dhe të bëhen më të njohura gjerësisht”.

  (@VATICAN MEDIA)

Dialogu hap shtigje drejt paqes

Në fjalimin e tij drejtuar të pranishmëve, Papa theksoi rëndësinë e dialogut, sepse Kisha nuk imponohet, por dëshmon për të vërtetën. Një dialog, që "forcon bashkimin, hap shtigje mirëkuptimi dhe i shërben çështjes së paqes. Në këtë mënyrë, Krishti i tërheq të gjitha gjërat drejt vetes dhe e bën Kishën shenjë uniteti dhe shprese për botën".

Identitet në dialog

Elemente, që Papa i pa të rrënjosur në historinë e kryedioqezës së Këlnit, duke përshkuar momentet e saj më të rëndësishme, përjetuar në frymën e takimit, shkëmbimit të ndërsjellë dhe dialogut ndërmjet popujve dhe kulturave. Ai citoi partneritetin me kryedioqezën e Tokios, i pari i këtij lloji në Gjermani, i nënshkruar në vitin 1954. Ati i Shenjtë kujtoi se kjo kryedioqezë është pioniere në nismat asistenciale si Misereor dhe Adveniat, duke hedhur kështu bazat për themelimin e Weltkirche-Welmission në vitin 1976.

“Ky vizion i Kishës si autentikisht universale - e thirrur për solidaritet përtej kufijve të Evropës dhe e mbështetur përmes kulturës së dialogu - mbetet në qendrën e identitetit të organizatës suaj”.

  (@VATICAN MEDIA)

Universaliteti i Kishës

Kryedioqeza e Këlnit është anëtare themeltare e Bashkimit të Agjencive të Ndihmës për Kishat Lindore (ROACO), që ndihmon rajonet e prekura nga uria, përmbytjet, lufta dhe kriza të tjera, sidomos në Lindjen e Mesme dhe në rajonet e veprimit të Kishave Lindore. Ajo jep edhe bursa për formimin e meshtarëve dhe asistencë për priftërinjtë e moshuar.

“Përmes shërbimit tuaj bujar - përfundoi Papa – përmasa universale e Kishës bëhet e dukshme dhe konkrete, duke nxitur solidaritetin, duke forcuar lidhjet e unitetit dhe duke dëshmuar Ungjillin e paqes në një botë kaq shpesh të karakterizuar nga përçarje dhe vuajtje. Kjo dëshmi është e nevojshme sot më shumë se kurrë”.

30 prill 2026, 12:12