Kërko

Papa në Meshën në Saurimo: «I Ngjalluri ndriçon rrugën tonë dhe na shenjtëron»

Gjatë Meshës në Saurimo, Angolë, Papa Leoni i siguroi besimtarët se "Ai, i Ngjalluri, na ndriçon neve rrugën".

R.SH. / Vatikan

Papa Leoni XIV i ngushëlloi zemrat e besimtarëve me këto fjalë gjatë Meshës që kremtoi në Saurimo, Angolë, të hënën, ndërsa po vazhdon fazën e tretë të Udhëtimit të tij Apostolik në katër shtete.

Në çdo pjesë të botës, Kisha jeton si një popull që ecën, si dishepuj të Krishtit, vëllait dhe Shëlbuesit tonë. Ai, i Ngjalluri, ndriçon për ne rrugën drejt Atit dhe me forcën e Shpirtit na shenjtëron në mënyrë që ta shndërrojmë mënyrën tonë të jetesës në përputhje me dashurinë e tij.

Ky është «Lajmi i Mirë», Ungjilli që rrjedh nëpër venat tona si gjaku, duke na mbështetur në shtegtimin e jetës. Një shtegtim që më ka sjellë këtu me ju sot! Te gëzimi dhe bukuria e të mbledhurit tonë, sot këtu, të bashkuar në emrin e Jezusit, le ta çelim zemrën për të dëgjuar Fjalën e shpëtimit, sepse na ndihmon të reflektojmë rreth arsyes dhe qëllimit për të cilin ne ndjekim Zotin. – u shpreh Papa

Në të vërtetë, kur Biri i Hyut u bë njeri, ai bëri mrekulli të pabesueshme për të shfaqur kështu vullnetin e Atit.

Ai bëri që drita të shkëlqente në errësirë ​​duke u kthyer shikimin të verbërve, ai u dha zë të shtypurve duke u zgjidhur gjuhët memecëve; ai shoi etjen tonë për drejtësi duke e shumëzuar bukën për të vobektët dhe të ligështit. Kushdo që i dëgjon këto punë e mrekulli niset në kërkim të Jezusit.

Në të njëjtën kohë, Zoti shikon në zemrën tonë dhe na pyet nëse e kërkojmë atë nga mirënjohja apo për interesin tonë vetjak, për hesapet tona apo për dashuri.

E në të vërtetë, ai u tha atyre që i shkonin mbrapa: "Ju po më kërkoni, jo sepse patë shenja, por sepse hëngrët sa u ngopët me bukë" (Gjn 6:26). Fjalët e Jezu Krishtit zbulojnë planet e atyre që nuk duan të takojnë një person, por vetëm duan të konsumojnë gjëra. Turma e kundron Jezusin si mjet për të arritur një qëllim, si ofrues shërbimesh. Nëse ai nuk do t'u kishte dhënë diçka për të ngrënë, veprimet dhe mësimet e tij nuk do t'u kishin interesuar.

Kjo, paralajmëroi Leoni XIV, ndodh kur besimi i vërtetë zëvendësohet me rite supersticioze, në të cilat Zoti kthehet në një idhull që kërkohet vetëm kur është i dobishëm për ne dhe vetëm për aq kohë sa është i tillë.

"Edhe dhuratat më të bukura të Zotit, të cilat janë gjithmonë për kujdesin e popullit të tij, shndërrohen në pretekst, një çmim ose një monedhë, dhe interpretohen gabim nga ata që marrin hiret e Krishtit. Tregimi i Ungjillit, pra, na ndihmon të kuptojmë se Krishtin e kërkojmë edhe për shkaqe të gabuara, veçanërisht kur ai konsiderohet si një guru apo si të ishte hajmali. Edhe motivimi i turmës është i pamjaftueshëm: ata nuk po kërkonin një mësues që e donin, por një udhëheqës që ta duartrokisnin për përfitimin e tyre."

Papa më tej vuri në dukje sa i ndryshëm është qëndrimi i Jezusit ndaj nesh. E prapseprap, ai nuk e hedh poshtë këtë kërkim të pasinqertë tonin, por na nxit që ta shndërrojmë.

"Jezusi nuk e shpërfill turmën, por i fton të gjithë të shqyrtojnë atë çka na ngjall në zemër. Krishti na thërret për liri: nuk dëshiron shërbëtorë apo klientë, përkundrazi kërkon vëllezër e motra të cilëve mund t'u përkushtohet plotësisht. Për t'iu përgjigjur me besim kësaj dashurie, nuk mjafton të dëgjosh Jezusin të flasë: duhet ta pranosh kuptimin e fjalëve të tij. As nuk mjafton vetëm të vështrosh atë që bën Jezusi: duhet ta ndjekësh dhe të ecësh në gjurmët e tij."

Kur te shenja e bukës së thyer vërejmë vullnetin e Shpëtimtarit, i cili dhurohet për ne, vetëm atëherë i qasemi një takimi të vërtetë me Jezusin, që kthehet në një qëndrim dishepujsh, mision dhe shërbim.

Këshilla që Zoti i drejton turmës shndërrohet kështu në një ftesë: "Mos punoni për ushqimin që prishet, por për ushqimin që mbetet për jetë të përjetshme" (Gjn 6:27). Me këto fjalë, Krishti na shpreh dhuratën e tij të vërtetë: nuk do që të mos tregojmë interes për bukën tonë të përditshme, të cilën e shumëfishon me bollëk dhe na mëson ta kërkojmë në lutje.

Përkundrazi, ai na mëson mënyrën e duhur për të kërkuar bukën e jetës, ushqimin që na mban përgjithmonë. Dëshira e turmës merr një përgjigje shumë më të madhe dhe më të çuditshme: Jezusi nuk na jep ushqim që kalon, por bukë që rron në kohë sepse është ushqimi i jetës së amëshuar.

Dhurata e tij, vuri në dukje Papa, hedh dritë mbi kohën tonë.

Sot mund të shohim se si shpresa e shumë njerëzve zhgënjehet nga dhuna, shfrytëzohet nga të fuqishmit dhe mashtrohet nga të pasurit. Si pasojë, kur padrejtësia i kalb zemrat, buka e të gjithëve bëhet pronë e një pakice. Përballë këtyre të këqijave, Krishti dëgjon britmën e popullit dhe e ripërtërin historinë tonë duke na ngritur në këmbë sa herë që rrëzohemi, duke na ngushëlluar në çdo vuajtje dhe duke na dhënë zemër në misionin tonë.”

Ashtu si Eukaristia është buka e gjallë që Ai nuk pushon kurrë së dhëni neve, po ashtu edhe historia e Tij nuk njeh fund.

Për këtë arsye, i Ngjalluri e hap jetën tonë nëpërmjet fuqisë së Shpirtit të Tij dhe e largon fundin e historisë sonë, domethënë vdekjen. Krishti jeton! Ai është Shëlbuesi ynë. Ky është Ungjilli që ne ndajmë me të tjerët, duke i bërë të gjithë njerëzit e tokës vëllezër dhe motra tona. Kjo është ajo shpallje që e shndërron mëkatin në falje. Ky është besimi që shpëton jetën!

Dëshmia e Pashkëve, pra, sigurisht që i përket Krishtit, të kryqëzuarit që u ringjall, por na përket edhe neve, sepse tek Ai, të shpallurit e ringjalljes sonë gjen zërin e vet. Ne nuk erdhëm në botë për të vdekur. Ne nuk lindëm për t'u bërë skllevër, as të mishit e as të shpirtit: çdo formë shtypjeje, dhune, shfrytëzimi dhe pandershmërie mohon ringjalljen e Krishtit, dhuratën më të vyer të lirisë sonë.

Ky çlirim nga vdekja, në fakt, nuk ndodh vetëm kur të mbarojnë ditët tona, por çdo ditë të jetës sonë.

"Çfarë duhet të bëjmë për të mirëpritur një dhuratë të tillë? Vetë Ungjilli na mëson: "Kjo është vepra e Hyut, që të besoni në Atë që Ai ka dërguar" (Gjn 6:29). Po, le të besojmë! Sot, le ta themi së bashku me forcë dhe me mirënjohje për ty, Zot Jezus. Ne duam të të ndjekim dhe të të shërbejmë tek i afërmi ynë: fjala jote është rregulli ynë i jetës, metri i së vërtetës."

Leoni XIV më tej  theksoi: "Lum ata që ecin sipas ligjit të Zotit" (Ps 119/118:1).

Të dashur miq, është Zoti Ai që na tregon shtegun e këtij udhëtimi, jo ​​kërkesat tona, as moda e tashme.

Le të ecim në këtë drejtim plot urti! Me Ungjillin në zemër, do të keni guxim përballë vështirësive dhe zhgënjimeve: në rrugën që Hyu na ka hapur, nuk gremisemi kurrë. Në të vërtetë, Zoti ecë gjithmonë me ne, në mënyrë që ne të vazhdojmë në rrugën e Tij. Vetë Krishti na udhëheq dhe na forcon për këtë udhëtim.

Në këtë drejtim, “Kisha shpall Lajmin e Mirë të Krishtit jo vetëm me anë të shpalljes së Fjalës që ka marrë nga Zoti, por edhe me anë të dëshmisë së jetës.

Duke ndarë Eukaristinë, bukën e jetës së përjetshme, ne jemi të thirrur t’i shërbejmë popullit tonë me një përkushtim që i ngre të gjithë ata që janë rrëzuar, rindërton sa herë që dhuna shkatërron dhe ndan me ne gëzimin dhe lidhjet tona vëllazërore.

Nëpërmjet nesh, nismat e hirit hyjnor japin fryte të mira, veçanërisht në vështirësi, siç na tregon shembulli i martirit të parë, Shtjefnit.

Të dashur miq, dëshmia e martirëve dhe e shenjtërve na inkurajon dhe na shtyn në një rrugë shprese, pajtimi dhe paqeje.

Duke udhëtuar së bashku, në dritën e Ungjillit, Kisha në Angolë rritet sipas frytshmërisë shpirtërore që fillon nga Eukaristia dhe vazhdon te kujdesi i gjithanshëm për çdo person dhe për të gjithë popullin.

Në veçanti, gjallëria e thirrjeve që ju përjetoni është një shenjë se po i përgjigjeni dhuratës së Zotit, e cila është gjithmonë e bollshme për ata që e mirëpresin me zemra të pastra.

Falë Bukës të Jetës, që po ndajmë sot, mund të vazhdojmë në udhëtimin e mbarë Kishës, e cila ka si pikë mbërritjeje Mbretërinë e Zotit, drita e së cilës është besimi dhe gjaku i jetës i së cilës është dashuria.

20 prill 2026, 15:22