Papa Leoni bën thirrje për dialog për t'i dhënë fund luftërave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme
R.SH. – Vatikan
Gjatë lutjes mariane të Mbretëreshës së Qiellit në Kilamba, Leoni XIV dënoi intensifikimin e fundit të sulmeve në zemër të Evropës. "Armët të heshtin dhe të ndiqet rruga e dialogut". Më pas, Papa inkurajoi ata që janë të angazhuar në kërkimin e një zgjidhjeje diplomatike në të gjithë Lindjen e Mesme, që të vijojnë dialogët e paqes.
Të përqafosh britmën e atyre që vuajnë
Gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore Papa Leoni XIV ia besoi Zojës Mari, "Nënës dhe shoqes së shtegtimit, gëzimin e Ngjalljes". Për çdo segment të njerëzimit që vuan nga shkaku i konfliktit, lutja e Papës i drejtohet asaj, Nënës së Jezusit, Nënës së Zemrës, “na ndihmoftë ta ndjejmë gjithnjë të gjallë dhe të fortë, pranë nesh, praninë e Birit të saj të ringjallur”.
Me këtë këngë gazmore nuk synojmë ta shlyejmë britmën e atij që vuan, por përkundrazi, ta përqafojmë atë dhe ta bashkojmë me zërin tonë në një harmoni të re, në mënyrë që, edhe në dhimbje të mbetet e gjallë drita e fesë e, bashkë me të, shpresa për një botë më të mirë.
Afërsi me popullin ukrainas, të heshtin armët
Mendimi i Papës shkoi në Ukrainë, ku një djalë 16-vjeçar u vra, ndërsa katër të rritur, tri gra e një burrë, u plagosën pas një sulmi me dron rus në qytetin e Chernihivit, në orët e para të mëngjesit të sotëm, 19 prill.
E dënoj thellësisht shkallëzimin e fundit të sulmeve kundër Ukrainës, që vijojnë të godasin edhe popullsinë civile. U shpreh afërsinë time të gjithë atyre që vuajnë dhe i siguroj lutjet e mia mbarë popullit ukrainas. Përsëris thirrjen time, që të heshtin armët dhe të ndiqet rruga e dialogut.
T’i jepet fund përgjithmonë armiqësive në Lindjen e Mesme
Më pas shqetësimi i Pasardhësit të Pjetrit iu drejtua Vendit të Kedrave, Libanit, që e vizitoi gjatë udhëtimit të tij të mëparshëm apostolik dhe që e kujtoi pak më parë Kryeipeshkvi i Luandës në falënderimin e tij në fund të kremtimit. Këtu armëpushimi është gjithnjë e më i brishtë.
Nga ana tjetër, armëpushimi i shpallur në Liban është arsye për shpresë, duke përfaqësuar një shenjë lehtësimi për popullin libanez dhe për Levanten. I inkurajoj ata që janë përkushtuar për të kërkuar zgjidhje diplomatike, t’i vazhdojnë bisedimet e paqes, në mënyrë që fundi i armiqësive në të gjithë Lindjen e Mesme të bëhet i përhershëm.
Së fundi, Papa përsëriti angazhimin dhe thirrjen e tij për të gjithë, që të përpiqen "sot dhe çdo ditë" për t’i bërë të rriten frytet e Pashkëve, që janë "dashuria, drejtësia e vërtetë dhe paqja, përtej çdo pengese e çdo vështirësie".
