Kërko

2026.04.21 Viaggio Apostolico in Guinea Equatoriale - Visita agli operatori e assistiti dellâ  Ospedale psichiatrico Jean-Pierre Olie

Papa në spital në Guinenë Ekuatoriale: aktet e vogla të mirësisë janë poemat e 'fshehura' të jetës

Në spitalin psikiatrik Jean Pierre Olie në Malabo, Papa Leoni XIV thekson thirrjen e të gjitha spitaleve, veçanërisht atyre me mision të krishterë, për të qenë shembull i qytetërimit të dashurisë "ku njeriu është i mirëpritur ashtu siç është dhe i respektuar në brishtësinë e tij"

R.SH. – Vatikan

Një pritje e ngrohtë me këngë e valle përshëndeti Papën Leoni XIV në spitalin psikiatrik Jean Pierre Olie në Malabo, Guinea Ekuatoriale. Pasi shprehu mirënjohjen për këtë pritje, Papa shprehu "ndjenjat e tij të pështjelluara" sa herë që viziton një spital. Nga njëra anë, tha se ndien keqardhje për pacientët dhe familjet e tyre. Vuri në dukje se njerëzit "shpesh mbajnë një barrë të rëndë, ndonjëherë me plagë që mund të shihen dhe herë të tjera me plagë që askush nuk i sheh, por që ata vetë e dinë se i mbajnë në zemrat dhe në jetën e tyre".

Megjithatë, nga ana tjetër, ai i admiron dhe ngushëllohet nga e gjithë puna e bërë për të “shërbyer jetën njerëzore”. Edhe prania në spitalin në Malabo nuk është e ndryshme. Por Papa vuri në dukje se “gëzimi mbizotëron”. Ky gëzim buron nga bashkimi në emër të Zotit dhe nga kujdesi për ata që kanë shëndet të dobët.

Shenja e dashurisë

Papa Leoni nënvizoi sa u prek nga dëshmitë, që dëgjoi gjatë këtij takimi, përfshirë atë të drejtorit të spitalit, profesor Bechir Ben Hadj Ali. Drejtori shpjegoi se "një shoqëri vërtet e madhe nuk është ajo që i fsheh dobësitë e saj, por ajo që i rrethon ato me dashuri". Kjo është e vërtetë, theksoi Papa, pasi është parim i një qytetërimi të bazuar në krishterim. Jezusi erdhi në botë për t’i "shëlbuar dhe për t’u rikthyer dinjitetin e plotë atyre, që vuajnë nga stigma e aftësisë së kufizuar". Megjithatë, Ai ka nevojë për bashkëpunimin tonë për ta bërë këtë, si në nivel personal, ashtu edhe në atë shoqëror.

Kjo është arsyeja pse Jezusi u bën thirrje të gjithëve të duan vëllezërit dhe motrat me fjalë dhe veprime. Një institut si spitali psikiatrik Jean Pierre Olie mund të jetë shenjë e këtij qytetërimi dashurie "me ndihmën e Zotit dhe angazhimin e të gjithëve".

Na doni ashtu siç jemi

Papa Leoni XIV, më pas, iu kthye fjalëve të njërit prej pacientëve në spital, Pedro Celestino, i cili e përfundoi dëshminë e tij duke e falënderuar Atin e Shenjtë, sepse “na do ashtu siç jemi".

Kështu e do Zoti çdo person, u kujtoi Papa të pranishmëve. "Por ai nuk ka si synim që ne të mbetemi kështu. Jo, Zoti nuk do që ne të mbetemi të sëmurë përgjithmonë; ai dëshiron të na shërojë". Ungjilli e vë në dukje këtë më se një herë.

"Një spital, veçanërisht ai me mision të krishterë", theksoi Ati i Shenjtë, "është vend ku njeriu mirëpritet ashtu siç është dhe respektohet në brishtësinë e tij, në mënyrë që të ndihmohet për t’u përmirësuar sipas një vizioni gjithëpërfshirës". Kjo ndjenjë shpirtërore është thelbësore për këtë punë, vuri në dukje Papa.

Vetëm Zoti mund ta lexojë plotësisht zemrën 

Para se të përfundonte përshëndetjen e tij, Papa shprehu mirënjohjen për poemën e shkruar nga Tarcisio. Leoni XIV nënvizoi sa shumë poema "të fshehura" shkruhen çdo ditë, "jo me fjalë, por me gjeste të vogla, me kujdes dhe mirësi në marrëdhëniet tuaja me njëri-tjetrin". Kjo është një poemë, që vetëm Zoti mund ta lexojë plotësisht dhe është e tillë, që "e ngushëllon Zemrën e Mëshirshme të Krishtit". Së fundi, Papa shprehu afërsinë e tij me të gjithë pacientët e spitalit, veçanërisht me ata, që janë më të sëmurë dhe më të vetmuar, duke u dhënë bekimin e tij apostolik.

21 prill 2026, 21:06