Papa në Saurimo: të moshuarit janë urtia. Duhen dëgjuar, jo vetëm kuruar
R.SH. – Vatikan
“Të moshuarit nuk duhen vetëm asistuar, ata para së gjithash duhen dëgjuar, sepse ruajnë urtësinë e një populli”.
Në “qytetin e diamanteve”, Saurimo, kryeqyteti i provincës angolane Lunda e Jugut, pasuria e vërtetë janë ata: ato buzëqeshje të vëra mënjanë, këmbët e deformuara nga artriti, sytë e përhumbur, rrudhat e pranishme por pak të dukshme për shkak të lëkurës ngjyrë ebani. Janë 62 të moshuar, 26 burra dhe 36 gra midis moshës 60 dhe 93 vjeç, që banojnë në Lar de Assistência a pessoa idosa, Shtëpia e pritjes për të moshuarit në Saurimo, ku strehohen të sëmurë, invalidë, por edhe njerëz të keqtrajtuar dhe të braktisur nga familjarët me akuzën për shtrigani.
Papa Leoni XIV deshi ta fillonte sot paradite pikërisht nga ata programin e vizitës në qytetin e tretë të Angolës. Kështu, pas arritjes në Saurimo, Papa vizitoi një shtëpi për të moshuarit, drejtuar nga qeveria angoleze. E njohur nga banorët me emrin "Lar", që do të thotë "shtëpi", objekti strehon 62 të moshuar, nga të cilët 26 burra dhe 36 gra.
Duke u njohur me banorët e moshuar, Papa Leoni shprehu gëzimin për "mirëpritjen e tyre plot besim", e edhe për besimin se ata jetojnë vërtet në një atmosferë familjare, të denjë për emrin joformal të shtëpisë së kujdesit. Kujtoi, në vijim, se Jezusit i pëlqente të vizitonte shtëpinë e miqve, duke kaluar kohë me vjehrrën e Pjetrit dhe duke vizituar shpesh shtëpinë e Marisë, Martës dhe Lazrit, në Kafarnaum.
Edhe në këtë shtëpi kujdesi, tha Papa, Jezusi është me banorët e saj të moshuar, veçanërisht kur ata falin njëri-tjetrin e kërkojnë pajtim, edhe pas një fyerjeje të vogël.
“Ai banon ndërmjet jush sa herë që përpiqeni ta doni njëri-tjetrin dhe ta ndihmoni njëri-tjetrin si vëllezër e motra - tha Papa - kur të gjithë ju, ose edhe disa prej jush, luteni së bashku me thjeshtësi dhe përulësi, Ai është këtu mes jush”.
Papa Leoni XIV i falënderoi autoritetet angoleze për mbështetjen e iniciativave të tilla, si shtëpia e kujdesit Lar. “Kujdesi për më të ligshtit është shenjë shumë e rëndësishme e cilësisë së jetës shoqërore të një kombi”, kujtoi.
“Të mos e harrojmë se të moshuarit jo vetëm që kanë nevojë për ndihmë, por para së gjithash duhet të dëgjohen, sepse ata e ruajnë mençurinë e një populli”.
Papa Leoni e përfundoi fjalimin e tij të shkurtër duke u lutur për banorët e moshuar dhe duke ia besuar kujdesit të Virgjërës Mari.
Marrëdhënia e ngushtë e Kishës me shtëpinë e kujdesit Saurimo
Sipas Georgina Mwandumba, drejtoreshë e shtëpisë së kujdesit, Kisha Katolike lokale ka marrëdhënie të shkëlqyer me ata, që jetojnë atje, u ofron ndihmë shpirtërore dhe kontribute financiare për të mbështetur objektin.
Shumë banorë kultivojnë kopshte të vogla, për t'u çlodhur dhe për të siguruar jetesën e tyre. Shpesh marrin pjesë në Meshë së bashku e luten edhe në shtëpi, edhe pse disa nuk janë katolikë.
E pyetur për dëshirën e saj më të madhe për të moshuarit në Angola, znj. Mwandumba tha se shpreson që "praktika absurde e magjisë" të kapërcehet, në mënyrë që familjet të ndalojnë së braktisuri prindërit e tyre të moshuar, në emër të besimeve supersticioze.
